Tomë Bojaj ishte një atdhetar i madh, një djalë i Malësisë me vizionin e të ardhmes e të përparimit. I pari që hapi Televizionin shqiptar në Tuz të Malësisë me emrin TV BOIN, i cili sot shihet deri edhe tek shqiptarët e Amerikës.
Kolec Traboini / Çikago
Rasti më ka sjellë ta takoj në vitin 2007 gjatë një vizite në Tuz kur ai më kërkoi një intervistë për Televizionin e tij. Në aq pak kohë sa ndenja me të e pyeta se çfarë e shtyti ta bëjë këtë akt, këtë veprim që unë e konsideroj tejet atdhetar. Më tha se kamera ishte pasioni e profesioni i tij dhe se e shqetësonte fakti se shqiptarët në Mal të Zi kishin vetëm një mundësi, një program të shkurtër në TV shtetëror e asgjë tjetër. E kishte filluar me shumë sakrificë. Besa, pati nga ata që e quajtën aventurë, u përpoqën ta pengonin, por Tomë Bojaj ishte një malësor me vullnet të hekurt. I bindur në drejtësinë e tij ai mori përsipër çdo sakrificë. Dhe televizioni anipse me sakrifica u konsolidua. U bë pjesë e indentitetit të malësorëve, të Hotit, Grudës, Trieshit e më gjerë.
Por pikërisht atëherë, kur ishte në kulmin e energjive të derdhura në këtë mjet të ndërkomunikimit të shqiptarëve, Tom Bojaj sëmuret. Sëmuret e për një kohë të shkurtër tragjikisht ndërron jetë. Ishte një dhembje e madhe. Tom Bojaj tashmë qe kthyer në një figurë të nderuar e të respektuar ndër shqiptarët e Malësisë dhe Tuzit. Vdekja e tij sikur u preu krahët. Çfarë do të bëhej me Televizionin e shqiptarëve – TV BOIN? Amanetin e shokut të jetës e mori në dorë për ta çuar më tej, e shoqja, Sandra. Tomë Bojaj kish lënë pas Televizionin, pasionin e jetës së tij, fëmijët dhe gruan e vet. Ishte ajo që do t’i premtonte se nuk do ta lëshonte e braktiste kurrë qëllimin e jetës së Tomës së saj të dashur. Dhe ashtu bëri. Dhe sa sakrifica përballon. E takova këtë nëntor në Tuz. E ngushëllova. I fola me aq respekt të meritueshëm për Tomën e saj, që nuk ishte më i saj, por i të gjithë shqiptarëve e jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Shqipëri e Kosovë, edhe në Amerikë e kudo ku jetojnë shqiptarët.
Një atdhetar i madh dhe dashamirës i kulturës e traditave shqiptare nuk mund të harrohet. Dhe shpreha njëkohësisht pakënaqësinë time që një rrugë e Tuzit nuk kishte emrin e tij. Ky emër, Tom Bojaj nderon çdo qytetar të Tuzit dhe të Malësisë, na nderon edhe ne që fati na solli edhe pse bij të Malësisë të jetojmë larg vendlindjes së prindërve.
Sa herë e shoh fotografinë e tij ulur aty në zyrë, ku ka vënë në një vend të dukshëm portretin e Gjergj KastritotiSkenderbeut, më ringjallet në mendje ajo bisedë që bëra me Tom Bojaj një natë shtatori te vitit 2007 në Televizionin BOIN të Tuzit.
Ishte nga ata njerëz që i takon një herë e nuk i harron më kurrë. /Koha Javore/