Kodi i ri zgjedhor i ratifikuar më shumicë votash në parlamentin e Malit të Zi vendosi që shqiptarët në Mal të Zi do përfaqësohen në Parlamentin e Malit të Zi dhe do bëhen parti parlamentare atëherë kur të kalojnë pragun zgjedhor i cili me ligjin e ri zgjedhor është 3%.
Implementimi i këtij kodi ne zgjedhjet e vjeshtës ka nxjerrë në skenën tonë politike një debat në të cilin janë përfshirë aktorë të ndryshëm politik si brenda territorit të Malit të Zi ashtu edhe jashtë tij. Aktorët politik shqiptarë brenda territorit të Malit të Zi ashtu dhe të diasporës në lidhje më këtë çeshtje kanë hapur diskutime duke dhënë mendime të ndryshme se si duhet të përfaqësohen subjektet politike shqiptare në parlamentin e Malit të Zi.
Pyetja më e madhe e cila qarkullon në debatet publike është se si do jetë e ardhmja e subjekteve politike shqiptare në skenën parlamentare të Malit të Zi?
Të jesh parti parlamentare është një përgjegjësi por njëkohesisht edhe previlegj sepse si parti parlametare do krijosh edhe një bazë të mirë financiare e cila do shërbente për unifikimin e trupit votues të partisë si dhe do ndikoj në potencimin e forcës në zgjedhjet lokale.
Zgjedhjet parlamentare do kenë një rendësi të veçantë për partinë më të re të krijuar në skenën politike shqiptare që është Partia Demokratike për të cilën këto zgjedhje do jenë një provim jo shumë i lehtë. Dy janë alternativat me të cilat duhet të përballet ky subjekt politik, vetëm kundër te gjithëve ose bashkë kundra vetvetës. Sa i përket subjekteve të tjera nuk është se do ketë ndonjë risi demokratike në bërjen e politikes , por çdo gjë do varet nga pazaret politike parazgjedhore. Tema e bisedimeve nuk do jetë se si do përfaqësohen të drejtat e shqiptareve në parlamentin e Malit të Zi por kush do udhëheq listen në rast se ka një të tillë. Nga praktikat e deritanishme kemi parë se edhe në rast se do ndahet në dy blloqe, situate do të jetë e njëjtë. Një provim tjetër i vështirë për subjektet politike shqiptare në Mal të Zi është të gjenden tema që do të ngrisin çeshtjet e duhura dhe mbajtja e premtimeve, që do të thotë realizimi i atyre që premtohen apo praktika e vjetër do vazhdoj ku temë e fushatave politike do të mbesë fshehja pas kartës së patriotizmit.
Ideja e një liste të përbashkët është një ide e cila qarkullon shumë herë në prag të zgjedhjeve pa ndonjë platformë konkrete por vetëm më moton ,,bashkë’’thua se shqiptarët në Mal të Zi jetojnë të ndarë në mes veti, dhe kjo bëhët me një synim deri sa të arrihet qëllimi i tyre kurse populli për fat të mirë vazhdon të jetoj bashkë para dhe pas motos ,,bashkë’’. Subjektet politike dhe interesat e ngushta të tyre partiake dhe personale në këtë menyrë do vazhdojnë udhëtimin e qetë drejtë realizimit të tyre.
Unifikimi i subjekteve politike është i domosdoshëm dhe do ishte i mirëseardhur.Kjo mund të arrihet përmes një strategjie dhe vizioni e cila do të konkretizohet më hartimin e një platforme kombëtare për ardhmërinë e shqiptarëve në Mal të Zi.
Platforma kombëtare për ardhmërinë e shqiptarëve në Mal të Zi
Hartimi i një platforme kombëtare do hapte një kapitull të ri në mënyren e të bërit politik. Subjektet politike shqiptare do mësonin sadopak filozofinë politike kurse disa subjekte politike edhe konceptin ,,politik’’.
Platforma kombëtare duhet të përfshijë:
Të gjitha platformat e partive politike
Platformat e hartuara nga intelektual të ndryshëm
Ekspert të fushave të ndryshme
Ekspert të shkencave politike dhe politikave nderkombetare
Diskutim publik me intelektualët shqiptar në Mal të Zi
Tryeza të rrumbullakta të eksperteve më të mirë të shteteve shqiptare dhe diasporës shqiptare.
Konventat dhe ligjet ndërkombëtare.
Objektivat afat shkurta dhe afat mesme etj
Për realizimin e saj duhet të vuhen në funksion i gjithë kombi shqiptar i cili vepron brenda Malit të Zi dhe jashtë tij.
Antarësimi në BE dhe NATO
Shqiptarët e Malit të Zi kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në demokratizimin e Malit të Zi , kurse zgjedhjet parlamentare do jenë vendimtare për plotesimin e kushteve drejt antarësimit të BE. Nëse shqiptarët dalin me një list të përbashkët pa një platformë konkrete se si duhet të jetë e ardhmja e tyre , atëherë edhe subjektet politike shqiptare dhe trupi votues shqiptar i cili do i votoj do jenë vetëm spektator në skenën politike të Malit të Zi. Çdo e drejtë e tyre do përcaktohet prej perspektives diplomatike malazeze, ku antarësimi në Nato dhe BE do bëhët vetëm duke riaktivizua të drejtat e fituara më parë si drejtën e mandateve të garantura, përdorimin e simboleve , gazetën javore , lajmet në shqip , të drejtën e përdorimit të gjuhës në institucione etj dhe asnjëherë të mos jepej një status për pakicat autoktone siç janë shqiptarët në Malin e Zi.
Në fund dua të ceki se problemi i pronave , të mirave detare, privatizimeve , turizmit , bujqësisë, punësimit , shkollimit etj etj , do realizohen vetëm atëherë kur të hartohet platforma kombëtare për ardhmërinë e shqiptarëve në Mal të Zi. Hartimi i kësaj platforme e cila ka si qëllim definimin e statusit për shqiptarët në Mal të Zi është një kërkesë ligjitime e cila i drejtohet pushtetit qendoror të Malit të Zi, gjithashtu kjo kërkesë ligjitime është në përputhje më të drejtat që bashkësia ndërkombëtare u vë parakushte shteteve të cilat kërkojnë të antarësohën në BE dhe NATO.
Sabri Salaj
(Autori është jurist i diplomuar dhe kandidat për master në programin Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci)