Zgjedhjet parlamentare, të 9-tat me radhë, në Malin e Zi, të cilat u mbajtën më 14 tetor 2012, në mes të tjerave, dëshmuan, vërtetuan e provuan, nxorën në shesh qartë diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve, për atë që LD në MZ në vazhdimësi tërhoqi vërejtjen dhe e ngriti zërin në opinionin demokratik brenda dhe jashtë vendit, te shteti amë Shqipëria e diplomacia evropiane e SHBA, duke kërkuar përkrahje që të parandalohej vazhdimësia diskriminuese, tash edhe në sistemin legjislativ zgjedhor.
Aprovimi i Ligjit Zgjedhor, diskriminues për shqiptarët, më preciz, të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, në mbledhjen e seancës së parë të jashtëzakonshme në vitin 2011, në fillim të shtatorit 2011, nga shumica parlamentare malazeze serbe pravosllave, pa përfaqësuesit legjitim shqiptarë, madje pa i konsultua fare, trasoi qartë, haptazi e paturpësisht rrugën e aktin diskriminues ndaj shqiptarëve, të cilin diskriminim e vërejtën edhe vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje dhe pohuan me plot gojën se ky Ligj duhet ndryshuar.
Grabitja e mandatit të deputetit UDSH-së, vërtetoi kulmin e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve sot në Malin e Zi me anë të legjislacionit diskriminues, të aprovuar nga makineria antishqiptare. Fatkeqësisht, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në këtë drejtim ndihmuan edhe ca shqiptarë boshtkurrizorë të përkulur e interesxhinj dhe tregtarë të votave shqiptare.
Nga kjo ramje dhe nga kjo e keqe, shqiptarët duhet të nxjerrin MËSIMET E DUHURA për të parandaluar katandisjen e pakthim. Së pari, ngritjen e vetëdijsimit politik, kombëtar e demokratik, organizimin e mirëfilltë politik kombëtar, bashkëveprimin për interesin e përbashkët madhor kombëtar dhe vendosmërinë që shitblerësve matrapazë t’ju tregohet vendi i merituar, në vendgrumbullimin e mbetjeve, qofshin atyre të vjetra apo atyre të porsandërtuara, thuhet në kumtesën për opinion të LD në MZ. /Malesia.Org/