Arti në përgjithësi, është një fushë ku njeriu shpalosë vetveten, mendimet e veta personale, imagjinatën, dëshirat, ëndrrat por ato i paraqet me një realitet të thellë shpirtëror. Artisti përmes veprës së vet, qoftë ajo poezi, roman, dramë, pikturë, skulpturë, këngë apo tjetër formë e të shprehurit artistik, komunikon me lexuesin, shikuesin apo dëgjuesin duke përçuar mesazhet, botëkuptimet, ndjenjat dhe përshtypjet e tij. Ndërsa e bukura e artit qëndron në atë se një vepër artistike për çdo person përçon një mesazh unik dhe asnjëherë nuk sjellë të njëjtin botëkuptim. Në analizën psikologjike të Frojdit, kuptimi i artit për çdo individ zgjon nënvetëdijen e tij personale të ndryshme nga ajo e tjetrit. Mirëpo, një vepër arti duhet të jetë në kontakt me vlerësuesin, të qëndrojë para syve, në dritë në mënyrë që mesazhi i autorit të kryej funksionin te shoqëria.
Jo shumë më parë, pata rastin që gjatë bisedës spontane me një mikun timin, të kuptoj se ai pikturonte, madje kishte vite e vite që e ushtronte këtë pasion. Më mahniten idetë dhe stili të cilin ai preferonte dhe aplikonte në pikturat e tij. Ai është Prëkë Gojçaj i cili për të jetuar ushtron një profesion që është plotësisht larg artit. Kurse pikturën e ka vetëm si pasion, madje e ka mbyllur vetëm brenda katër mureve duke mos ekspozuar anjë pikturë të tijën. Ai vazhdon edhe sot të pikturojë ndërsa vendi kua ai e ushtron këtë pasion, tregon se shpirti i një artisti në gjithë botën është i njëjtë. Për ndryshim nga të tjerët, vendi jonë nuk ka një interesim për artin, për pikturën, sepse shihet mungesa në stimulim të artistëve, organizimi i orëve letrare apo ekspozitave të pikturave. Kjo ka bërë që z.Gojçaj të vizatoj,kurse pikturat t’i vendos në dhomën e punës ose t’i dhuroj ndonjë miku të tij.
Rasti i piktorit tonë të heshtur më shtie të mendoj shumë larg,ndërsa është logjike të thuhet se kur arti heshtë, populli është i humbur. Kur arti mbyllet brenda katër mureve, kemi të bëjmë me burgosje të shpirtit artistik. Aq më shumë kurë ngjyrat nuk arrijnë që të ndikojnë te masa , kur artet pamore mbyllen nëpër shtëpia të atyre pak artistëve që i kemi, atëherë faji është i të gjithë neve. Kështu po mbyllet edhe gjuha jonë, nëpër shtëpitë tona, duke u turpëruar që ta flasim. Kështu dalëngadalë, gjuhën tonë po e mbyllim në themelet e rrënuara të shtëpive të baballarëve tonë dhe po e varrosim si kur të ishte një femër e përdalë. Po kështu, edhe arti i krijuar prej duarve të artistëve tonë, s’po gjënë mur për tu varur as sy për tu parë.
Piktura është arti pamorë që shërben si mjek, si mësues, si libër e si institucion i dijes dhe i historisë së ekzistencializmit.
Shkrimi im modest nuk pretendon që të jap një pasqyrë profesionale lidhur me pikturën e Z. Gojçaj pasi sa i përket pikturës jam vetëm adhurues i saj. Qëllimi im është që të ndërgjegjësoj ata që janë kompetent për këtë, që të organizojnë artistët në Malësi, ti inkuadrojnë nëpër programet e ndryshme shtetërore duke i përkrahur në përfaqësimin tonë si si komb me veti tejet të veçanta në këtë shtet. E si argument të fjalëve të mia, me leje të vetë autorit Gojçaj, do të publikoj edhe disa piktura të tij që do i le që ju vetë t’i vlerësoni.