Mediat treguan se Mali i Zi bukur shumë na qenka afruar drejt BE-së dhe NATO-s. Podgorica me gjithë pushtetarët atje në ndeja e ngritje dollish lavdërohen se janë politikanë të kalibrit të lartë. Ata duke shkelur mbi të drejtat elementare të shqiptarëve në Malësi e duke krijuar klimë asimilimi e kolonizimi kanë kryer shërbimin ndaj nacionalizmit sllav dhe në shtëpinë e tyre e kanë notën më të lartë për patriotizëm dhe në të njëjtën kohë notën më të lartë e kanë edhe në qarqet e vendosjes në Evropë. Këta politikanë malazez, dorën në zemër. meritojnë notë të lartë se po angazhohen me tërë qenien për vendin e tyre, kombin e tyre, nëse e kanë, e në dëm të shqiptarëve. Ata gjatë gjithë kohës para syve të Amerikës e Evropës u paraqiten se janë për demokraci, respektim të të drejtave të pakicave e për fqinjësi të mirë me shtetet tjera, pra edhe me Kosovën. Qendrat e vendosjes u duartrokitën dhe i shpërblyen Mali i Zi, duke e ndihmuat të jetë shumë afër NATO-s e BE-së. Kosova shumë larg. Ju lumtë diplomacisë dhe politikanëve të Podgoricës se kur duhet paraqiten qengja e kur duhet ujqër dhe i shesin rrenat e tyre për mrekulli dhe ecin tutje.
Podgorica në qarqet e vendosjes ka arritur të plasojë vetëm të vërtetën e saj edhe në relacion me Kosovën. E pranoi formalisht shtetin më të ri dhe pa një pa dy nisi me kushtet. Arriti në emër të “fqinjësisë së mirë” të bind krerët institucionalë në Kosovë dhe ua hapi dyert drejt institucioneve dhe privilegjeve të mëdha dy ish shoqatave malazeze. Disa qindra malazez, që në vitet e vrara të Kosovës kishin mohuar vetë përkatësinë nacionale e ishin bërë më serbë se vetë serbët, tani u rikonvertuan dhe do të kenë gjithë ato dhurata në shtetin parajsë për minoritetet. Podgorica e shkeli besën dhe vuri tabela thellë në tokën e Kosovës për të treguar se deri aty e ka vjedhur gjithë atë pasuri dhe ndodhen ca protesta e asgjë tjetër. Kosova deklaroi se me Malin e Zi ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe se vija kufitare do të përcaktohet drejt. Lëshuan pe institucionet e Kosovës ndaj Malit të Zi duke u munduar të prezantojnë se relacioni Prishtinë- Podgoricë është krejt OK. Vetëm pritej të hapeshin ambasadat dhe do të rrihnin tupanët e do të dëgjoheshin lahutat.
Evropës nuk mund t’i ndalet nderi që do të bëj me Beogradin e Podgoricën, por asaj i duhet thënë se realiteti në terren nuk është ai që e thonë politikanët. Për realitetin duhet biseduar me njerëzit e thjeshtë. Duhet biseduar me malësorët në Hot, Grudë, Triesh e Kojë, Plavë , Guci e Rozhajë. Duhet biseduar edhe me njerëzit e thjeshtë që politika e Podgoricës dhe heshtja e institucioneve të Kosovës i ka lënë pa bjeshkën e tyre. I ka lënë pa mundësinë që të dalin në trojet tyre e të çmallen me bukuritë e bjeshkës e me varret e të parëve që kanë mbetur në tokën e vjedhur. Institucionet le të thonë çfarë t’u teket, por relacionet Mali i Zi- Kosovë nuk janë hiç OK. Podgorica e Prishtina le ta pyesin popullin në Malësi e ata që mbeten pa bjeshkët e tyre dhe këtë përgjigje do ta kenë.
Rrahman Jasharaj, zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”