Fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri vijon të tërheqë vëmendjen e medieve të huaja, të cilat po i kushtojnë jo pak hapësira kësaj plagë mesjetare. Ketë radhë është Britanikja “Daily Mail” që ka realizuar një reportazh mbi fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri, në qendër të cilit ka vendosur 3 fëmije që nuk e kanë shijuar asnjëherë jetën jashtë mureve të shtëpisë.
“Vëllezërit Zefi, 12 vjeç, Marseli, 7 vjeç dhe Marsela, 9 vjeç nuk i kuptojnë dot kënaqësitë e thjeshta të një fëmijërie të zakonshme. Ata nuk shkojnë në shkollë ose të vizitojnë miqtë, madje për ta të luash futboll rreth kopshtit të shtëpisë, është krejtësisht e paimagjinueshme.” – kështu nis shkrimi i botuar në “Daily Mail”.
“Këta fëmijë kanë kaluar tërë jetën të mbyllur, brenda shtëpisë së tyre në fshatin Bardhaj, pak metra larg qendrës së Shkodrës. Ata janë të burgosurit e gjakmarrjes, e cila e bën daljen e tyre jashtë shumë te rrezikshme. Këta fëmijë janë në mesin e 900 fëmijëve të tjerë që qëndrojnë të fshehur në shtëpitë e tyre për të shmangur gjakmarrjen, në bazë të kodit të lashtë të njohur si Kanuni, i cili i jep të drejtë një personi të vrasë dikë në shenjë hakmarrje për një vrasje të mëhershme.” – vijon shkrimi.
Sipas “Daily Mail”, vrasjet sipas Kanunit, njihen si gjakmarrje, dhe është e ngjashme me traditën italiane të gjakmarrjes. Kodi vlen për të dy besimet, të krishterët shqiptarë dhe ata myslimane, dhe rregullon të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë krimin, familjen, martesën, trashëgiminë e pasurisë, dëmet si dhe sjelljen personale apo atë sociale.
Gjatë kohës së diktaturës, thuhet se Kodi ishte inekzistent, ndërsa ai u rikthye pasi Shqipëria nisi luftën e saj për tu bërë një vend me demokraci moderne dhe te begatë. Shumë njerëzve u mungon besimi në sistemin e drejtësisë dhe përpiqen ta vendosin vetë atë. Në shkrim theksohet se janë angazhuar mësues, të cilët shkojnë tre herë në javë në shtëpitë e të ngujuarve, në mënyre që ata të paktën të mund të marrin njohuri në arsimin baze. /TV1/