Lajmërimi i sërishëm i Qeverisë së Malit të Zi, gjegjësisht i Ministrisë së zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit, për përgatitjen e aktiviteteve që gjiri margaritar i Valdanosit të jepet afatgjatë me qira për 30 përkatësisht 90 vite, është vazhdim i politikës shkatërruese ndaj popullsisë lokale, pronarëve të ullishtës në Valdanos dhe natyrës në tërësi. Mirëpo, Qeveria e di mirë që për shkak të qasjes së saj mospërfillëse, si dhe malverzimeve të llojllojshme që i “zien” me vite lidhur me gjirin e Valdanosit, vendasit nuk kanë mundësi të realizojnë të drejtat elementare të njeriut siç është e drejta në pronësi private, shkruan në reagimin e deputetit të partisë “Pozitivna Crna Gora” (Mali i Zi Pozitiv), Dritan Abazoviq.
Është e qartë që lajmërimi i tenderit të ri që duhet ta shpall Këshilli për privatizim është përpjekje që nga “dera e pasme”, nën maskën e projekteve zhvillimore dhe zvogëlimit të ndikimit të krizës ekonomike, Valdanosi si gji unik përrallor, të vihet në rolin e “zhirantit” të politikes ekonomike të gabuar dhe në shërbim të tajkunëve të ndryshëm të (pa)njohur, vendas dhe të huaj.
Situata lidhur me Valdanosin zgjat gati 40 vite, kur pushteti i atëhershëm ia morri qytetarëve ullishtën, në mënyrë që në atë lokalitet të ndërtohet baza ushtarake. Mbasi që për fat të mirë baza nuk u ndërtua kurrë, ligji ju mundëson qytetarëve që me anë të institutit të deekspropriimit t’u kthehet prona që u morr me kundërshtimin e tyre, me metodat e njohura të presionit që përdoreshin në atë kohë, me argumentin e qartë dhe të fortë që toka nuk u dedikua qëllimit. Qeveria e Malit të Zi në vend që t’u kthej qytetarëve ullishtën, të cilën logjikshëm vetëm ato mund ta revitalizojnë dhe në atë mënyrë të ndalet me sjellje diskriminuese dhe të paligjshme ndaj qytetarëve, por edhe ndaj ullishtës, ajo edhe përkundër kundërshtimit të vendasve, sektorit joqeveritar dhe partive politike, prapë provon të sfidoi zemërimin dhe pakënaqësinë e popullatës vendase, shkruan më tej Abazoviq.
Mali i Zi Pozitiv fton që të respektohet ligji dhe ti kthehet ullishta pronarëve të vërtet, si dhe të fillohet me revitalizimin e ullishtës, plazhit dhe gjelbërimit në atë zonë. Valdanosi nuk duhet të jetë kompleks prej betoni, por duhet të jetë atë çka ishte gjithmonë, park i natyrës, park arkeologjikë nënujor dhe ullishta më e madhe në regjion me mbi 18 mijë rrënjë ullinj të cilat po shkatërrohen me vite. Në Ulqin i cili përndryshe është krejtësisht i devastuar me politiken ekonomike të “qëndrueshme” dhe strategjikisht të drejt të Qeverisë dhe të ish qeverisjeve lokale, ka mjaftueshëm lokalitete në të cilat mund të ndërtohen komplekse turistike të kategorisë së lartë, me principin e detyrueshëm të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgjegjës. Në fund, lajmërimet e këtyre tenderëve janë të predispozuar në dështim, sepse rasti i Valdanosit është proces në gjykatën vendore si dhe në Strasburg, e organet e gjykatës po ashtu kanë shumë punë të deklarojnë a kishte keqpërdorime nga ana e zyrtarëve shtetëror, konkretisht, nënkryetarin e dikurshëm dhe të tanishëm të Qeverisë Vujica Lazoviq kundër kujt aktivistët e sektorit joqeveritar kanë çuar padi penale që prej procesit të kaluar të privatizimit. Mali i Zi Pozitiv fton të gjithë vendasit, pronarët si dhe pjesëtarët e sektorit politik, civil dhe mediatik që së bashku ti kundërvihen qëllimeve të këqija të Qeverisë dhe në atë mënyrë edhe njëherë për kush e di satën herë të dërgojnë mesazhin që qytetarët e Ulqinit qëndrojnë të vendosur në mbrojtjen e respektimit të ligjit, traditës, kulturës, si dhe në mbrojtjen e dinjitetit të vet, përfundon deputeti Abazoviq. /Malesia.Org/