Kolë Zagreda, bir i denjë i shqiptarisë

nga Gjekë Gjonaj

Në shkurt  të këtij viti në fshatin Reç  të Ulqinit e vizitova   atdhetarin e mirënjohur     Kolë  Ejll Zagreda.  Kisha  menduar prej kohësh të shkruaj diçka   për të. Pasi shijuam peshkun e lumit Buna të  pjekur në skarë, produktet e ndryshme ushqimore dhe  verën shtëpiake disavjeçare,  u tërhoqëm  për t’u nxerë  me dru para oxhakut  në shtëpinë e tij të bukur trikatëshe, ku njëzet e katër orë  hedhë shtatin Flamuri Shqiptar, i cili nuk mund të shihet në asnjë pullaz të ndonjë shtëpie shqiptare në komunën e Ulqinit dhe jo vetëm  Ia rishfaqa interesimin  tim. Me atë thjeshtësinë e tij karakteristike e të veçantë u mundua të më bind që të mos shkruaj për të, si shumë herë  të tjera, duke më thënë  me buzëqeshje “   nuk ka çfarë të thuhet për mua, unë jam peshk i vogël në oqeanin e madh të çështjes  shqiptare”. Por këmbëngulja, argumentet dhe vendosmëria  ime  më në fund e theu.   Dhe, si  pa pritur e pa kuijtuar ashtu në bisedën e shtruar, spontane, të natyrshme, i drejtova disa pyetje të cilave iu përgjigj shkurt, më shumë kam bindjen  për të plotësuar  kërshërinë dhe dëshirën time.
Jeta familjare
Nga Kola mësova se ka patur një fëmijëri kryesisht të mirë për kohën. Prindërit, babai Ejlli dhe nëna Gjystja e kanë rritur me kujdes e dashuri, ashtu si edhe  fëmijët  e tjerë të trye.  E edukuan në frymën e dashurisë për kombin shqiptar, për  gjuhën shqipe, për vlerat universale njerëzore.  Familja  e tij  u largua nga Reçi, komuna e Ulqinit,   në Itali në vitin 1968, kur ai ishte adoleshent, 12 vjeçar, e më pas në Amerikë, në Nju-Jork.  Ditët e tij  të para në mërgim  ishin të  vështira, sikur  të  çdo mërgimtari  tjetër. Por me kalimin e kohës  arriti të integrohet   në  një shoqëri krejtësisht ndryshe  nga ajo që  e jetuan prindërit e tij. Në fillim punoi punë të ndryshme. Më  pas  iu qas biznesit familjar –  tregtisë së ushqimit, ndërsa më vonë  bleu disa banesa, veprimtari të cilën e vazhdon edhe sot.  Kola nuk vrapoi pas parasë për t’u bërë i pasur ekonomikisht. Por punoi  për të krijuar një mirëqenie   stabile ekonomike të familjes, gjë e cila nuk i ka munguar asnjëherë.  Pasanik, thotë Kola, është ai person që është i pasur shpirtërisht.
Mbarësinë në jetë, në punë e në shoqërinë amerikane Kolës  ia solli martesa fatlume me  Vera Çotaj nga fshati Shëngjergj në vitin 1979, bashkëshorte dhe nënë shembullore. . Një çift për t’ua patur lakmi Zoti ua fali   tri vajza të bukura dhe të shëndetshme: Engjulla ( tani avokate), Veronika (profesoreshë e gjuhës  angleze)  dhe Nikollën, (studente).

Dashuria për kombin  dhe kulturën shqiptare

Çifti Çotaj, Kola dhe Vera, i edukuan fëmijët e vet  në frymën e traditës familjare të të parëve, duke i ushqyer ata me ndjenjën e dashurisë për popullin  e vet, për gjuhën shqipe, për kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar. Nuk hezituan  t’i inkuadrojnë fëmijët  në aktivitetet kulturore  që  janë organizuar   në Nju-Jork. Pjesëmarrja e tyre  në   Festivalin folklorik të këngës, valles dhe melodisë shqiptare në Nju Jork, i cili vlerësohet si një ndër evenimentet më të mëdha kulturore që mbahet në diasporë, tregon se familja e Kolë Ejllit  të  Bregut të  Bunës është familje që e don dhe  din të respektojë  folklorin autentik kombëtar shqiptar, edhe në një largësi kaq larg  nga vendindja e tyre. “Festivali folklorik i këngës, valles dhe melodisë shqiptare në Nju – Jork, është një pasuri e madhe dhe një famë e madhe, për gjithë folklorin e bukur shqiptar. Pikërisht, ky manifestim i madh kulturoro-artistik na bënë  ne shqiptarëve  në Amerikë të dallohemi  nga popujt e tjerë këtu. Asgjë tjetër nuk mund të bashkojë njerëzit kaq shumë, ashtu siç i bashkojnë e i lidhin vallet tona dinamike, këngët e bukura dhe meloditë e ëmbëla të folklorit  blirant shqiptar nga të gjitha trojet etnike, nga Shqipëria, Kosova, Plava, Gucia,  Ulqini, Malësia, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Tetova, Gostivari, Struga, Kumanova, Dibra, Çamëria e tërë diaspora”, shprehet Kola.

