(E plotësuar) Tre tifozë të tjerë serbë janë sulmuar në mbrëmjen e të martës nga një grup personash të panjohur, me ç’rast njëri prej tyre është therur me thikë.
Sipas AP, të plagosurit menjëherë janë dërguar në një spital në Shkup, por plagët e tyre nuk janë konsideruar të rrezikshme për jetën, ndërkohë që bëhet e ditur se policia është vënë në kërkim të autorëve të këtij sulmi.
Lidhur me këtë incident, mediat serbe kanë raportuar se bëhet fjalë për një sulm të ndërmarrë nga shqiptarët ndaj tifozëve serbë.
Nga ana tjetër, INA njofton edhe për një incident tjetër, ku tifozët serbë në sheshin “Maqedonia” kanë sulmuar me shishe birrash një grup të rinjsh maqedonas që mbanin flamurin e Maqedonisë. Por, ndërhyrja e policisë ka bërë që të evitohet përleshja midis këtyre grupeve të tifozëve. /Telegrafi/
Provokimet antishqiptare u kushtojnë me rrahje serbëve
Një grup huliganësh serbë janë rrahur ditën e martë pas një përleshjeje me ultrasit shqiptarë.
Incidenti ka ndodhur në afërsi të Çarshisë së Vjetër dhe qendrës tregtare “Mavrovasja” dhe ai është nxitur nga huliganët serbe, të cilët kanë provokuar kalimtarët e rastit me flamuj serbe dhe thirrje antishqiptare.
Një grup të rinjsh shqiptarë menjëherë kanë reaguar kundër këtij grupi të tifozëve, me ç`rast kanë pësuar tifozët serbë.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se dy personat e rrahur në incidentin që ndodhi në mesditë janë serbë nga Podgorica e Malit të Zi.
Ata kanë ardhur në Shkup për të ndjekur ndeshjen e futbollit midis Maqedonisë dhe Serbisë.
Të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Qytetit dhe më pas janë lënë të lirë. Dy tifozët menjëherë i janë bashkëngjitur grupit të tifozëve të tjerë në sheshin qendror të Shkupit, ku janë tubuar dhjetëra tifozë të tjerë me flamuj serbë. /Telegrafi/
Shqiptarët mposhtin serbët (Video)
Maqedonia ka shënuar fitore prej 1-0 ndaj Serbisë në takimin e vlefshëm kualifikues për Grupin A.
Serbët nuk e kanë përjetuar aspak mirë udhëtimin e tyre në Shkup. Tifozët nga Serbia ditë më parë paralajmëruan se do t’i sulmonin shqiptarët, mirëpo ishin pikërisht ata që pësuan rrahje para fillimit të ndeshjes.
Për t’u bërë edhe më keq, përfaqësuesja e tyre u mposht. Ndërsa për t’ua bërë ditën e zezë golin e vetëm në ndeshje e shënoi një shqiptar, Agim Ibraimi nga penaltia (59’). Edhe penaltinë e nxori një shqiptar, Ferhan Hasani.
Kjo është hera e parë në histori që përfaqësuesja e Maqedonisë shënon fitore ndaj rivalit serb. /Telegrafi/