1912 Pavarësia! – nga Blendi Fevziu (pjesa 2)

Të bahet Shqipëria më vehte, nën një qeverrië të përkohshme;

të sgjidhet një pleqësië për ndihmë e kontroll të qeveriës; të dërgohet një komision në Europë për të mprojtun çashtjen shqiptare përpara mbretëriëvet të mbëdha. Delegatët pranuan të gjithë dhe filluan të duartrokasin. Luigj Gurakuqi u zgjodh shkruajtës i parë për të mbajtur edhe procesverbalin e mbledhjes, që pa dashje, shërbeu edhe si deklaratë e Pavarësisë.

(Vazhdimi nga java e kaluar)

Kuvendi u hap në 28 nëntor të vitit 1912, në sarajet e Xhemil bej Vlorës.

Ishte e enjte, ora 4 pas dreke, dhe tellalli kish thirrur që në këtë ditë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil beut, në një sallon të madh.

Mithat Frashëri në kujtimet e tij jep edhe një hollësi që tregon organizimin e brendshëm të sallës:

Salla e madhe në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës ishte mbushur plot dhe delegatët kishin zënë vendet rreth tri tryezave të mëdha të vëna afër e afër. Këtë ditë, pra ora 14.30, me zë të përgjithshëm u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Flamuri u çel në portën e shtëpisë ku ishin mbledhur delegatët.

Kuvendi filloi me një fjalëhapje nga Ismail Qemali dhe me mandatet e delegatëve. Sali Xhuka bëri vërtetimin e tyre dhe gjeti se nga 84 delegatë të zgjedhur, 43 prej tyre kishin arritur në kohë dhe ndodheshin në dhomë. Ai lexoi telegramet e disa qyteteve të rrethuara si Korça dhe Shkodra, që në pamundësi të dërgonin delegatë, kishin mandatuar të flisnin dhe të vendosnin në emër të tyre disa nga delegatët që ishin aty. Ismail Qemali, u zgjodh njëzëri Kryetar i Kuvendit.

Procesverbali i botuar nga Lef Nosi, shumë vite më vonë, rrëfen se Ismail Qemali ka folur disi më gjatë, ndër të tjera, ai është shprehur: Shqiptarët, ndonëse besnikë përherë tek Mbretëria Othomane, nuk e kanë harruar kurrë, as gjuhën dhe as kombësinë e tyne… Qeveria Othomane nuk e vështroi kurrë inderreshtin e saj. E nuk deshi kurrë tua shpërblenjë me të mirë shqipëtarëvet shërbimet e mëdha që i baanë. Në këtë kohë të fundit rrefeu ndopakë dëshirin që të mirëj vesht me kombin t’ënë, por prap nuk vuni të gjithë vullnetin e mirë e nuk mori të gjitha masat e nevojëshme për të paqësuar e për të kënaqur shqipëtarët…

Në fund, ai propozoi: Të bahet Shqipëria më vehte, nën një qeverrië të përkohshme; të sgjidhet një pleqësië për ndihmë e kontroll të qeveriës; të dërgohet një komision në Europë për të mprojtun çashtjen shqiptare përpara mbretëriëvet të mbëdha.

Delegatët pranuan të gjithë dhe filluan të duartrokasin. Luigj Gurakuqi u zgjodh shkruajtës i parë për të mbajtur edhe procesverbalin e mbledhjes, që pa dashje, shërbeu edhe si deklaratë e Pavarësisë.

Pas fjalëve që tha z.Ismail Qemali Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delagatët në një za, vendosën që Shqipëria të bëhet më vete, e lirë dhe e mosvarme!

Më poshtë, teksti është shkruar edhe në osmanisht me këtë përmbajtje:

Pasi u përmendën prej Ismail Qemal Beut kryetarit të komisionit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet sot Shqipëria, kongresistët me një zë pranuan indipendencën dhe e shpallën Shqipërinë shtet indipendent e të lirë!

Pas tij vijojnë nënshkrimet e 40 personave. Dokumentin e firmosën vetëm delegatët e ditës së parë. Nuk dihet se përse ndodhi kjo dhe përse delegatët e ditëve të mëpasme nuk nënshkruan në të. Sepse në procesverbalin e mbledhjes së kuvendit të datës 30 nëntor thuhet:

Si u këndua e u pëlqye Proçes-Verbali i mbledhjes së përparshme, shkronjësi Z. Gurakuqi kërkoi që të mos nënshkruhet ditë për ditë po të lihen të gjitha për në funt; në këtë mënyrë edhe delegatët e ri që erdhën e ata që do të vinë përpara se të mbarohet Kuvendi  do të mund të shënojnë emnin e tyne nën këto shkresa të përkujtimshme.