Malli për atdhe

Kola  asnjëherë emocionalisht nuk është ndarë nga vendlindja e tij.
„Në  Reç  kam jetuar  12 vjet. kam dashuri e mall për fshatin e lindjes, për njerëzit  e këtij fshati, sepse janë punëtorë, të dashur, bujarë, besnikë, fisnikë, mikëpritës, mirënjohës dhe të etur  për dije e përparim“.
Kola pas ca vitesh në mërgim, në tokën amerikane, i kujton me shumë dashuri ditët e fëmijërisë,  jetën shkollore në  Shtoj të Ulqinit, shoqërimin me shokë dhe shoqe të shkollës dhe mësimdhënësit, për të cilët edhe sot ka konsideratë  jashtëzakonisht të madhe. Jo vetëm kaq, por financiarisht ka kontribuar në të gjitha  investimet  që nuk janë të pakta në vendlindjen e tij së bashku me familjarët dhe bashkëfshatarët  në Amerikë.

Veprimtar i çështjes kombëtare

Etja e tij për ta njohur gjeografinë e atdheut, historinë, ekonominë, gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare, ishte jashtëzakonisht e madhe.  Kjo e ka frymëzuar Kolën që  si jashtëpartiak  në Nju-Jork  të   veprojë  njësoj, si për çlirimin e Kosovës, poashtu edhe  për përmirësimin e  statusit të  shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të Kosovës Lindore.  Në kohën e lëvizjeve atdhetare, demostratave  gjithëpopullore  për Kosovën Republikë, atdhetari  Zagreda  së bashku me babanë  dhe  me patritotët e   tjerë të diasporës shqiptare  ishte në ball gjithmonë, duke përkrahur  kështu me dashuri dhe krenari  kërkesat atdhetare të demostruesve. Ishte I bindur se diaspora shqiptare në Amerikë  është   një zë i fuqishëm për çështjen e   ecjes përpara të kombit shqiptar në analet e kohës diplomatike, politike në institucionet e shtetit amerikan dhe më gjerë në botë. Këto ide nuk i  ka ndryshuar as sot dhe as nesër. Ai i ka dhënë besën vetes: “Deri  sa të jam i  gjallë, do të jam me shpirt e me zemër shqiptar”.

Ndjesia e humanizmit

Ndjesia e Kolës për të ndihmuar  shqiptarët  në nevojë dëshmohet  sidomos në periudhën e gjenocidit  serb në Kosovë, kur  qindra mijëra vëllezër kosovarë  ishin shpërndarë si zogjtë e korbit  nëpër shtete fqinje dhe kishin mbetur në mëshirën e fatit. Ky humanist  në ato vite të katastrofës shqiptare erdhi në Ulqin me të shoqen dhe babanë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve nga Kosova. Ata me paratë e tyre që I kishin fituar  me  shumë vështirësi,   arritën të strehojnë qindra familjarë – të pa strehë  nga Kosova, që kishin ikur nga plumbat e regjimit  të egër e barbarë millosheviqian. Kola nuk dëshiron të  flasë për shumën e të hollave që ua ka ndarë asokohe  nga buxheti I tij  nevojtarëve kosovarë  në Mal të Zi,  edhe pse ato kapnin shifrën e dhjetëra mijëve dollarë. Për  të e rëndësishme është se ia doli, bashkë me donatorët e tjerë shqiptarë bamirës nëpër botë, të zbusin sadopak atë plagë të rëndë që e mbanin nën shpatulla  dhe e ndjenin  thellë në zemër  të gjithë ata kosovarë që luftonin për jetë a vdekje pa kurrfarë faji, përveç se e  ëndërronin dhe e dëshironin një Kosovë të lirë e të pavarur. Ndihmesa e Kolës  për Kosovën është shumë më e madhe se kaq. Ai dhe familja e tij rregullisht kanë paguar edhe tre përqindëshin për çlirimin e Kosovës dhe  për këtë veprimtari humaniste janë të nderuar dhe të respektuar nga I gjithë populli I Kosovës dhe më gjerë.

Promotor i futbollit shqiptar

Kola përveç aktiviteteve  të çështjes shqiptare kontribuoi edhe në jetën sportive dhe promovimin e  futbollit shqiptar – ulqinak në Nju –Jork.  Ai në vitin 1977  themeloi Klubin Futbollistik “ Ulqini” me fanellat kuq e zi, në të cilin njëkohësisht ishte edhe pronar, trajner dhe lojtar.  Sipas fjalëve  të tij aktiviteti i këtij klubi, në radhët e të cilit iluajtën  shqiptarë nga të gjitha trevat  shqiptare, dy vite e gjysmë u paraqit në mënyrë të suksesshme  në Ligën italiano amerikane, ku garuan skuadra me kombësi të ndryshme të shtetit  të Nju-Jorkut. “Formimi i këtij klubi nuk ka qenë i rastësishëm. Shqipatrët e Nju-Jorkut kishin nevojë për  t’u treguar  sportdashësve të tjerë   në mërgim   se  posedojnë frymë sportive dhe se në veçanti  e duan futbollin”, pohon Kola.