Në Kosovë të premten nisen zyrtarisht festimet për 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Aktivitete për të shënuar 5-vjetorin e shtetit të Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, do të ketë në të gjitha qytetet e Kosovës, ndërsa manifestimet qendrore do të zhvillohen në Prishtinë, me pjesëmarrjen edhe të shumë miqve ndërkombëtarë.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi dërgoi telegram urimi shqiptarëve të Kosovës me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit të dytë shqiptarë, Republikës së Kosovës, në të cilin thuhet:
URIM PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Znj. ATIFETE JAHJAGA
E Nderuara znj. Presidente ,
Në emër të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim, pranoni urimet ma të sinqerta dhe vëllazënore me rastin e 5vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm për popullin e Kosovës, mbarë kombi Shqiptarë,por dhe ne shqiptarët në Malin e Zi, gëzohemi për Republikën e Kosovës si shtet i pavarur .
Ne shqiptarët në Malin e Zi, vlerësojnë lartë angazhimin Tuaj në zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet sot shteti i ri i Kosovës, si dhe kontributin e madh për forcimin e Institucioneve të shtetit të Kosovës .
Urojmë , që Republika e Kosovës, falë përkushtimit Tuaj dhe Istitucioneve të tjera Kosovës,faktorit politik,si dhe të aleatëve tanë në botë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë shpejt të bëhet pjesë e Bashkësisë Europiane dhe Aleancës së madhe Euroatlantike.
Arritjet i shtetit të Kosovës znj. Presidente, janë një gëzim i madh për të gjithë Shqiptarët kudo që ndodhen,duke përfshi edhe ne shqiptarët si popull autokton në trevat e veta stërgjyshnore në Malin e Zi.
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve z. Tahir Tahiri, telegram urimi i dërgoi edhe Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës Z . Jakup Krasniqi dhe Kryeministrit z.Hashim Thaçi.