Për fatin tonë të keq, deklarata e pavarësisë ashtu si edhe flamuri që u ngrit pak minuta më vonë, nuk janë ruajtur. Historia e tyre është e paqartë.

Deklarata e pavarësisë, u mor nga Lef Nosi i cili e ruante në koleksionin privat. Prej andej e nxori në nëntor të 1937-ës, kur e shumëfishoi duke i bërë disa rregullime (Firmat në pjesën e pasme të letrës u montuan në balloren e saj poshtë). Origjinali u fut sërish në arkiv dhe askush s’di të thotë se ku ndodhet. Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionist në vitin 1945 dhe pasuria iu konfiskua. Në një procesverbal të Sigurimit i cili ka hapur dy kaseta me materiale që Nosi kishte në bankën e shtetit, shkruhet se ato qenë dokumente historike, por nuk sqarohen. Një fotografi e origjinalit u zbulua papritur në pranverën e vitit 2012 në Arkivin Qendror të Shtetit. Në fotografi dallohet  se letra e procesverbalit, ose deklarata e Pavarësisë Shqiptare, ka qenë një fletë blloku shënimesh, me vija, me firmat të vendosura në pjesën e parë, nën tekstin dhe në anën e pasme të saj. Dikush e ka palosur në katërsh për ta futur në xhep dhe në foto të gjitha këto dallohen qartë.

Diku rreth orës 17 – 17.30 delegatët dolën për të ngritur flamurin e pavarësisë në tarracën e portës së shtëpisë së Xhemil bej Vlorës. Ismail Qemali që mbante flamurin në dorë, ia zgjati Murat Toptanit, ndër më të rinjtë aty, që ta vendoste mbi pullazin e portës së shtëpisë, ndërsa vetë shihte nga dritarja. Pullazi ishte i lartë dhe në mungesë të një ballkoni, ai ishte vendi më i mirë për ta bërë flamurin të dukshëm nga të gjithë.

Sipas dëshmitarëve ishte një ditë e vrenjtur dhe siç kujton Petro Poga, shpejt filloi shi:

N’atë kohë (Sapo qe ngritur flamuri shënim i autorit), i nderuari Murat bej Toptani nisi të këndojë një vjershë po nuk e la të mbarojë shiu, kur populli u përhap dhe delegatët me Ismail Qemalin shkuan në shtëpinë e Vlorave.

Historia e flamurit  është po kaq kaotike. Ai qe zbuluar dhe botuar së pari nga Faik Konica në Revistën “Albania”. Me përshkrimin e Marin Barletit te “Historia e Skënderbeut”, ai kishte porositur një piktor francez që ta vizatonte. Konica e botoi flamurin në faqen e parë të gazetës dhe që nga ai numër, e quajti atë: Flamuri i Shqiptarëve. Në një farë mënyrë, është Faik Konica ai që e imponoi atë si Flamurin Kombëtar, simboli që përfaqëson ende Shqipërinë. Shumica e shqiptarëve nuk e njihnin atë, siç dëshmon ky shkrim i gazetës “Liri e Shqipërisë”, nr. 63 që flet për ngritjen e flamurit në Durrës më 26 nëntor të 1912-ës:

…Nji nga shqyptarët e ktushëm u thirr të bajë flamurin tonë, e gatoj nji flamur të kuq me shqipen e zezë dy krenësh, nji lloj si e shtypte “Albania” në krye të faqes së sajë, por ky mundim vojti më kot, nga se krenët tonë e ma tepër myslimanët, si për herë, edhe kët radhë qitne bishta, tuj thanë se me dy krena e ka Nemcja, Rusija etj e na shqyptarët duhet të ndryshojmë nga kta t’a bajmë me nji krye… Çë bane? Ndreqne nji flamur të kuq, por me nji zog të zi në përngjasim të korbit, me nji krye, bamun kaq keq, sa shqyptarve të vërtetë u erdhi marre, dhe tradhëtarve gëzim dhe s’pushojshin tue e qestisë…

Historia e flamurit që u ngrit në Vlorë është po kaq e paqartë dhe kaotike. Miti dhe historia përzihen bashkë duke e bërë të pamundur zbulimin e së vërtetës. Një version insiston në faktin që flamuri ishte ai i kolonisë së Bukureshtit, po ai që ishte shpalosur në Hotel Kontinental gjatë takimit të Ismail Qemalit me komunitetin. Sipas këtij versioni, flamuri qe zbukuruar me thekë gjatë natës midis 27 dhe 28 nëntorit nga një grua korçare e martuar në Vlorë, Marigo Pozio.

Versioni tjetër rrëfen se flamuri u qëndis gjatë gjithë natës nga Marigo Posio sipas një skice të sjellë nga njëri prej delegatëve. Ky version ka qenë edhe ai zyrtar për shumë vite në Shqipëri.

