Djukanovic: Afër marrëveshja me partitë e pakicave

Milo Djukanovic, kryetari i DPS, deklaroi se është afër marrëveshja me përfaqësuesit e partive të pakicave dhe se së shpejti pritet formimi i shumicës parlamentare. Ai deklaroi se komunikimi konstruktiv me partitë e pakicave ka ekzistuar edhe para zgjedhjeve dhe po vazhdon pas zgjedhjeve.
Djukanovic nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit në funksione të larta shtetërore, që sipas gjasave fjala ishte për postin e kryeministrit.

Nënkryetari i parlamentit Rifat Rastoder deklaroi se hyrja e mundshme e Partisë boshnjake në pushtet është lajm pozitiv dhe se është e natyrshme që partitë nacionale të popujve pakicë të formojnë qeverinë me koalicionin Mali i Zi Evropian – Milo Djukanovic, dhe të kërkojnë poste për afirmim.

Duke komentuar paralajmërimet se partitë nacionale do të kërkojnë vendin e nënkryetarit të parlamentit , Rastoder theksoi se për këtë do të bisedohet por është krejtësisht e natyrshme se u nevojiten disa vende për afirmim. /Malesia.Org/