Bajraktari i Martinajve të Plavë Gucisë

Bajraktari i Martinajve Shaban Ibish HasangjekajSHABAN IBISH HASANGJEKAJ (1889-1965)

Shaban Ibish Hasangjekaj u lind në vitin 1889 në familjen e prijësve të Martinajve në krahinën e Plavë-Gucisë, e cila ishte gjithnjë e shquar për trimëri e atdhedashuri. Qysh në fëmijëri shquhej për mendjeprehtësi dhe trimëri të pashoqe. Ai përpiqej t’iu bashkangjitej vullnetarisht luftëtarëve të Martinajve, ndonëse luftëtarët më të vjetër e largonin duke i thënë se është akoma i ri për luftë.

Në moshën e 17 vjeçare msheftas iu bashkangjit çetës së luftëtarëve nga Martinajt, e rrëmbeu me të shpejt një pushkë pa dvet kërrkand dhe i doli në dyluftim një shkjau të pabesë të strukun pas një shkëmbi vikatke: “A ka shqiptar që më del në mejdan”! Luftëtarët e çetës ia kuptuan dinakërinë, sepse shkjau nuk po shfaqej ballas në fushë. Mirëpo, Shabanit djalosh i ri e gjaknxehtë, nuk mujti me ndejtë gjatë dhe t’iu lëshue turravrap rrafshit për dyluftim klasik. E plagosi shkjau, po edhe ky trim e vrau shkjaun, megjithëse ishte i mshefun skuthnisht mbrapa shkambit. Veprimin e tij çartanik e kritikuan bashkëluftëtarët, bashkëvendasit, familjarët, po astenjani nuk mundi me e ndal në udhën e aksioneve e betejave luftarake për kombin shqiptar.
Shtatrritja e tij në vitet e rinisë i dha pamje vigani dhe kishte një burrni të hijshme. Trimëria e mendjemprehtësia ishin tiparet e tij të veçanta, ia rritën virtytet e vlerat e tij dhe shtuan respektin e mirënjohjen nga të tjerët.

Kësokohe bajraktar (Flamurtar) i Martinajve ishte Azem Hazir Hasangjekaj, një figurë historike me kontribute të njoftuna që kishte bashkëpunuar e luftuar përkrah me prijës të Malësive mbi Drin e Lim dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Ka qënë antar i Komitetit Ndërkrahinor për Mbrojtjen e Plavës e të Gucisë dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Ishte i pranishëm në ditët e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë në nëntorin e vitit 1912. Mbretëria Shqiptare e asaj kohe, duke vlerësuar emrin autoritar dhe veprimtarinë e tij atdhetare, e ka pasë thirrë me simbolikë respekti: “ Bajraktar i Kosovës”.

I përveçmi bajraktar dhe i shquari prijës luftëtar Azem Hazir Hasangjekaj pas vdekjes në vitin 1938 nuk pati asnjë mashkull trashëgimtar, por vetëm katër vajza me emër të mirë. Atëherë dera fisnike e bajraktarit të Martinajve në mirëkuptim me martinasit e kuvendit e të pushkës u vendos që Bajrakun ta udhëhiqte Shaban Ibish Hasangjekaj, i provuar ndër vite për gisht pushke e fjalë me peshë burrnie.

Bajraktari i Martinajve Azem Hazir HasangjekajVlera të veçanta i dha vetes duke ia ndjek rrugën bajraktarit Azem Hazir Hasangjekaj dhe mbajtë me besnikëri, zgjuarësi e trimëri bajrakun e Martinajve.
Bajraktari Shaban Ibish Hasangjekaj ishte pjesmarrës aktiv si prijës dhe me bajrakun e tij në të gjitha betejat e rëndësishme për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë dhe të trevave të tjera shqiptare në Alpe me rrethina. Ai bashkëpunonte e bashkëvepronte edhe me autoritete historike të kohës, si me të familjes së Jakup Ferrit të Plavës, me Prekë Calin e Kelmendit e shumë të tjerë në mbrojtje të popullsisë e viseve shqiptare, të kufijëve, etj. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, e njoftun ndryshe në trevën tonë si “Koha e Shqipnisë”, ishte në kuadër të udhëheqjes së krahinës së Plavë-Gucisë të çliruar nga sllavët serbë e malazezë, armiqtë më të egër të këtyne trojeve etnike shqiptare. Pas kësaj epoke të shkurtër, e cilësuar edhe si “kohë e artë”, me ripushtimin tragjik sllavo-ortodoks nga Mali i Zi, bajraktari Shaban Hasangjekaj u dënua me pushkatim prej tyne, por falë dëshmive që provuan se nuk kishte lejuar krime mbi popullatën civile nga organet e shkallët gjyqësore iu ndryshua vendimi me burgim.

