Gjamët e Limit kërkojnë rikthimin biblik të shqiptarëve etnik të Nokshiqit

Katër burra – tre breza të truallit epik të Nokshiqit: Shaban Bali Nokshiqi 87 vjeçar, një nga lisat krenarë e gjallnik të Plavë-Gucisë, me nipat e vetë dinjitarë: Din Islam Nokshiqi e Zek Selim Nokshiqi dhe me stërnipin e tij: djalin e Hajredin Selim Nokshiqit, më 9 shtator 2011 e ndalën hapin e rikthimit si vizitor në fshatin e tyne të origjinës.

Shaban Bali Nokshiqi, lisi fisnik i shpërngulur prej vendlindjes së vet nga flakët e zjarrit dhe të armëve malazeze më 7 gusht 1944 po vjen me peshën e historisë të Nokshiqit legjendar, me krenarinë e kullës e derës së tij të Mekulëve, me mallin e viteve të (e)migrimit të gjatë 67 vjeçar.
Aty nuk ka mbetë asnjë kambë shqiptari për me dalë me e prit këtë burrë të vjetër të këtij trualli të pamplakun, po veç e njohin gurët e rrugët e pathara nga gjaku shqiptar, krojet e malit të mpakune, pemët e kopshtijeve të mërzituna, bari i rritun tufalak e trumçak në themelet e kullave legjendare të rrënueme.
E njohën edhe vorret e shqiptarëve të damtueme e të mblueme me ferra. Ato ende frymonin Shqip… Ato folën me Shaban Bali Bajramin e Nokshiqëve. Askush nuk e dinë se çka thanë ashtu në heshtje. As kamera e telekronistit të RTSH, gazetar e regjisor i ekranit, Ilir Buçpapaj, nuk mundi ta fiksonte këtë çast mistik, ndonëse ishte i pranishëm në rrugëtimin e “Dërgatës Mekuli” drejt madhështisë e magjisë Nokshiq. Në ato vorre të fshatit ai kishte babën e vet, qëndrestarin hero akilian, Bali Bajrami, kishte gjyshin e vet, Bajram Hyseni, të kryqëzuem me hekur të skuqun nga malazezët ortodoksë ma mizorisht se Krishtin. Në ato vorre ishin luftëtarët kreshnikë të “Luftës së Nokshiqit” (1879-1880) që ia kalon edhe “Betejës antike të Termopileve” (gusht të vitit 480 p.e.sonë). Edhe ato vorre e dinin se Shabani i ri 25 vjeçar, pas luftës gjak e flakë, u largue jetim nga bjeshka nokshiqase e Vraçevës për në Shqipërinë Londineze dhe tashti, pas 67 vitesh, po vinte shtat papërkulun prej lavdisë e burrnisë të trollit të lindjes, fytyrëpastër nga rrugëtimet e pandaluna, po vinte me tre breza vargni të genit të vet bio-historik.
Brezat nokshiqas po duen që jo vetëm vorret të frymojnë e flasin Shqip, po edhe kullat e natyra e vendlindjes së tyne të liridojnë e gjallojnë Shqip. Si dikur…Në histori.

Shaban Bali NokshiqiNokshiqi shqiptar ishte lodh deri në palcë nga thyerjet etnike shkatrrimtare nga malazezët e njëmijë të zezave ndaj kësaj toke historike, turistike e kulturore.
Historia tashma njeh në terminologjinë e vet edhe emërtimin simbolik “Luftëtarët e Nokshiqit”. Merreni me mend se sa dhimbje do të ketë ndjerë në vetëdijen e tij genetike Shaban Bali Nokshiqi në atë vjeshtë të mesme të vitit 2011 teksa i ka parë në Nokshiq me sytë e kujtesës e të shpirtit kullat e trimave të vendit: Bajram Hyseni, Mujë Bajrami, Brahim Bajrami, Islam Balia …të shkatërrueme deri në themele. Përkrah tyne malazezët pushtues kanë ndërtue disa shtëpi njëkatëshe, që duken aq të vogla edhe pse kullat shqiptare janë kthye në gurnaja. Kulla e Hajdar Hysenit (Hysi) nuk kishte gjurmë, pasi aty jetonin vetëm pleq e plaka.
Shaban Bali Nokshiqi, i ardhun nga përtej Atlantikut, nga Teksasi i Bushëve të Amerikës, nuk e la pa shkue edhe nga kulla e Imer Maliqit, Dal Zeqit, Hoxhë Nokshiqit (Smajl Adem Mekulit, baba i Esad Mekulit), të cilat kishin pësue të njëjtin fat të keq nga politika malazeze e spastrimit etnik, që synon mos me lanë astenji gjurmë shqiptare në trojet etnike të fshatit Nokshiq.
Shqiptarët pasardhës i mbajnë ende në duar tapitë e tokave të tyne të shkrueme në osmanisht, të cilat iu muarën e mbahen me forcë nga malazezët. Japonezët e kanë një thanie të ditës: “Tokë, më fal që të shkel me kambë”!. Ashtu edhe ne shqiptarët nuk ua falim malazezëve këtë tjetërsim të pronave të nokshiqasve të historisë, që i shpërngulën “dy nikollat”(!): Krajl Nikolla I i Principatës e Mbretnisë Malazeze (13 gusht 1860-26 nëntor 1918) dhe Nikolla Miljaniç – President i Republikës së Malit të Zi (15 nëntor 1943 – 21 nëntor 1946).
– Njerëzit që shkojnë për herë të parë në Nokshiq kurrë nuk mund të besojnë se atje ka
pasë kulla të shqiptarëve, pasi gjithçka është kthye në gërmadhë. Unë i kam pa për herë të fundit me sytë e mi ato kulla legjendare në mesin e verës të vitit 1944, kur nga shpërngulën nga vatrat tona etnike – fjalaflet plaku me shpirt rinor, Shaban Bali Nokshiqi në kujtimet e tij dorëshkrimore.

