Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut për 100 vjetorin në Shqipëri

Tiranë, 7 korrik – Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut nga Muzeu i Vjenës do të sillen në Shqipëri për t`u ekspozuar për kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky premtim është dhënë nga zv.kancelari dhe ministri i jashtëm austriak, Michael Spindelegger gjatë një takimi me kryeministrin shqiptar Sali Berisha në Forumin “Croatia Summit 2012” në Dubrovnik.

Sipas komunikatës së kryeministrisë shqiptare, Austria do të marrë pjesë në festimet e kësaj ngjarje historike, me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve.

Kryeministri Berisha u shpreh se në memorien e kombit, kontributi i Ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përherë në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar.

Kryeministri Berisha e njohu Zëvendës-kancelarin Spindelegger me ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, rritjen e investimeve të huaja, por edhe të eksporteve shqiptare, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar për biznes, investime e turizëm. Shqipëria sot, tha Kryeministri, vizitohet nga të gjitha skajet e Evropës e më gjerë./Koha Ditore/