Meteori godet Rusinë (video)


Banorët e Cheliabinskit, qytet në pjesën jugore të Uraleve ruse u bënë dëshmitarë të rënies së një meteori që për disa minuta ndriçoi qiellin, shkaktoi panik tek njerëzit dhe risolli në kujtesë të shumëkujt skenat e filmit Armagedon. 

Trupi qiellor, me të rënë në kontakt me atmosferën u nda në dhjetra pjesëza dhe përvec spektaklit të dhuruar për banorët vendas, shkaktoi qindra të lënduar dhe dëme materiale. Sipas dëshmive, shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa ishin ndjerë lëkundje në një godinë 19-katëshe. Interfax raporton për më shumë se 1 200 persona të lënduar nga copëzat e xhamave të thyer.

Banorët e Cheliabinskut flasin për xhama dritaresh të thyer, alarme makinash të aktivizuara dhe lëkundje të lehta të banesave. Autoritetet ruse njoftuan se tarraca prej 600 metër/katrorë e një fabrike u rrëzua. Meteori ra rreth orës 09:20 me orën lokale. Përvec të lënduarve, dy prej të cilëve në gjendje serioze në spital, goditjet shkatërruan edhe rrjetin e telekomunikacionit.

Gjurmë të meteorit të rënë mund të shihen në Yekaterinburg, qytezë rreth 200 kilometra në jug-lindje të Cheliabinskit.

Fillimisht u përfol për “shi meteorësh”, por autoritetet ruse sqaruan se bëhej fjalë vetëm për një të tillë që më pas u nda.“Një meteor shpërtheu mbi qiellin e rajonit të Cheliabinskut”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Emergjencave për agjencinë e lajmeve Interfax, ndërkohë që një banor i zonës tha për Reuters se ishte dëgjuar një shpërthim i fortë në orët e para të mëngjesi të së premtes.

Ndërkohë shkencëtarët rusë dhe jo vetëm ata, kanë nisur punën për të përcaktuar nëse meteori që goditi Rusinë ka lidhje me kalimin e asteroidit 2012 DA14 që pritet të udhëtojë në një distancë mjaft të afërt me Tokën gjatë ditës së sotme./TCH/