Pasi doli nga burgu i vështirë bajraktari Shaban Hasangjekaj dhe familja e tij u shënjestrua nga rregjimi sllavo-ortodoks i Podgoricës dhe Beogradit si armik i shtetit jugosllav dhe ia konfiskuan shtëpinë e pronat duke ua dhanë ato kolonëve ardhacakë malazesë. Njejëtësisht kishte vepruar rregjimi kundërshqiptar i Malit të Zi edhe me pronat e bajraktarit të maparshëm Azem Hazir Hasangjekaj dhe të dhjetra familjeve të tjera shqiptare në Martinaj dhe në krahinën e Plavë-Gucisë.

Jeta e bajraktarit kombëtar Shaban Ibish Hasangjekaj ishte e martirizuar e viktimizuar për së gjalli nga rregjimi sllavo-ortodoks jugosllav, pasi mbeti në skamje të plotë, mbeti me familjen e tij në kasolle e shtëpija të vjetra të bashkvendasve të vet në Martinaj. Populli e donte me dhimbjen e krenarinë e vet, me bujarinë e sakrificën e vet. Pavarësisht faktit sa lajkatar e provokativ aq edhe kërcenues e sfidues të pushtetit të egër malazias për t’u antarsue në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë ai qëndroi dinjitar në gjallje të vet. Në rast se do të pranonte të hynte në Partinë Komuniste Jugosllave dhe të bashkëpunonte me pushtetin e Malit të Zi e të Serbisë do t’i ktheheshin pronat e grabituna dhe do të siguronte privilegje ekonomike e financiare, po e pranoi vetsakrifikimin vetjak e familjar, e udhëhoqi bajrakun e Martinajt me shembullin e mënyrat e tij dhe Jugosllavinë Avnojiste dhe republikën e saj Malin e Zi i shihte, gjykonte e trajtonte si pushtues të huaj në tokën etnike shqiptare.

Aty kah mesi i viteve ’60 të shekullit të kaluar u sëmurë rëndë, po bajraktari shpirtëror i Martinajt dhe një nga prijësit luftëtar në mbrojtje të krahinës së Plavë-Gucisë, qëndrestari kryelartë, Shaban Ibish Hasangjekaj, nuk pranonte me ndejtë i shtrirë, pasi e deklaronte shpesh e gjithandej: “Burri nuk është për të vdek në shtrat, por nga plumbi”.

Në vitin 1965 gjendja e tij shëndetësore u përkeqsua skajshëm dhe familje vendosi ta dërgonte në spital, por ky prijës atdhetar e parandjente vdekjen e vet, ndaj e thirri djalin e tij, Çelën, duke i kërkuar që ta largojnë nga spitali, pasi i përbetue e besatue: “nuk dëshironte me vdek në dorë të shkijeve”. Mirëpo spitali drejtohej nga okupatorët malazez dhe nuk ia dhanë lejën për ta marrë në shtëpi. Atëherë djali i tij e zbret fshehtas nga dritarja e spitalit dhe e çon në shtëpinë e vet të varfër. Ky kollos etno-historik i Alpeve shqiptare, ky bajraktar i shembullit të rrallë, ky i përsekutuar dhe i papërkulur, Shaban Ibish Hasangjekaj, e pa me vend e me rend, me e lanë me gojë e veprim si pasardhës të bajrakut të Martinajt të birin, Çelën. Ai ia la me amanet Çelës e familjes së tij me e mbajt fort e lart emrin e brezave të vet, të bajrakut të vet, të krahinës së vet, të kombit të vet.

Bajraktari i Martinajve Shaban Ibish Hasangjekaj ndrroi jetë në vitin 1965 i rrethuar me dhimbje, dashuri e mirënjohje nga familja e bashkëvendasit e tij, nga bashkëluftëtarët e tij, nga malet e tij të vendlindjes duke lanë një vend të madh bosh në jetën e pragut e të bajrakut të tij, duke mbetë përjetsisht një emër i madh në krahinën e tij të Plavë-Gucisë dhe në faqet e historisë.

 Skënder HASANGJEKAJ