Petro Poga, një prej pjesëmarrësve në kuvend, në kujtimet e botuara në 1936 –ën shprehet:

Flamuri që është ngritur në Vlorë ka qenë një pëlhurë e kuqe, 3 metro e gjatë dhe 2 metra e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja me bojë të zezë. Pëlhyra e kuqe u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qep tek një rrobaqepës i quajtur Thoma.

Por në vitin 2000 me botimin e kujtimeve të Eqrem bej Vlorës u shtua edhe një version i ri, pak i besueshëm.

E pra më 28 nëndor kryeobjekti i ditës flamuri, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kish parë as e kish mbajtur. Shtet- formuesit ranë në hall dhe vështruan njeri tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai Efendiu dhe thotë se ne dhomën e gjumit të Eqerem Beut varet në mur një flamur shqiptar. Ismail Beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur Don Aladro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris ra në duart e Ismail Beut i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit me porosi t’ia varte jashtë ndërkohë që vetë qëndronte pranë në dritare.

Një foto që paraqet Ismail Qemalin dhe qeverinë e tij në ballkon, me flamur në dorë, është konsideruar si fotoja e Pavarësisë së Shqipërisë për shumë vite me radhë. Ajo foto e bërë nga Petro fotografi, ose nga Petro shqiptari, në selinë e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës (ku Ismail Qemali u vendos në fund të marsit të vitit 1913), i takon festimeve për 1- vjetorin e pavarësisë më 28 Nëntor 1913. Nuk ka asnjë lidhje me ditën e shënuar të shpalljes së pavarësisë edhe pse thuajse të gjithë protagonistët janë po ata.

Pas nënshkrimeve, Kuvendi vendosi ngritjen e një qeverie provizore që do të administronte vendin dhe zgjodhi si Kryetar të saj Ismail Qemal Beu. Dom Nikollë Kacorri do të ishte zëvendësi i tij. Ismail Qemali u bë kryeministri i parë i Shtetit Shqiptar.

Në orën 20.00 të mbrëmjes, në drejtim të Elbasanit dhe më pas Tiranës dhe gjithë qyteteve të Shqipërisë u  nis ky telegram:

Kongresi u hap. indipendenca u proklamue. Ismail Qemal Beu u zgjodh kryetar. Sonte do t’i komunikohet shteteve të mëdha me kabllo. Ju urojmë.

Pak minuta më vonë, kreu i qeverisë i diktoi Qemal Karaosmanit këtë telegram që u përhap në gjithë Shqipërinë:

Sot u hap kongresi i përbamun prej përfaqësuesvet të gjithë Shqipniës dhe vendosi proklamimin e indipendencës së Shqipniës dhe formimin e Qeveriës së Përkohshme. Kryesia e Qeveriës dhe formimi i këshillit m’u ngarkue mue. Lutem e shpallni në qendrat e në për ndënprefekturat dhe ua komunikoni zyrtarisht konsujve t’atyshëm, tua na bamë me ditë edhe neve.

Qendravet

Deklarata e shkrume poshtë, të përkthehet shqip dhe të njitet në për muret n’emën të Qeveriës së Përkohshme, shkrue me nj’anë në turqisht e më tjetër anë shqip. Veç kësaj duhet që edhe me mjetet të tjera të pëlqyeshme t’i komunikohet e t’i njoftohet gjithë popullit.

Ismail Qemal.

Ishte dokumenti i parë i Shtetit shqiptar dhe firma e parë e një kryeministri të Shqipërisë!

Një orë më vonë, Ismail Qemali nënshkroi një tjetër telegram drejtuar Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, por për dijeni edhe Qeverive të Romës, Vjenës, Parisit, Berlinit, Petrogradit, në të cilin njoftohej se kuvendi kombëtar në Vlorë, me përfaqësues nga gjithë krahinat dhe besimet fetare në vend, shpalli mëvetësinë e Shqipërisë. Kërkesa për njohjen e shtetit të ri, shoqërohej edhe nga një paragraf që fliste për traditën europiane të shqiptarëve.

Menjëherë pas tyre, ai nënshkroi një tjetër telegram që u nis nga zyra e telegrafit Vlorë në drejtim të Cetinës, Beogradit, Sofjes dhe Athinës. Veç njoftimit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali iu kërkonte qeverive:

Çdo veprim hostiliteti nga ana e ushtërivet tuaja mbrenda në truell kombëtar të tyne, ka me pushue së vepruemi dhe se gjithë viset thjeshtë shqiptare të pushtueme sot prej ushtërivet të aleatvet kanë me u lëshue prap!

Ai i firmosi të dy telegramet si dhe disa dhjetëra që u nisën atë natë deri në agim, me titullin:

Ismail Qemali, Kryetar i Qeverisë së Përkohshme!