KNSH kërkon dhe fiton kuota për studentët shqiptarë nga Mali i Zi – Takim në MASHT të Repulikës së Kosovës

Një delegacion i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, në përbërje,Tahir Tahiri, kryetar dhe Mehmet Bardhi, deputet, fundjavën e kaluar qëndroi në Prishtinë, ku u takuan me zv/ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, z.Nehat Mustafa. Temë e bisedimeve në këtë takim ishte bashkëpunimi me interes reciprok në fushën e arsimit, përkatësisht krijimit të mundësive për regjistrimin e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi në universitetet publike të Republikës së Kosovës, si dhe problemet me të cilat ballafaqohet arsimi shqip në Malin e Zi. Kryetari i KNSH-së, z. Tahir Tahiri dhe deputeti Bardhi,falënderuan zv/ministrin e arsimit z.Mustafa dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për ndihmën e vazhdueshme të dhënë prej kohësh në sfera të ndryshme nga ana e Institucioneve të Kosovës, e posaçrisht për shkollimin e të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi. “Kosova përherë ka qenë pikë referimi dhe mundësi e shkollimit të të rinjve tanë, kurse tash, me krijimin e kushteve të reja, bërjen e Kosovës shtet i pavarur, ndërtimi i Rrugës së Kombit, interesimi i të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi për të studiuar në universitetet e Republikës së Kosovës, do të jetë gjithnjë e më i madh”,- deklaruan kryetari Tahiri dhe deputeti Bardhi. Delegacioni I KNSH-së, me këtë rast, i kërkoi Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës mundësinë që të sigurojë një numër kuotash për të rinjtë shqiptarë nga Mali I Zi,të interesuar për regjistrim në universitetet publike të Republikës së Kosovës. Zv/ministri Mustafa, shprehu mirëkuptimin e plotë për kërkesat e KNSH-së dhe shqiptarëve në Malin e Zi, duke theksuar gatishmërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve aktuale me të cilat ballafaqohet arsimi shqip në Malin e Zi, përmes bashkëpunimit me ministrinë respektive. Duke folur për regjistrimin në Universitet publike te Kosovës dhe numrin e studentëve (kuotat) që do të merreshin parasysh, z. Mustafa tha se studentët që do të konkurojnë në universitetet publike të Kosovës, duhet tu nënshtrohen kritereve të cilat do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në konkurencë me kolegët e tyre prej nga arrijnë. Zv/ministri Mustafa kërkoi po ashtu, që KNSH-ja, të bëjë një evidentim të numrit të studentëve, të cilët duan të regjistrohen në Universitetet publike të Kosovës, në bazë të së cilës Ministria e Arsimit do përcaktohet për numrin e vendeve (kuotat) për studentët shqiptarë nga Mali i Zi në fakulltete e drejtime që ata kanë preferenca. Zëvendësministri tha se si çdo here, edhe sivjetë “mbetemi të përkushtuar dhe të hapur që të ofrojmë mundësi studimi në universitetet tona publike në Prishtinë,Prizren dhe në Pejë, për të rinjt shqiptarë nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët” Vizita e delegacionit të KNSH-së, në Ministrinë e Arsimit Shkencës e Teknologjisë u realizua në kuadër të pjesëmarrjes së këtij delegacioni në Konferencën rajonale në temën “Pozita Kushtetuese dhe Ligjore e pakicave në rajon dhe roli i saj në perspektivën Evropiane”, e organizuar nga Fondacioni Fridrih Ebert Stiftung, Instituti për studime kushtetuese e parlamentare dhe Shoqata e malazezve të Kosovës, e mbajtur në Prishtinë më 11 korrik 2012.