Me nderime të larta u varros Arbër Xhaferri

Mijëra qytetarë, personalitete politike dhe publike si dhe diplomatë të huaj kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Arbër Xhaferrit në varrezat e Tetovës.

Vdekja e ish liderit të PDSH-së Arben Xhaferit ka shkaktuar heshtje të plotë në Tetovë. Para selisë së PDSH-së, ku ishte vendosur arkivoli me trupin e pajetë të ArbenXhaferit,ku janë bërë edhe homazhe,  ishin tubuar mijëra e mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha qytetet dhe viset tjera shqiptare. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe personalitete publike, politike dhe përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni.

Në kortezhin përcjellës ishin të pranishëm dhë kreu i PS, Edi Rama, deputeti socialist, Pandeli Majko, kreu i LSI, Ilir Meta, kreu i Vetvendosja, Albin Kurti, Behgjet Pacollit i AKR, kryetari i BDK Hysni Shaqiri,etj.

Në ora 13.30, në heshtje të plotë, shoqëruar me kurora lulesh duke filluar nga ajo e familjes së ngushte, institucioneve, partive dhe degëve të PDSH-se si dhe të pranishmëve të tjerë u nxorr në duart e krerëve të PDSH-se arkivoli i Arben Xhaferit, që u vendos në veturën funerale dhe u nisën drejt banesës së tij të fundit në varrezat e qytetit të Tetovës. Mijëra e mijëra qytetarë formuan kortezhin të  cilit i printe vetë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi.

Kush është Arbën Xhaferi

Arbën Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Ka vazhduar studimet në degën e Filozofisë në Beograd ku ka mbaruar me sukses.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punon në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviçit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen “Koha” me editor Veton Surroin, në “Forum” që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë.

Do të vijë viti 1993 kur Arbën Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan. Në vitin 1994 zgjidhet kryetar partie.

PDSH e udhëhequr nga Xhaferi arriti të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Erdhi në pushtet me një strategji krejtësisht te re. Xhaferi njihet si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundrejt shqiptarëve, por dhe si mjet që mund të ishte efikas kundër ndarjeve territoriale që sot e kësaj dite i kanosen Maqedonisë.

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Xhaferi investohet tek faktori ndërkombëtar që motivet e luftës të mos kërkohen atje ku nuk ekzistonin, pra në Kosovë apo te animet gjenetike të shqiptarëve për rebelim, ashtu siç pretendonin faktorët maqedonas, por te koncepti i shtetit i cili nuk përputhej me realitetin.

Qasja e Xhaferit në atë kohë turbullirash u përkrah më në fund nga faktori ndërkombëtar, duke bërë të mundur legjitimimin e luftës së shqiptarëve, duke nisur kështu maratona e Ohrit, që përfundoi me një marrëveshje për ndërrimin e konceptit etnocentrik të shtetit.

Në zgjedhjet e 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kalon në opozitë. Ai mbajti postin e kryetarit të partisë deri në vitin 2007, kur u zëvendësua nga Menduh Thaçi. /INA/

Mesazh ngushëllimi – KËSHILLI NACIONAL I SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI

E nderuara familje Xhaferi,

Me  pikëllim dhe dhimbje të thellë, morëm lajmin për  ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur,udhëheqësit e liderit politik të shqiptarëve në Maqedoni,patriotit dhe politikanit të urtë e largëpamës të mbarë kombit  shqiptarë.

Ndarja nga jeta e Arbënit   tuaj të dashur, është  një humbje e madhe, për  Ju  si familje në radhë të parë, për  politikën shqiptare në Maqedoni, elitën politike e intelektuale  shqiptare  dhe kombin shqiptarë në përgjithësi.

Arbën  Xhaferi, ishte dhe do të mbetet shembull i një politikani e intelektuali me ideale të larta kombëtare, i cili tërë qenien, energjinë  dhe kapacitetin  e vet intelektual  e vuri në shërbim të mbrojtjes  së  interesave të shqiptarëve në Maqedoni  dhe  çështjes  kombëtare  në tërësi.

Duke ndarë me Ju, këtë  pikëllim   të  madh ,  në emër të Këshillit Nacional të  Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta e vëllazërore.

Me respekt dhe dhimbje,

KRYETARI ,
Tahir Tahiri