Rikthimi i burrit ma të vjetër të mekulëve të Nokshiqit, Shaban Bali Nokshiqit me nipat e tij, Dinin e Zekën – lisat e rinj të këtij trualli të vjetër dhe me stërnipin e tij, është diçka ma shumë se biblike.
Gjithësesi mbetet tragjike.
Ai tokëulet bash në “oborrin” e xhamisë të Nokshiqit, ku janë mbajtë “kuvendet e burrave” në istikame të historisë për të mbrojtë me përballje lufte të pandalun nga sulmet e malazezëve, serbëve, boshnjakëve, etj.. tokën, kullat, jetët shqiptare, ardhmërinë e vet. Po aty tashti nuk ka mbetë asgja. Xhamia është grumbull gurësh. Oborri nuk duket kurrkund.
Po Shaban Bali Nokshiqi i ndejtun kambëkryq në tokën e “Kuvendit të burrave” i duket sikur kuvendon me “Luftëtarët e Nokshiqit” që në ato vite të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shënuan “Parathanien e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorën e 28 nëntorit 1912”…
Therrat po i mbulojnë “Vorret e Xhamisë” midis fshatit, që vlerësohen si varrezat ma të lashta se “Vorret e Vjetra”, “Vorret e Nokshiqit”, “Vorret e Fanës” e “Vorret e Poshtme”. Diku hidhet mendimi se vorre ma të hershme janë ato tek “Kodra e Varreve”, që hejcekur i kanë pasë thirrnue: “ Vorret e ilirëve”. Kështu fjalnon Tradita. Ende nuk ka gërmime arkeologjike që të na çojnë në përfundime shkencore. Edhe në rast se do të ketë gjetje të rastit apo kërkime të çastit ato kanë me u gropos kushediseku, pa asnjë gjurmë për me i folë historisë.
“Kroni i Ibishit” që iu jepte ujë 40 shtëpive të Nokshiqit ishte prishë pothuajse krejtësisht.Askush nuk mund ta konceptoj një shfaqje kaq ekstreme të urrejtjes së malazezëve ndaj shqiptarëve të atyshëm trojenik.
Nokshiqi ruan mjaft burime ujore me toponomi shqiptare si “Gurra e Nokajve/Nokshiqit”, “Kroni i Mustafës”, “Bunari i Zekut”, “Sheu i Ujkanit”, “Kroni i Miftarit” (përmbi Nokshiq), “Cerkaga e Danit” (në Shkallë), “Gurra e Sadikut”, “Kroni i Shkallës”, “Sheu i Groshit”, etj.
Pas gjashtë dekadash “Dërgata e Mekulëve” me tre breza genetik sheh në vjeshtën e vitit 2011 se bujqësia është tepër e prapambetun në tokën e tyne, kurse blegtoria nuk ekzistonte fare. Askund nuk shihej ndonjë tufë me bagëti. Veterani i luftës dhe i punës, Shaban Bali Nokshiqi, mërgimtar në Teksas të Amerikës, në ato fjalafletët e tij me kujtime na ban me dije se kur i shpërngulën me luftë më 7 gusht 1944 Nokshiqi me 40 shtëpi i mbante mbi 100 dhenë, ma shumë se 30 lopë e mbi 20 krenë dhi.
Arat e shtëpiave shqiptare dhe livadhet e tyne po bashkalidhen me lisnajen e shkurret e maleve të Nokshiqit. Askush nuk merret me to. Kjo jo për faktin se nuk iu duhen si burim jetese, pose synojnë që me çdo mjet e çdo mënyrë të mbulojnë gjurmët e jetës shqiptare në Nokshiqin legjendar që përbën një pjesë të lavdisë të historisë sonë kombëtare.
“Dërgata e Mekulëve” iu afrue një malazezi të ardhun në trojet e shqiptarëve të Nokajve (Nokshiqit) dhe ia banë një pyetje që brenda saj kishte pezmin e tyne:
– Pse është kjo gjëndje e mjerueshme në këtë vend pjellor?
Malazezi ardhacak e lëshoi shikimin nga “Vorret e Xhamisë” e mbasandejna kqyri
mendueshëm nga rrjedha e Limit përfundi fshatit e t’i lëshojë fjalët sikur fliste për legjenda:
– Gjithë rinia e populli kanë lexue në libra e mësue nga brezat për luftërat dhe gjakun
që është derdh në Nokshiq dhe janë të mendimit se sado që ta mbjellin tokën e të prodhojnë drithna prej saj ajo bukë nuk hahet dhe as qumështi që bajnë lopa e delmja nuk pihet, sepse ky vend është i mbushun me eshtnat e gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe të pushtuesve. Brezi i ri ka marrë rrugët e mërgimit. Krahu i punës i mungon tokës e malit. Edhe lumi i Limit, qyshse prej Luftës së Nokshiqit, si astenjiherë në kohnat e ma përparshme, lëshon gjamë…
Ato gjëmime, sipas lisit mekulas, atdhetarit Shaban Bali Nokshiqi, rënkojnë dhimbshëm derisa shqiptarët etnikë të katër vllaznive të Nokshiqit (Mekuli, Selimaj, Mehaj, Buçaj) të rikthehen në tokën e vet të pushtueme, aneksueme e popullueme nga malazezët ardhacakë.
Këto janë Oshtimat e Limit, janë gjëmimet e historisë.

Ramiz LUSHAJ