INSTAT ka publikuar sot të dhënat përfundimtare të censusit në Shqipëri. Drejtoresha e këtij institucioni Ines Nurja ka deklaruar se në bazë të censusit në Shqipëri janë 2. 82 milionë banorë, nga të cilët 83.2% janë deklaruar shqiptarë, ndërsa 14.07% nuk janë deklaruar mbi kombësinë. 0,87% është numri atyre që e kanë deklaruar kombësinë si grekë, ndërsa 0,20% janë deklaruar me kombësi maqedonase dhe 0.30% romë.
Po kështu 56.87% janë deklaruar myslimanë, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë, 2.90% bektashinj, evangjelistë 0.11% kurse ateist 2.52%.
Rezultatet e censusit, që lidhen me kombësinë, pritet të prodhojnë debate të forta, veçanërisht nga shoqatat e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër censusit dhe kanë ndërmarrë një regjistrim të tyrin të minoritarëve në jug të vendit.
Një tjetër shifër që bie në sy është ajo e komuniteteve fetare, më saktë atij të krishterë, ku për herë të parë zyrtarisht bashkësia katolike sipas shifrave të censusit është më e madhe se ajo ortodokse.
14 % e të intervistuarve nuk kanë preferuar të deklarohen mbi kombësinë, megjithatë 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhë amtare.
Ndërkohë që numri i popullsisë nga censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. /Malesia.Org/
Kombësia
Shqiptare 83.2%
Greke 0,87%
Rome 0,30%
Maqedonase 0,20%
Egjiptiane 0,12%
Malazeze 0,01%
Të tjerë 0,1%
Nuk u përgjigjën 14,07%
Feja
Islame 56,87%
Katolikë 10,30%
Ortodoksë 6,75%
Bektashjanë 2,90%
Evangjelistë 0,11%
Kristianë (të tjerë) 0,1%
Ateistë 2,52%
Besimtarë të pakarakterizuar 5,53%
Besime të ndryshme 00,2%
Nuk u përgjigjën 13,89 %