Mos e prek Pronën – Forumi Demokratik për Integrim

Një nga problemet kryesore, për të cilat Mali i Zi ka marrë nota negative në arenën ndërkombëtare është çështja e mbrojtjes së pronës. Prona është e shenjtë. E drejta për gëzimin, posedimin dhe disponimin e pronës përbëjnë gurëthemelin e të drejtës së pronësisë. E drejta mbi pronën është e patjetërsueshme dhe e pacënueshme e cila qëndron në themel të të gjithë sistemit juridik të shteteve demokratike.

Shtetet e Evropës, detyrohen që të bëjnë disa ndryshime në legjislacionet e tyre për mbrojtjen e të drejtës së pronësisë në mënyrë që t’i përshtasin me Konventen Evropiane të të Drejtave të Njeriut (gjegjësisht protokollin 1). Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strazburg, ka sjellur një numër të madh të vendimeve mbi çështjet e pronësisë duke u vënë shteteve sanksione në të holla (compositio) që është vështirë të përballohen (të ashtuquajturat vendime pilot).

Këtu bën pjesë edhe mikroshteti malazez i cili çështjen e pronës, si private individuale ashtu edhe në bashkëpronësi, nuk e ka zgjidhur si pasojë e ligjeve të sistemit komunist të shekullit të kaluar duke abuzuar me ligjin dhe të drejtën (abusus legis – iuris)! Politikbërja e Qeverisë malazeze nuk ka arritur që të zgjidhë ende këtë problem duke gjeneruar regres në procesin e integrimeve evropiane. Pavarësisht hapave të cilat ka bërë Mali i Zi, çështja e pronësisë mbetet një konflikt i pazgjidhur. Prona në Vuksanlekaj, Milesh, Dinoshë dhe Dheu i Zi, janë pronë e popullit autokton shqiptar që jeton në trevën e Malësisë së Madhe. Ato mbrohen nga instrumentat juridik ndërkombëtar të cilat Mali i Zi i ka ratifikuar. Pushteti i politikbërjes malazeze gjeneron konflikt duke shitur aksionet për disa nga këto troje, me një çmim tepër nënvleftësues! FDI-ja i kërkon pushtetit malazez që të heq dorë nga grabitja e tokave me dhunë dhe të lejojë që pronarët t’i gëzojnë të qetë pronat e tyre.

Kërkesat tona legjitime janë paraqitur publikisht për herë të parë në protestën e mbajtur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, por garantojmë që nëse nuk merren hapa konkret në lidhje me zgjidhjen e këtyre problemeve elementare njerëzore, FDI-ja do të përshkallëzojë tonin duke dalë në protesta të vazhdueshme deri në realizimin e qëllimeve tona legjitime.

Një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar Sami Frashëri në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” shprehet: “M’i lumturi i vendeve në botë ësht’ ay tek ndjehet fort pakë dor’e qeverisë… Sa të mundë, qeverija të mos ketë të bëjë drejtpërdrejt me vendëset”.

Anton Lulgjuraj
Kryetar i Forumit Demokratik për Integrim