Alternativa Shqiptare dhe Partia Demokratike lidhin koalicion

Dje (15.06.2012), ne Ulqin, Alternativa Shqiptare nga Malësia me kryetarë Gjergj Camaj si dhe Partia Demokratike nga Ulqini me kryetarë Fatmir Gjekën, lidhen koalicionin në mes të këtyre dy subjekteve.

Ky koalicion, u bazua në Marrëveshjen Politike të hartuar kohë më parë të përbërë nga 10 pika, njoftojnë zyrtarë të ASH-së dhe PD-së. Përveç veprimit të përbashkët politik, në pikën 7 të kësaj marrëveshje thuhet: “secila palë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje mban programin e vet partiak. Subjektet angazhohen, bien dakord që më së largëti deri në vitin 2014 të unifikohen në një subjekt politik”.

Dy kryetarët u treguan të hapur edhe për partitë e tjera shqiptare ku theksuan rreshtimin e shqiptarëve në një listë apo e shumta në dy. Këtë, theksuan kryetarët, e kushtëzon ligji i ri zgjedhor i bazuar në Formulën e Dontos. Tashmë, pritet që këtij koalicioni ti bashkëngjiten partitë dhe organizata joqeveritare që veprojnë në Mal të Zi, theksuan ASH dhe PD. Po ashtu njoftojnë se janë në proces edhe me partitë e tjera.

Ky koalicion, është përgatitje për zgjedhjet parlamentare që mendohet se do të zhvillohen në muajin shtator të këtij viti. /Malesia.Org/