Historiani rus, Artjom Ulunjam, në tekstin e tij “Operacion i fshehtë Shpërthimi”, ka shkruar se udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte përgatitur për operacion ushtarak ndaj Jugosllavisë, pas vdekjes së Josip Broz Titos, transmeton gazeta kroate “Jutarnji list”.
Enver Hoxha kishte menduar se pas vdekjes së Titos në Jugosllavi do të zhvillohej një luftë e përgjakshme në mes të forcave politike pro amerikane dhe pro ruse.
Në fund të viteve ’70-ta dhe në fillim të viteve ‘80-ta të shekullit të kaluar, në takime sekrete të liderëve komunistë shqiptarë ishte planifikuar operacioni ushtarak “Shpërthimi”, përmes së cilës planifikohej marrja e Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë në të cilat shqiptarët përbëjnë shumicën, shkruan historiani rus.
Udhëheqësit komunistë shqiptarë, sipas tij, kanë shpresuar në një skenari, sipas të cilit pas vdekjes së kryetarit të Jugosllavisë së atëhershme, Josio Broz Tito, do të shkaktohej luftë për pushtet në mes të liderëve të ish republikave të Jugosllavisë.
Ulunjam, i njohur si ekspert për lëvizjen komuniste të shekullit XX në Ballkan, nga Instituti rus për historinë e përgjithshme, informacionet e përmendura i kishte marrë në bazë të memoareve të ministrit të atëhershëm të mbrojtjes së Shqipërisë, Veli Lakaj.
Sipas fjalëve të tij, Enver Hoxha ishte përgatitur për “Kaos pas Titos”.
Ndonëse edhe më herët ishte spekuluar se ekzistonte një operacion i tillë i fshehtë, është vërtetuar se udhëheqësi komunist shqiptar kishte menduar se në Jugosllavi do të shpërthente një luftë e përgjakshme në mes forcave politike pro amerikane dhe pro ruse.
Përveç problemeve të brendshme dhe luftës së ashpër për mbajtje të pushtetit në fund të viteve -70-ta, Hoxha kishte menduar se si nga situata potenciale të nxjerr përfitime maksimale. Prandaj, planin e tij ia kishte prezantuar rrethit të tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve në vitin 1977. Prej atëherë kishin filluar përgatitjet serioze të udhëheqësve shqiptarë për çastin e vdekjes së Titos.
Në bazë të arkivave shqiptare dhe ruse, ekzistojnë prova se Enver Hoxha ka qenë i preokupuar me atë se çfarë do të ndodhë në Jugosllavi pas vdekjes së Titos. I frikësuar për regjimin e tij diktatorial, Hoxha kishte planifikuar të marrë Kosovën , gjë që vërtetohet edhe në Samitin e Helsinkit në vitin 1975, në të cilin Shqipëria refuzoi të nënshkruaj dokumentin në bazë të të cilit definoheshin kufijtë e Evropës së pasluftës.
Diktatori komunist shqiptar kishte thënë se nuk duhet kursyer mjetet për Kosovën, sepse në të ardhmen do të shpaguhen. Ndonëse marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin gjithnjë e më të këqija, Hoxha gjithnjë e më shumë kishte frikë dhe ishte në panik nga sulmi në vendin e tij. Mirëpo, në të njëjtën kohë bënte plane luftarake, duke iu thënë gjeneralëve të tij: “Ne jemi në prag të luftës”.
Pavarësisht se Hoxha i frikësohej në mos forcat kineze do t’i organizonin grushtet, kjo nuk e ka penguar që në vitin 1978 të formojë “Zyrën për Kosovën”.
“Për aq sa na kanë lejuar rrethanat, ne me të gjitha mjetet i kemi përkrahur kosovarët. Dhe ne jemi për atë që ata të bashkohen me Shqipërinë, sepse kjo do të siguronte një unitet nacional “, i kishte shkruar Hoxha ministrit të punëve të Brendshme Kadri Hazbiut. /Shekulli/