Shënohet 20 vjetori i klubit të Taekwondo-së Besa (foto)

Tuz, Malësi – Me 7 gusht në QIK Malësia u shënua 20 vjetori i klubit të Taekwondo-së Besa, ku ishin të pranishëm përfaqësues të këtij sporti nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi dhe numër i madh i sportistëve dhe përkrahësve të sportit në Malësi.

Fjalën përshëndeste e mbajti kryetari i klubit Besa z Luigj Gojçaj i cili foli për historiatin e klubit duke ja filluar me themeluesit e klubit, të ndjerit Tomë Bojaj dhe Nikollë Gegaj të cilët para 20 viteve vunë themelet e këtij sporti, atëherë të panjohur në Malësi por edhe në rajon.  Ai foli për rrugën e gjatë të këtij klubi, për të arriturat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohej klubi, por i cili falë punës dhe suksesit të tij u bë një ndër klubet e njohura në krejt rajonin.

Më pas fjalën e mori mysafiri nga Tirana dr. prof. Përparim Perunaj, drejtori i Akademisë Olimpike Shqiptare i cili uroi klubin Besa për 20 vjetorin e ekzistencës dhe foli për bashkëpunimin e tij me klubin Besa që nga viti 1999, për shkëmbimin e eksperiencave dhe përgatitjet e përbashkëta që kishin vite me radhë me klubin Besa.

Mysafir i këtij përvjetori ishte edhe z Mirosllav Brezhan nga Kroacia, i cili është edhe themeluesi i klubit të parë në ex Jugosllavinë dhe drejtori i bordit të Federatës Evropiane të Taekwondos-së i cili foli për bashkëpunimin me klubi Besa dhe vlerësimet e tija të larta për klubin. Ai gjithashtu ishte aty si i dërguari i kryetarit të Federatës Evropiane të Taekwondo-së, i cili përcolli një dhuratë speciale të ETU-së për trajnerin Nikollë Gegaj.

Trajneri i klubit Olimpik Art nga Prishtina z Arsim Agushi ishte mysafiri i radhës i cili foli para të pranishmëve.
Ai mbasi uroj 20 vjetorin e klubit Besa, foli për hapjen e Taekwondo-së në Kosovë. Ai ceku se mbas luftës së 1999 kontaktin e parë që kishte Kosova me Taekwondo-në jashtë vendit ishte pikërisht Nikollë Gegaj dhe klubi Besa. Ai foli për vizitat e ndërsjellta dhe përkrahjen, e gjithashtu ceku dhe kontributin e Vera Berishaj.

Folësi i radhës ishte nënkryetari i Federatës Malazeze të Taekwondo-së, z Nikolla Rakovic i cili vlerësoi lartë punën e klubit Besa dhe kontributin e sajë në sportin e Taekwondo-së në Mal të Zi si njëri ndër klubet themeluese të Federatës Malazeze të Taekwondo-së.  Ai tha se klubi Besa ka për çka të jetë krenare.

Dhe në fund fjalën e pati mysafiri nga SHBA-të, mjeshter i Taekwondo-së dhe trajner i klubit nga Nju Jorku Black Eagle, z Aleks Selimaj. Ai foli për bashkëpunimin e tij me klubin Besa që nga koha kur as nuk u njiheshin personalisht. Selimaj theksoi se mjeshtrit e klubit Besa, kur gjendeshin në Nju Jork, gjithmonë e kishin derën e hapur në klubin e tij dhe vlerësoj lartë sportistët e Besës të cilën morën pjese me klubin e tij në gara të ndryshme në SHBA. Ai veçoi sportistët Pashko Dedvukaj, Leon Camaj, Robert Ivezaj dhe Nua Rukaj. Ai tha se mburrej me nivelin e sportistëve të klubit Besa.
Selimaj uroj klubin Besa të vazhdoj me suksese edhe në të ardhmen.

Mbas shfaqjes së një dokumentari të përgatitur për klubin Besa, organizatori ndau mirënjohje për sportistët e tyre më të dalluar,  veteraneve të dalluar, arbitrave, mysafirëve të nderit, sponsorëve, medies TV Boin, klubeve bashkëpunëtorë, komunës urbane, komitetit olimpik etj.
Pllaka e veçantë mirënjohje, postmortum, me emër të bashkëthemeluesit të klubit, të ndjerit Tomë Bojaj ju dorëzua të birit të tij Kolës.

Mbas ndarjes së mirënjohjeve për të gjithë të pranishmit ishte përgatitë një koktej. /Malesia.Org/


FOTOGRAFITË