Përfaqësuesja e Shqipërisë ka shënuar fitore minimale, por mjaft të rëndësishme kundër Sllovenisë, në rrugëtimin për Kampionatin Botëror 2014.
Kuqezinjtë zhvilluan një gjysmë të parë të mirë duke kontrolluar topin dhe duke menaxhuar ndeshjen.
Pas disa aksioneve, loja e mirë e kombëtares shqiptare u konkretizua me gol në minutën e 36-të.
Një harkim i mirë nga e majta e Vilës, kaloi mbi Sadikun, por ishte fiks për Roshin, i cili e mposhti në kërcim markuesin e tij dhe portierin Handanovic për të shënuar golin e avantazhit.
Ekipi vendas vazhdoi të luante mirë edhe në fraksionin e dytë, ndërkohë që me raste sllovenët përpiqeshin që të ndëshkonin.
Shqiptarët nuk lejuan që t’u ikte loja nga dora deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, ashtu që arkëtuan pikë të plota nga ky takim.
Pas katër xhirosh, Shqipëria numëron gjashtë pikë në Grupin E dhe gjendet katër pikë prapa pozitës së parë të cilën e mban Zvicra. /Telegrafi/