Shkruan: Mark Lucgjonaj
Takimet e fundit të Partive Shqiptare dhe përfaqësuesve të partisë më të madhe në Mal të zi treguan edhe njëherë imazhin tonë politik dhe papjekurinë tonë. Referendumi po vjen, por si po na gjen ne shqiptarëve?
Të shpërndarë si kurrë më parë, me një politikë “liderësh” që si duket idealin e kanë burgosur përnjëherë me “Fluturimin e Shqiponjës” dhe janë kthyer ka “Meka” pasi kanë “bërë kryq”.
“Liderët” tonë politik, po përgjumën nëpër “fotele”, ndërsa gjumi ju del vetëm kurë reagojnë për të sharë njëri tjetrin. Si duket, për disa nga “liderët” tonë, është më me rëndësi se kush e sjell komunën se sa vetë komuna. Në bazë të bisedave të zhvilluara në mes Partive Shqiptare dhe përfaqësuesve të partisë në pushtet, Shqiptarët janë të obliguar ta përkrahin kandidatin për president që ka dalë nga rrallët e PDS. Në fakt, duhet ta dimë se pluhuri politik që po ngrenë me deklaratat pompoze të tyre është vetëm retorikë farse. Marrëveshjet janë të kryera nga të dy koalicionet ndërsa ne, Partitë Shqiptare pra, ashtu si nuk ishim në gjendje të merrnim asnjë ministër, nuk jemi në gjendje as të kushtëzojmë zgjedhjet parlamentare. Andaj , e kemi shumë të qartë se ato që kemi pështyrë gjatë tetë viteve të fundit, po i hamë si desert.
Nga ekstremi politik kombëtarë me një “idealizëm heroik”, u kthyem në “engjëj mbrojtës” të shtetit të Malit të zi.
Ideja e politikes së liderëve tonë nuk na orienton kah punësimi apo përfaqësimi në institucionet e shtetit ku i kemi vendet e rezervuara si pakica. Por bën një gjë shumë të çuditshme, na shet patriotizma që populli të mos ndihet komod në vendin e vet, në shtetin të cilit i paguajmë taksat dhe me të cilin “liderët” tonë po “bashkë qeverisin”.
Në këto ditë, kur po vendoset për fatin tonë, liderët politik duhet të mendojnë se populli i Malësisë ka nevojë për vetëqeverisje lokale, ka nevojë për unifikim me mendimin e tyre andaj duhet që për hire të popullit, mos të shikojnë se kujt po i mbet merita e komunës, sepse çdo lider është i vogël përballë popullit të Malësisë. Në shumë raste, populli i Malësisë ka pas liderë që e kanë keqpërdorë pozitën e tyre, por asnjëherë ky popull nuk ka humbur idealin për shkak të liderëve që kanë punuar kundër interesave të veta. Shpresa mbetet pra përsëri te populli i cili ka ditur ta dojë veten, ta ruaj vendin dhe të sakrifikojë për Malësinë. Më duhet ta përfundoj me një pyetje retorike të një shkrimtari që thotë: “Po kush e don malësorin?” Dashtë zoti e Malësorin dhe Malësinë fillojnë me dashtë edhe “liderët” politik. /Malesia.Org/