SHBA: Shifra e të vdekurve arrin në 45, pritet rihapja e bursës (video)

Numri i të vdekurve nga stuhia Sandy, e cila goditi të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka arritur në të paktën 45 njerëz, ndërsa rreth 8 milionë shtëpi dhe biznese vazhdojnë të jenë pa rrymë.

Të paktën 18 prej të vdekurve raportohet të jenë nga Nju Jorku, një prej qyteteve të goditura më rëndë nga stuhia Sandy.

Linjat e metrove në qytetin e Nju Jorkut vazhdojnë të jenë jo funksionale, përderisa shumë aeroporte, linja hekurudhore, rrugë dhe porte mbesin të mbyllura, në rajonet e prekura nga stuhia.

Zyrtarët thonë se bursa e Nju Jorkut dhe Aeroporti Ndërkombëtar John F.Kennedy në Nju Jork pritet të hapen gjatë ditës së sotme, pasi qëndruan të mbyllura për dy ditë radhazi.

Presidenti amerikan, Barack Obama, i cili e ka shtyrë fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale, pritet t’i vizitojë sot të mbijetuarit e stuhisë në Nju Xhërsi.

Guvernatori Chris Christie tha se do të kalojnë 7 deri në 10 ditë deri në rregullimin e plotë dhe rikthimin e energjisë elektike përgjatë Nju Xhërsit. Ai i përshkruajti dëmet e shtëpive të bizneseve në bregun e Nju Xhërsit si të papërshkrueshme.

Chrisite është kritik i ashpër i Obamës dhe përkrahës i kandidatit të Partisë Republikane për president, Mitt Romney. Gjatë një vizite që u bëri komuniteteve të dëmtuara në bregun e Xhërsit, Christie kishte lëvdatat për reagimet e Obamës ndaj kësaj tragjedie.

Unë sapo isha në telefon sërish me presidentin dhe ai duket se është i vendosur. Ai e di se Nju Xhërsi është një prej vendeve më të dëmtuara nga stuhia dhe është i vendosur që të punojë me ne, për të siguruar ndërtimin e gjërave që duhet rindërtuar dhe unë jam mirënjohës për partneritetin e tij”, ka thënë Christie.

Më herët Obama i shpalli Nju Jorkun dhe Nju Xhërsin zona të fatkeqësive të mëdha. Kjo masë nënkupton se miliarda dollarë tani më janë në dispozicion në fondet federale për shpëtim dhe rindërtim.

Duke folur para gazetarëve, Obama tha se ai është duke u bërë presion përgjegjësve të fondeve federale emergjente që të bëjnë gjithçka që është e mundur për tu ndihmuar komuniteteve të prekura nga stuhia.

Udhëzimet e mija për agjencinë federale kanë qenë se ne duhet të kuptojnë se duhet të bëjmë dicka. Dua që ta tejkaloni burkoracinë. Nuk ka asnjë arsyetim për mosveprim në këtë pikë. Kërkoj nga çdo agjencion që të shkojë përpara dhe të sigurojë se jemi duke i shfrytëzuar burimet që duhen”, ka thënë ndër të tjera Obama.

Nga ana tjetër, kryetari i Nju Jorkut, Michael Bloomberg tha se duhen tri ditë kohë për rikthimin e rrymës në qytetin e Nju Jorkut dhe pesë ditë kohë deri në funksionalizimin e sistemit të metrosë.

Kjo ishte një stuhi shkatërruese, ndoshta më e keqja që e kemi përjetuar ndonjëherë. Përgjigja jonë e parë ishte angazhimi heroik në mbrojtjen e qytetit tonë dhe shpëtimin e jetëve. Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që po vazhdojnë të angazhohen në këtë drejtim”, ka thënë Bloomberg.

Përpara se të godiste Bregun Lindor të SHBA-së, stuhia Sandy kishte lënë 70 të vdekur në Kraibe, duke e ngritur në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të vdekjeve në mbi 110 njerëz. /REL/

“Sandy”, dëmet mund të arrijnë në 100 miliardë dollarë

Vlerësimet fillestare të dëmeve të shkaktuara nga Uragani “Sandy” mund të jenë 20 miliardë dollarë, vlerëson kompania e parashikimeve të dëmeve, “Eqecat”. Disa ekonomistë thonë se ato mund të arrijnë në 100 miliardë. Ndërsa, revista “Time”, duke cituar profesorin Peter Morice, niset nga mesatarja e këtyre dy ekstremeve. Sipas tij, dëmet mund kapin vlerën prej 45 miliardë dollarëve amerikanë.

“Sandy” deri tash ka marrë jetët e 17 personave, ndërsa ka lënë pa rrymë afro shtatë milionë njerëz. Portet detare në lindje janë të mbyllura, ndërsa 50 shtëpi në New York janë rrafshuar për toke. Po ashtu, është shkatërruar penda në New Jersey, është fundosur pjesa më e madhe e Atlantic City, si dhe shëtitorja e famshme e saj. Miliona njerëz e kanë pritur mëngjesin me shtëpi të përmbytura e të dëmtuara.

“Eqecat” ka deklaruar se dëmet nga pronat e siguruara mund të sillen prej 5-10 miliardë dollarë, ndërsa dëmi i plotë ekonomik prej 10-20 miliardë dollarë.

“Sandy është një stuhi e madhe që ka goditur 20 për qind të popullsisë amerikane”, thuhet në deklaratën e presidentit të kompanisë, Tom Larsen.

