SHBA, Obama fiton zgjedhjet (video)

Barack Obama është rizgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kandidati republikan Mitt Romney, i uroi fitoren Obamës.

Presidenti demokrat Barack Obama sipas parashikimeve në SHBA është rizgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet që janë konsideruar të jenë më të ngushtat në historinë amerikane.

Aktualsiht, presidenti amerikan Barack Obama nga shtabin e tij zgjedhor në Çikago, po mban fjalimin fitues, në mesin e brohoritjeve të turmës së mbledhur.

Ai e nisi fjalimin duke iu falenderuar votuesve dhe duke ia atribuar fitoren mbështetësve të tij.

Obama tha se detyra për ta “bërë të përsosur unionin tonë, ka shkuar përpara… dhe arsyeja jeni ju”.

“Ne jemi një familje amerikane, dhe ne ngritemi, ose biem bashkë si një komb”, u shpreh presidenti i rizgjedhur, Barack Obama.

Kandidati republikan, Mitt Romney, pak para orës 7, sipas kohës në Evropë, në paraqitjen e tij para mbështetësve, ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Unë sapo e kam thirrur presidentin Obama për ta uruar për fitoren e tij. Edhe mbështetësit e tij dhe ekipi i fushatës së tij mertiojnë gjithashtu përgëzimin. Ju dëshiroj më të mirat, por në veçanti presidentit, Zonjës së Parë dhe vajzave të tyre. Kjo është kohë e sfidave të mëdha për Amerikën dhe unë lutem që presidenti të jetë i suksesshëm në udhëheqjen e kombit tonë”, u shpreh Romney.

Sipas parashikimeve Obama ka fituar 303 votat elektorale, kundrejt 203 sa ka marre deri tash Romney.

Fituesit i duhen 270 vota te tilla.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shënuar fitore në disa shtete kyçe, ku gara për Shtëpinë e Bardhë me kandidatin republikan, Mitt Romney, ka qenë mjaft e ngushtë.

Fitorja e parashikuar e Obamës ka ardhur nga shtetet e “lëkundura” si Ajova, Miçigen, Nju Hempshajër, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Ai gjithashtu thuhet se ka fituar në shtetet e Bregut Perëndimor, Kaliforni, Oregon, dhe Uashington, si dhe në shtetin e Hawait.

Projeksionet tregojnë se deri tash Romney ka fituar  203 vota elektorale, përfshirë shtetet e lëkundura të Karolinës Veriore, si dhe Texas-in, Arizonen, Louizianën dhe Gjeorgian.

Votat janë duke u numëruar ende në disa shtete, ndërsa, autoritetet nuk janë deklaruar ende për rezultatin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama ka falenderuar mbështetësit përmes rrjetit social Twitter:

“Jemi këtu të gjithë së bashku. Kjo është mënyra se si bëmë fushatën”, citon presidentin Obama, agjencia e lajmeve AP.

Në shtabin e demokratëve në Çikago, ka nisur festa e fiotres.

Republikanët fitojnë Dhomën Përfaqësuese, demokratët Senatin

Rrjetet televizive amerikane, duke iu referuar rezultateve të pjesshme dhe exit polleve nga zgjedhjet e së martës, kanë projektuar se Partia Republikane mban kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa ligjvënësit e Partisë Demokratike të presidentit Barack Obama, do të ruajnë një shumicë të ngushtë në Senat.

Me dhomat e Kongresit të ndara sërish mes partive, kalimi i legjislacionit madhor, do të vazhdojë të jetë sfidues për presidentin e ri.

Dy partitë e mëdha amerikane kanë bllokuar me vite një numër ligjesh.

Nëse Kongresi nuk pajtohet mbi taksat dhe planin e shkurtimeve buxhetore, deri në fund të këtij viti, shkurtimet automatike të buxhetit do të hyjnë në fuqi, dhe ekonomistët frikësohen se kjo do të shkaktojë recesion.

Të martën është votuar për 33 nga 100 ulëset në Senat si dhe për të gjitha 435 ulëset në Dhomën Përfaqësuese.

Para zgjedhjeve, demokratët kanë pasur 51 ulëse në Senat, plus dy senatorë të pavaruir, që në përgjithësi kanë votuar për ta.

Republikanët kanë kontrolluar 242 nga 435 ulëset në Dhomën Përfaqësuese. /REL/
Fjalimi fitues – Barack Obama

Mitt Romney uron Obamën