Protesta e detyron ministrin serb të hyjë nga dera e pasme në Ministrinë e Jashtme Shqiptare

Aleanca KuqeZi priti me protesta ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivan Mrkiç para dhe gjatë takimit me homologun tij shqiptarë Edmond Panariti. Aleanca Kuq e Zi shpalosi para derës kryesore të MPJ banderola që mbanin sloganet: “Kosova është Shqipëri” dhe “O tradhtar, mos bëj Pazar”, duke iu referuar shtetasit Sali Berisha I cili do të takohet gjithashtu me Ivan Mrkiç.

Për më shumë se 60 minuta aktivistë të Aleancës KuqeZi protestuar me thirrje dhe bilbila me qëllim që takimi i dy ministrave të jashtëm të mos zhvillohej normalisht. Për të dytën ditë me radhë aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë protestuar kundër vizitës së ministrit të jashtëm të Serbisë në Shqipëri, i cili pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza” devijoi nga rruga kryesore e aeroportit si dhe gjatë mbërritjes në Ministrinë e Jashtme gjatë ditës së martë nuk përdori hyrjen kryesore, por atë anësore duke shmangur përballjen me aktivistët e Aleancës KuqeZi.

Ndërkohë pranë Ministrisë së Jashtme, Sekretarja për Çështjet Kombëtare, Margarita Kola, ka deklaruar se “AK po proteston përpara institucionit që supozohet të bëjë politikën e jashtme për ftesat zyrtare të këtij dikasteri për zyrtarë të lartë të Serbisë, të cilët janë të lidhur në të kaluarën kriminale të Sllobodan Milosheviçit”.

“Aleanca KuqeZi i kërkon qeverisë shqiptarë që sot dhe gjithmonë të kushtëzojë marrëdhënien me Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, të kushtëzojë marrëdhënien me Serbinë me ndalimin e dhunës në veri, të kushtëzojë marrëdhënien me Serbinë me respektimin e të drejtave themelore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, deklaroi Kola.

“Në emër të çdo shqiptari kudo që ndodhet, Aleanca KuqeZi kërkon transparencë maksimale në lidhje me bisedimet që do të kryhen mes dy ministrave të jashtëm si një detyrim ligjor dhe moral i çdo qeverie, kryeministri dhe shtetari kundrejt kombit të tij, par harruar asnjëherë se “të gjithë shqiptarët janë një dhe Kosova është Shqipëri”,” theksoi Kola.

Aleanca KuqeZi ka deklaruar se “do të vijojë të protestojë kundër çdo vizite të zyrtarëve të lartë serb, të cilët janë të lidhur me gjenocidin ndaj motrave dhe vëllezërve shqiptarë në trojet etnike shqiptare”.

Mësohet se Mrkiç nuk ka ardhur me një ftesë zyrtare të tij në Shqipëri. Shqiptarja.com shkruan se ai i ka shprehur dëshirën kryediplomatit tonë, Edmond Panariti, për të vizituar Shqipërinë. Gjithçka ndodhi kur ata ishin në SHBA, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Por kanë qenë disa intelokutorë që kanë organizuar këtë vizitë, që ka mbetur në kuadrin e mistereve. Dje kryediplomati serb ka takuar disa persona, që thonë se janë pjesë e minoritetit serb në Shqipëri.

Mrkic nuk pranon gjenocidin: T’ua lëmë historianëve

Kreu i diplomacisë serbe, Ivan Mrkic pas takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti, në një konferencë për media nuk pranoi të ketë ndodhur gjenocid ndaj shqiptarëve. Por ndonëse kjo situatë duhet të vinte në vështirësi ministrin serb, ishte Panariti që kërkoi mbylljen e konferencës sa më shpejt me argumentin se, “kemi agjendë të ngjeshur”.

Dy ministrat e jashtëm, ai i Shqipërisë dhe i Serbisë pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp, raporton “Shekulli”.

Panariti i konsideroi problemet mes Serbisë dhe Kosovës, si probleme të dy shteteve sovrane. Sipas tij, në fund të dialogut Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovë, duke e konsideruar këtë hap si shkëputje nga e kaluara e gjenocidit.

“Çështjet e Kosovë dhe Serbisë i konsiderojmë si çështje të dy vendeve sovrane”, tha Panariti.

“Në përfundim të procesit të dialogut, ne do të mirëpresim njohjen e Kosovës nga Serbia. Kjo do të ishte një vullnet i shkëputjes nga e kaluara e dhunës, e represionit dhe gjenocidit nga regjimi i Miloshevicit”, shtoi ai.

Homologu i tij serb, nuk shprehu pendesë për të kaluarën, por tha që t’i lihet në dorë historisë të gjykojë nëse ajo që ka ndodhur ka qenë apo jo gjenocid.

“Jam shumë i tensionuar kur përmendet fjala gjenocid. T’i referohemi sa më pak. T’ua lëmë historianëve këtë, kurse ne si qeveri dhe politikanë të vëmë në plan të parë gjithçka që na takon dhe të mos lëmë që të përsëriten gjerat”, u shpreh Mrkic.

Ministri serb gjithashtu pranoi se kishte pasur takime me përfaqësues të minoritetit serb në Shqipëri, kurse për minoritetin shqiptar në Serbi, Panariti u mjaftua me fjalët se, “kemi kërkuar që të ndalet dhuna ndaj tyre”. /Tema/

 

3 Comments

  1. Serbet nuk kan vend ne tokat Shqiptare te cilat i kan la me gjakun e vllezerve dhe motrave tona me shekuj.
    Bravo Aleances Kuq e zi.Ashtu duhet mej nderuar gjakpirsat e ballkanit.Pse shteti Shqiptar esht kaq i dashur me keta zagar te poshter ?
    Sala ka miqsi te madhe me serb malazez dhe boshnjak,pse,pse ???

    Zoti jau tretet faren e tyre !!

  2. Vec kur ka than “na serbet dim cka asht gjenocidi sepse e kem perjetua ne lekuren tone” ….

Comments are closed.