Vështirë e ka kultura dhe arsimi shqip në Mal të Zi
Në ambientet e Asamblesë Komunale të Pejës është organizuar nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë –Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” dhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi promovimi i librit “Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi “ e autorit Flamur Anamali. Çështja e shtjelluar lehtë dhe me plot argumente në këtë vepër ka bërë që të kishte interesim të madh për pjesëmarrje në këtë promovim. Ishin aty përfaqësues të pushtetit lokal, të subjekteve politike, të forumeve intelektualësh, poetë dhe përfaqësues të konfesioneve fetare. Në hapje të këtij Manifestimi letrat gazetari i malësia.org nga Kosova, Rrahman Jasharaj , ka përshëndetur mysafirët e nderuar nga Ulqini dhe gjithë të pranishmit. Ai ka lavdëruar punën e Anamalit dhe ka deklaruar se tani e tutje Shoqata “Martin Dreshaj”, por edhe gjithë të tjerët që duan të jenë zë i vëllezërve të tyre në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi e kanë një vepër analitike me qindra argumente që flasin se sa vështirë e kanë kultura dhe arsimi shqip atje, që cenohen çdo ditë nga pushteti në Podgoricë.
Profesori , veprimtari e publicisti Valdet Hyseni ,duke qenë njohës i mirë i rrethanave në kulturën dhe arsimin shqip kudo në trojet etnike ka paraqitur një kumtesë analitike për veprën e Flamur Anamalit që po promovohej në Pejë. Ai ka përgëzuar Anamalin për punën e përkushtuar dhe ka thënë se është për keqardhje se si në kohën kur Mali i Zi pretendon të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar e demokratike bën gjithë këto shkelje në liritë elementare të shqiptarëve atje duke ua mohuar të drejtat elementare e duke mos ua bërë të mundur që të mësojnë për kulturën e historinë kombëtare, po ua servon tekstet e përkthyera keq e që flasin për historitë e kulturat e të tjerëve. “Kjo vepër e punuar me përkushtim tregon se Flamuri ende po valon dhe se duhet të lexohet nga të gjithë njerëzit kudo janë e veçmas nga zyrtarë institucionesh me qëllim që të kuptohet e vërteta dhe që në takime zyrtare t’i thuhet Podgoricës se ajo duhet të ndryshojë shumë gjëra dhe qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve atje dhe kulturës e arsimit të tyre”, është shprehur Hysenaj. Kumtesa e prof. Hysenajt ka zgjuar interesim mes pjesëmarrësve, të cilët pastaj kanë marrë pjesë në debat duke e ngjallur atmosferën në ambientet e Asamblesë Komunale.
Redaktori i librit që po promovohej , dr. Nail Draga, ka bërë një pasqyrim të angazhimeve të bëra me qëllim të daljes në dritë të kësaj vepre dhe ka uruar që ajo të përkthehet edhe në gjuhën angleze për t’i dhënë mundësi edhe popujve tjerë ta lexojnë e vërejnë fatin e arsimit e kulturës shqipe në Mal të Zi. Dragaj ka thënë se libri duhet botuar edhe në gjuhën malazeze që ta lexojnë edhe zyrtarët në Podgoricë e të vërejnë gjithë ato fakte për qasjen e gabuar që bëjnë vetë ata ndaj arsimit e kulturës shqiptare në shkollat fillore në gjuhën shqipe atje. Edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Tahir Tahiri, ka shtruar shumë çështje lidhur me të drejta e munguara e të mohuara të shqiptarëve në Mal të Zi. Ai është shprehur mirënjohës ndaj Shoqatës “Martin Dreshajt” dhe ka shprehur gatishmërinë se me këtë Shoqatë do të vazhdojë bashkëpunimi në shumë sfera.
Kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj”, z. Ukshin Jashari, ka përgëzuar autorin për punën dhe përkushtimin dhe ka premtuar se në të gjitha takimet me Organizata, subjekte e institucione vendore e ndërkombëtare do u prezantojnë librin dhe argumentet në të për të kërkuar që ata ta ngrisin zërin kundër gjithë këtyre padrejtësive që Podgorica ua bën shqiptarëve që jetojnë atje e në trojet e tyre etnike e stërgjyshore. Pedagogu Sefedin Përgjegjaj ka sjellë këtu kujtesën nga vitet e vrara të Kosovës kur pushtuesi serb po shfrynte gjithë mllefin ndaj fëmijëve, shkollës, arsimit dhe kulturës shqipe në shkollën që ai drejtonte atëherë, por edhe në gjithë institucionet e arsimit e kulturës në Kosovë. Ai është shprehur i sigurt se kultura e arsimi shqip në trojet etnike shqiptare , pra edhe në Ulqin, Hot, Grudë, Kojë Triesh e vende tjera do iu mbijetoj furtunave sepse ruhet në zemrat e pastra të fëmijëve shqiptar atje.
Poeti, veprimtari e luftëtari i lirisë, Ali Geci, ka përgëzuar Anamalin për angazhimet dhe veprën e botuar duke shtuar se është mirë tani kur shqiptarët nuk po vazhdojnë avazin e vjetër e të heshturit, por gjërat po i vënë në letër dhe ato i shërbejnë të sotmes, por edhe gjeneratave që vijnë.
Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame dhe veprimtari i dalluar i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Mulla Sadi Zeka, ka përshëndetur këtë takim vëllazëror dhe ka përgëzuar aktivitetet e tilla të përbashkëta, kurse Flamurin e ka uruar duke e këshilluar që të vazhdojë të valojë e të punojë në shërbim të kombit dhe arsimit shqip.
Autori i librit “Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi “ , z. Flamur Anamali ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar organizatorët për punën e bërë. Ai ka thënë se ndjehet shumë i emocionuar me pritjen dhe me atmosferën vëllazërore këtu. Ai për përmbajtjen e librit ka folë para mediave në një takim me ta. Atmosferë të ngrohtë në këtë takim kanë krijuar edhe nxënësit e shkollës “Xhemajl Kada”, të udhëhequr nga arsimtarët Haxhi Gashi e Sute Bruqaj, të cilët për këtë takim artistik kishin përgatitur një paraqitje të bukur skenike me vargje të poetit e pedagogut Agim Desku.
Rrahman Jasharaj, gazetar nga Kosova i Malesia.org
I pershendesim te gjithe pjesemarresit ne kete promovim.Pjesemarrja e tyre e nderoje shoqaten tone dhe autorin e librit e promovimit ia shtuan madheshtin,e posaqerisht e pershendesim Artin dhe Bleonen anetare me te rinje dhe me te sukseshem te ansamblit folklorik “Haxhi zeka” Peje qe me kostume kombetare dhe me flamur kombetare e nderuan Promovimin e librit ,pra edhe nje here faliminderit per Artin dhe Bleona Lekaj.
Me sa di I nderuari Flamur eshte me te vertete nje studiues i vertete se ky djalosh vjen nga mergata prandaj e pergezoj per punen e tij .Prandaj ky e meriton nji titull tjeter jo doktor jo magjister se e nencmon sepse ata tituj ne trojet shqiptare nuk kan kurrfare vlere ,prandaj i nderuari Flamur te pergezoj per punentende te palodhshme