Perderisa Europa tjetër demokratike , prin me qindra vite zhvillim para ballkanit, ne si thermia të vogla të popullit shqiptar, të shkaperderdhura nëpër Mal të Zi, po kthehemi akoma më mbrapa. Politika në shekullin XXI, është kuptuar nga të gjithë si diçka që kërkon unitet lidhur me qendrimet e njëjta politike, aspiratat e një populli dhe ideologjinë e një fryme. Ligji i ri zgjedhor, po detyron që Partitë Politike Shqiptare që kanë parime të njëjta funksionimi, qendrime të njëjat politike e aspirata lidhur me prosperimin e gjendjes shqiptare në Mal të Zi, të bashkohen në një listë zgjedhore. Kjo gjë, është një provë për të gjithë lideret politik, gjithë perfaqësuesit e popullit, që të deshmojnë se para një interesi personal, para një kariere thjeshtë politike, para një karrigeje e një rroge te majmur, qëndron diçka më e madhe.
Arsyeja se pse ne duhet të fillojmë të kuptojmë demokracinë dhe ligjet e saj, është se pikërisht, në Evropë, demokracia lindi, u rrit dhe u zhvillua si një e mirë që u kuptua nga shumë popuj e kombe. Ajo u aprovua nëpër të gjitha shtetet si fryma e shpëtimit politik botëror, ndersa në Rëndin e Ri Botëror, demokracia u vu në sherbim të pakicave dhe të drejtave të njeriut. Për gjithë këtë arritje, u desht një përpjekje e madhe, një unitet mendimesh të popujve evropian, të cilët arritën të dakordohen se mund të jetojnë të shpërndarë nëpër shtete të ndryshme, me ligje të barabarta. Besoj se edhe ne si njëri nder popujt më të vjetër të Europës, duhet të marrim shembull te zhvillimet politike në kontinentin tonë. Pothuajse çdo shtet Evropian, ka pakica të ndryshme brenda, të cilat janë të përfaqësuara në organizmin shtetërorë. Këto pakica, asnjëherë nuk dalin kunder shtetit ku jetojnë,përkundrazi, ata ndihen shtetas dhe pjestarë të barabartë me çdo qytetarë. Ama brenda teritorit të tyre, ata gëzojnë të drejtat e veta si pakicë e cila ka të drejtë ti mbrojë të drejtat e veta kombetare duke vetëqeverisur. Për këto të drejta hynë garant vetë shteti.
Edhe popujt tjerë të Evropës, kanë udhëheqës politik, kanë lider e deputet. Por kultura e tyre politike i ka veshur me moral politik të tillë që kur është fjala për aspiratat e pakicave, uniteti politik është çdo herë në nivel. Kultura politike duhet të na mësojë se për ne shqiptarët në Mal të Zi, nuk duhet të ketë luftë liderësh, nuk duhet të ketë luftë politike, por garë politike në të mirë të popullit. Ne, s’duhet që të lejojmë që të kthehemi edhe më mbrapa në shekuj, në organizimet e vjetra fisnore, por duhet që të kuptojmë politiken e sotme, realitetin që po e jetojmë dhe brumin të cilin deri tani, politikanët tanë na e kanë brumosur.
Besoj se liderët tanë, nuk do të shkojnë ka ajo fjala e sulltanit “pas meje në këtë jetë, gurë mbi gurë mos mbetë”. Por ata do të ideojnë një të ardhme të sigurtë për politiken e re, për frymën e re politike,për popullin i cili gjithsesi, s’do të lejojë që ata që u është besuar gjëja më e shenjtë e kombit ta përdhosin për interesat e tyre personale. Gabimet e tyre, liderët, duhet vetë ti permirësojnë, duhet vetë të marrin shembull të unifikimit dhe përmes kompromisit, kulturës intelektuale, t’i kapërcejnë problemet personale dhe të punojnë në krijimin e një bazamenti të shëndoshë politik i cili do të jetë më i shëndoshë, më unik dhe mbi të gjitha, më kontribues.
Nëse liderët politik, nuk arrinë që të dakordohen lidhur me unifikimin, atëherë, historia do të jetë ajo që me të mëdhaja do ta shënojë gjithë këtë “kasaphanë” që u prodhua nga besimi i popullit në disa individ që proklamuan të drejta e zhvillim e sollen përçarje e shkatërrim. Vetë angazhimi im politik, në një vit kritik lidhur me zgjedhjet lokale në Malësi, ato të vitit 2010, ka pas për qëllim vetëm relaksimin e situatës së krijuar në zghedhjet e mëparshme, të shtyrjes para të procesit dhe unifikimit të politikës posaçerisht në rajonin e Malësisë, e pse jo, edhe në gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët brenda Malit të Zi.
Tashmë, besoj se kushtet për një unifikim janë pjekur. Virtyti i Malësorit po vihet përseri në provë dhe është mundesia më e mirë për të gjithë që të tregojmë intelektualizëm, dije dhe maturi.
E shkuara duhet të jetë në të shkuarën , kurse në të tashmën të ideohet e ardhmja. Duhet të besojmë se jemi të aftë ta kuptojmë atë që po vjen, ta studiojmë atë që ka shkuar dhe ta lëmë aty si një plagë të izoluar që në asnjë mënyrë, nuk bën që të kullojë.
Ne nuk duhet t’i harrojmë virtytet tona të shenjta. Mbi to ta ndertojmë të ardhmen, ta krijojmë unitetin. Jemi popull që besojmë në Zot dhe përmes besimit në Zot, përmes të drejtës, të shpresojmë se lideret politik, do të rezonojnë me tru në menyrë që mos të mëkatojnë në kurriz të kombit. Sespse populli mban mënd dhe ai di të denojë. Të shpresojmë se historia do të ruaj një moment pozitiv. Kështu ndertohet e ardhmja premtuese e cila do të izolonte shumë të çara dhe do te linte porten hapur për një zhvillim fatlum.