17 janar, 545 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar

Sot shënohet 545 vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në janar të vitit 1468 ai u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur prej tij, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja, Donika me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali, ku sot njihen si arbëreshë.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, si një burrë i madh shteti, që udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit vet shqiptar kundër pushtuesit osman, i cili punoi edhe për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar .

E pikërisht me Kuvendin e Lezhës më Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.
Në qiellin shqiptar emri i Skënderbeut ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.

Armët e tij, të cilat mbahen në muzeun e Vjenës, u ekspozuar për dy muaj në Shqipëri në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.