*Përktheu: Blerta Hyska
O.P Latas, Le Courrier des Balkans
Ai u bë Kryeministër më 15 shkurt 1991, ditën që mbushi 29 vjeç. Përkrahës i Milosevic, ai “mbështeti” trupat malazezë të angazhuar në frontin e Dubrovnikut, më pas i prishi marrëdhëniet me mentorin e tij serb dhe e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë dhe integrimit europian. I konsideruar si një nga politikanët më të pasur të botës, Milo Djukanovic vazhdon të jetë “gospodar”, zoti i gjithëpushtetshëm i Malit të Zi.
Milo Djukanovic ishte beniamini i “brezit”, por bashkë me sllovenin Milan Kucan, është i mbijetuari i fundit i brezit të udhëheqësve politikë të shpërbërjes së Jugosllavisë, pas vdekjes së Slobodan Milosevic, Alija Izetbegovic, Franjo Tudjman dhe Kiro Gligorovit.
Lindi në Nikshic në vitin 1961, e zbuloi politikën në bankat e gjimnazit duke u angazhuar në radhët e rinisë socialiste. U lidh shumë shpejt me kuadro që kishin më shumë përvojë në Ligën e komunistëve malazezë: Momir Bulatovic dhe Svetozar Marovic. Kjo treshe drejtoi “revolucionin antiburokratik” të janarit 1989, një puç i vërtetë që përfundoi me largimin e drejtuesve të vjetër të Ligës.
Drejtuesit e rinj, besnikë të Slobodan Milosevic, e futën Malin e Zi në politikën nacionaliste dhe luftarake të Beogradit. Ndërsa Milo Djukanovic u bë kryeministër i republikës së vogël të federuar në shkurt 1991, ishin ushtarët malazezë që sulmuan qytetin e Dubrovnikut vjeshtën që erdhi më pas. Milo Djukanovic inkurajoi trupat në front, u bëri thirrje për të luftuar ustashët.
Shkëputja e vitit 1997
Pas Marrëveshjes së Dejtonit (nëntor 1995) që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë, Milo Djukanovic e kuptoi në kohën e duhur se historia do të ndërronte drejtim. Ai e shtyu Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), trashëgimtare e ish-Lidhjes së Komunistëve, të distancohej gradualisht nga Beogradi. Kjo linjë e re politike shkaktoi shkëputjen, e cila u vulos përfundimisht në vitin 1997. I gjendur në minorancë, Momir Bulatovic krijoi një parti të re, Partinë Socialiste Popullore (SNP), ndërsa Milo Djukanovic, Svetozar Marovic, Filip Vujanovic dhe Milica Pejanovic–Durisic ruajtën kontrollin e aparatit të DPS.
Më 5 tetor 1997, Milo Djukanovic u zgjodh President i Republikës, duke mundur në një betejë të ashpër Momir Bulatovic. Fitorja e ekipit të ri u konfirmua edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1998.
Ndërsa Kosova po shkonte me shpejtësi drejt luftës, drejtuesit malazezë ruajtën një linjë ekuilibri të rafinuar. Vendi priti refugjatë shqiptarë, por kjo nuk e mbrojti nga bombardimet e NATO-s në pranverë 1999. Milo Djukanovic kërkoi ndalimin e bombardimeve, duke treguar në të njëjtën kohë vijën e tij “pro perëndimore”. Për më tepër, paraja ndërkombëtare rrodhi lumë: Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ndihmuan në trajnimin e policisë malazeze, e cila u kthye në një armë të vërtetë në përballjen me Beogradin, duke u bërë në të njëjtën kohë garda pretoriane e Milo Djukanovic dhe baza e kontrollit të tij mbi shoqërinë malazeze.
Drejt pavarësisë
Milo Djukanovic, i mësuar vetëm me suksese, pësoi një “dalje nga rruga” më 5 tetor 2000, kur fitoi opozita demokratike serbe (në Serbi), të cilën ai e kishte mbështetur dhe financuar. Nga sot-nesër, perëndimorët u entuziazmuan nga “Serbia e re demokratike”, duke harruar Malin e Zi dhe pretendimet e tij autonomiste, tashmë të perceptuara si “anakronike”.
Ky ndryshim qëndrimi nuk ishte vetëm me fjalë, sepse shumë shpejt u ndërprenë kreditë që vërshonin deri atëherë në Malin e Zi, duke e vendosur vendin në një situatë shumë të vështirë. Opozita “unioniste” gjeti një figurë të re reference në Beograd, Vojislav Koshtunica, më “i paraqitshëm” se Slobodan Milosevic.
Gjatë zgjedhjeve të prillit 2001, DPS për pak humbi pushtetin në përfitim të SNP: asnjëherë Mali i Zi nuk kishte qenë kaq afër alternancës.
DPS duhet të zgjerohet për të mbijetuar: ajo u hap ndaj Partisë Social–Demokratike (SDP) madje bëri edhe një aleancë jetëshkurtër me Aleancën Liberale të Malit të Zi (LSCG), e cila kishte si qëllim formimin e një “blloku malazez” të bashkuar përballë partive pro-Beograd. Sidomos, DPS e radikalizon gjithnjë e më shumë ligjërimin e saj për sovranitet, duke premtuar një referendum që do të mbahet më 22 maj 2006, sipas rregullave ad hoc të diktuara nga Bashkimi Europian. Është koha e duhur që Milo Djukanovic të paraqitet si “babai i pavarësisë”.
Klani i Europës
“Etapa” vijuese e itinerarit të tij është natyrisht futja e Malit të Zi në rrugën e integrimit europian, por në lidhje me këtë pikë, Milo Djukanovic ndoshta nuk është personi më i përshtatshëm.
Europianët mendojnë se drejtuesi i “vjetër”, tashmë 50 vjeç, duhet të lirojë vendin, por sidomos, mendojnë se emri i Milo Djukanovic është shumë i lidhur me trafiqet – që prej viteve të sanksioneve dhe embargos dhe deri tek trafiqet aktuale të drogës. Në fund të vitit 2010, ata kërkuan tërheqjen e tij shumë relative nga jeta politike, për t’i dhënë Malit të Zi statusin e vendit kandidat.
Kryeministër u bë i riu Igor Luksic, por Milo Djukanovic ruajti presidencën e DPS dhe qëndroi “gospodar”, zoti i gjithëpushtetshëm i vendit, duke u marrë në të njëjtën kohë me menaxhimin e bizneseve të tij. Kthimi i tij në krye të listës së “Për një Mal të Zi europian” bëri që disa në Bruksel të kërcasin dhëmbët…
Në të njëjtën kohë, klani ka pësuar disa të çara, me luftën e hapur që kundërvuri Milo Djukanovic me “zotin e Budvës”, Svetozar Marovic. Megjithatë, hapësira për të vepruar e këtij të fundit është shumë e kufizuar: Mali i Zi ka vetëm një “gospodar”, vetëm një zot, dhe Milo Djukanovic bën pjesë në rrethin shumë të ngushtë të 20 drejtuesve politikë më të pasur të botës…