Vlerësimet fillestare të dëmeve të shkaktuara nga uragani “Irene” kanë shkuar në shtatë miliardë dollarë, por dëmi përfundimtar ishte mes 10 dhe 15 miliardë dollarëve. Morice thotë se do të ketë rritje të vlerësimeve fillestare, duke pas parasysh se “Sandy” ka prekur afro 60 milionë njerëz.

Është e mundur që dëmi i shkaktuar nga “Sandy” ta arrijë dëmin më të madh që ndonjë uragan ka shkaktuar në historinë njerëzore: uragani “Long Island Express” më 1938 ka shkaktuar dëme në vlerën prej 47 miliardë dollarë, duke vrarë qindra persona në bregun lindor.

Aeroportet në bregun lindor janë mbyllur që të dielën, ndërsa vlerësohet se dëmet ditore arrijnë në 10 milionë dollarë. Dëmet e përgjithshme të industrisë ajrore arrijnë në 450 milionë dollarë.

Duke pas parasysh se jeta u bllokua në shumë pjesë urbane, disa thonë se dëmet ditore arrijnë në 10 miliardë dollarë.


E plotësuar – Përmasat e dëmeve që ka shkaktuar uragani “Sandy” ende nuk janë të njohura, përderisa çdo çast ka raportime për të zhdukur.

“Sandy” i drejtohet Kanadasë, por fatmirësisht intensiteti i uraganit është dobësuar.

Në kulmet e ndërtesave raportohet se ka njerëz që kërkojnë shpëtim.

Për herë të parë që prej vitit 1888, Bursa “Wall Street” vijon të qëndrojë e mbyllur dy ditë rresht, për shkak të kushteve të motit,. Mendohet se dëmet e kësaj stuhie do të jenë mes 10 mijë dhe 20 miliardë dollarëve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka shpallur gjendjen e katastrofës në New York.

Ndërkohë, ka arritur deri në 4 metra uji në disa zona të caktuar në New York, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Përmbytjet shkaktuan edhe mbylljen e tre aeroporteve të zonës, LaGuardia, John F. Kennedy dhe Newark Liberty.

Kryebashkiaku i New Yorkut, Michael Bloomberg, tha për mediat se ka një sasi të madhe uji në zonën e poshtme të Manhattanit, ndërsa dhjetëra pemë janë shkulur nga vendi duke sjellë bllokimin ë rrugëve.

“Ne e dinim që do të ishte një stuhi shumë e rrezikshme dhe ndodhi ajo që ne prisnim. Më e keqja ndodhi dhe qyteti tani po ndjenë pasojat”, tha Bloomberg.

Obama ka firmosur deri tani nëntë deklarata emergjence që mbulojnë nëntë shtete amerikane.

Sandy: Viktima, përmbytje, ndërprerje e energjisë…

Uragani Sandy ka përfshirë bregun verilindor të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje rekord dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike.

Stuhia, me erëra prej 140 kilometrash në orë, ka zbarkuar rreth orës 19:00, sipas kohës lokale. Ajo ka përmbytur stacione metrosh dhe ka lënë mbi 5.3 milionë njerëz pa energji elektrike.

Agjencia AP raporton se të paktën 13 njerëz kanë vdekur në Nju Jork, Nju Xhërsi, Merilend, Pensilvani dhe Konektikut.

Stuhia ka ndërprerë edhe fushatën presidenciale të presidentit Barack Obama dhe sfiduesit të tij, Mitt Romney.

Presidenti është shfaqur në televizionin kombëtar, duke u bërë thirrje njerëzve që t’iu kushtojnë vëmendje këshillave nga autoritetet e tyre lokale.

“Mesazhi më i rëndësishëm që kam për publikun është të dëgjojë autoritetet shtetërore dhe lokale. Kur ato thonë se duhet evakuuar, atëherë duhet evakuuar. Mos vononi, mos vini në pikëpyetje udhëzimet që ju jepen, sepse kjo është një stuhi serioze dhe mund të ketë pasoja fatale nëse njerëzit nuk veprojnë shpejt”, ka thënë Obama.

Sasia e dëmeve nuk pritet të jetë e qartë deri në agim.

SHBA po pret stuhinë më të rëndë në brigjet lindore

New York, 29 tetor – Pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara po përgatitet për atë që meteorologët e parashikojnë të jetë  stuhia më e rëndë që godet këtë pjesë të vendit, raporton Zëri i Amerikës.
Uragani Sandy po i afrohet bregdetit të Atlantikut dhe pritet të bashkohet me dy sisteme moti nga veriu për të formuar një “super-stuhi” hibride me gjerësi 1200 kilometra, që do të prekë rreth 60 milionë banorë.

Presidenti Barak Obama, i cili u informua nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave dje, u bëri thirrje banorëve të zonave të rrezikuara që ta marrin shumë seriozisht stuhinë dhe t’u binden urdhërave të autoriteteve shtetërore dhe lokale.

Erërat e kësaj stuhie qysh tani kanë  shpejtësi prej 120 kilometrash në orë dhe po zgjerohet me erëra të forta që arrijnë deri 165 kilometra nga qendra e saj.

Shtetet e New-Yorkut, Pesilavanisë, Marylandit, Virgjinisë, Karolinës së Veriut dhe kryeqytetit Washignton, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshem. Autoritet në shtetin Delaware kanë urdhëruar evakuimin e detyrueshem nga disa pjesë të këtij shteti bregdetar.

New Yorku  ka urdhëruar mbylljen e shkollave sot dhe bursa e qytetet është po ashtu e mbyllur. Një pjesë e madhe e transprotit urban është jashtë funksionimit.

As kombet e Bashkuara sot nuk do të punojnë po për shkak të kohës së keqe.