Me rastin e 60-vjetorit të lindjes së atdhetarit dhe aktivistit shqiptar në Nju Jork, Gjergj Dedvukajt

Gjergj Dedvukaj kultivues dhe ruajtës i vlerave kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ushqyes i ëndrrës së Bashkimit kombëtar

Shkruan Besim Muhadri, Nju Jork

Restoranti i Gjergj Dedvukaj që ndodhet në Arthure Avenue të Bronxit (Nju Jork)  njëkohësisht është edhe seli e aktiviteteve të shumta kombëtare. Seli  dhe qendër e takimeve të shumta të grupeve, jo vetëm kulturore, por edhe të atyre politike. Atë e kanë vizituar personalitete të shquara të jetës politike dhe kulturore të Amerikës. Në mesin e atyre që kanë qenë në “Giovani’s”  të Gjergj Dedvukajt në “Arthure Avenue” të Bronxit është edhe ish presidenti  i SHBA, Gjorgj Ë. Bush (Juniori). Po ashtu, në këtë restorant, ka qenë edhe ish sekretarja e shtetit, zonja Hilari Klinton, ish prefekti i Nju Jorkut, Rudoloph Giuliani, e shumë e shumë personalitete të tjera. Të jetës politike amerikane, si senatorë e kongresmenë. Aty kanë qenë dhe vazhdojnë të frekueentojnë vazhdimisht personalitete të jetës shoqërore dhe politike nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë. Po ashtu, gjatë kohës së luftës së UÇK-së në Kosovë, në restorantin e Gjergj Dedvukajt janë bërë shumë takime dhe janë marrë vendime të rëndësishme për financimin e luftës së Kosovës. Për këtë dëshmojnë fakte, qoftë me anë të dokumenteve të ndryshme, qoftë të fotografive të shumta, shkrime nëpër gazeta, të cilat ai i ruan me shumë kujdes.

Po cili, në të vërtetë, është Gjergj Dedvukaj dhe cila është veprimtaria e tij?

Gjergj Dedvukaj, baba i katër fëmijëve, i Nikut, Pjetrit, Franit dhe i Dritës si dhe bashkëshort i Shaqe Dedvukajt, që në moshë të re ka kontribuar shumë për çështjen kombëtare, në afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset e vendit, pa dallim feje, krahine apo krahu politik, sepse qëllimi i tij ka qenë uniteti kombëtar dhe ndihmesa për çështjen madhore kombëtare. Një kontribut të jashtëzakonshëm për vite me radhë ka dhënë në zhvillimin e aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të të cilit u zhvilluan aktivitete kulturore, sportive dhe arsimore. Për vite me radhë në kuadër të këtij Klubi funksionoi Klubi i Futbollit “Kosova ‘81”, pastaj Shkolla “Naim Frashëri” e viteve të fundit edhe Ansambli “Bashkimi Kombëtar”. Promotor i të gjitha këtyre zhvillimeve, por jo vetëm i këtyre, në çdo kohë ishte Gjergj Dedvukaj. Përherë i palodhur, përherë i gatshë për të dhënë atë që mundi dhe diti. Për të kontribuar për popullin e tij, për vëllezërit dhe motrat shqiptare, qoftë për atë që jetonin në Kosovën e robëruar dhe viset e tjera shqiptare të robëruara, qoftë për ruajtjen e etnitetit shqiptar në diasporë, për ta ruajtur nga asimilimi. Në ballë të aktiviteteve kulturore që për qëllim kanë ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturë shqiptare. Ndërmarrës i shumë iniciativave për të mirën e kombit të tij. Aktualisht kryetar i Ansamblit apo Shoqërisë Kulturore “Bashkimi Kombëtar”, iniciativa për themelimin e të cilës i lindi gjatë marrjes me aktivitete në Klubin “Jusuf Gërvalla”, përkatësisht pas shuarjes së këtij klubi, që ishte një humbje e pakompensueshme për komunitetin shqiptarë të Nju Jorkut.

I lindur më 1953 në katundin Spin të Hotit, Gjergj Dedvukaj për hallet kombëtare, si i ri mësoi nga babai Pashko Marku, që ishte një burrë shumë i nderuar në Malësi. Ishin kohë të vështira atëherë. Varfëri e madhe dhe mungesë e çdogjëje. Në fshat por edhe në Malësi, në atë kohë askush nuk kishte çifteli. Baba i Gjergj Dedvukajt, Pashko Dedvukaj, i cili i binte ngapak çiftelisë një ditë del në pazarin e Pejës dhe blen një çifteli dhe një radio, sepse në fshatin e tij në atë kohë nuk kishte as radio. Ata ishin të parët në fshat që blenë radio, nga ato radiot e mëdha që ishin aso kohe. Shtëpia ku lindi dhe bëri fëmijërinë e hershme Gjegj Dedvukaj ishte në mal, mbi gjithë katundin dhe më afërta me themelet e shtëpisë ku më 6 prill 1911 Dedë Gjo Luli, pas Skënderbeut ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj kohe Gjegji, që ishte i vogël dhe shkonte në shkollën fillore të fshatit nisi t’i binte çiftelisë ngapak. Meqë ishte instrumenti i vetëm jo vetëm në familje, por edhe më gjerë, babai i tij jo gjithmonë e linte t’i binte, sepse kishte frikë se do ta thyente. Shpesh ia merrte nga dora dhe e fshihte diku kua ai nuk mund te gjente, por ia jepte vetëm kur ishte edhe ai aty. Ndërkaq, kur është fjala për radion, Gjegji shpesh e merrte atë, e nxirrte jashtë në shkallët e shtëpisë dhe ia lëshonte zërin, për ta dëgjuar emisionin e Radio Tiranës për shqiptarët jashtë atdheut. Ia lëshonte zërin në mënyrë që ta dëgjonin tërë fshati.

Gjegji në atë kohë vazhdonte mësimet në shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe deri në klasën e tetë udhëhoqi grupin e shkollës, ku u mor me rënien e çiftelisë, të cilës u mësua t’i binte pasi që babai ia kishte blerë në pazarin e Pejës. Në kuadër të këtij grupi ishin edhe disa shokë të tij, të cilët jepnin shfaqje në festat e ndryshme në ambientet e shkollës. Një ditë ai përfundoi shkollën tetëvjeçare dhe ishte koha për të vazhduar mësimet në shkollën e mesme, mirëpo kushtet ishin shumë të vështira për të bërë një gjë të tillë. Pashko Dedvukaj, ndonëse kishte dëshirë të madhe, nuk kishte mundësi t’i çonte fëmijët e tij  në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë, ku në atë kohë shkolloheshin shumica e shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre, mjerisht të mbetura nën administrimin e Jugosllavisë, përkatësisht të Malit të zi, ku përveç shkollimit fillore, shkollimi i mëtejmë në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Babai i Gjergj Dedvukës, duke parë se situata nuk është e mirë, sepse UDB e shikonte me sy të keq, një ditë vendosi të merrte rrugën e mërgimit dhe të shkonte në Amerikë me krejt familjen. Mori nënën e tij, mori bashkëshorten (do të thotë nënën e Gjergjit) dhe krejt fëmijët dhe erdhi në Amerikë. Ishte viti 1969, kur Pashko Dedvukaj, bashkë me familje arriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo me vete nuk e kishte marrë djalin e madh, Gjergjin, i cili në atë kohë vazhdonte mësimet për prift në Split. Gjergj Dedvukaj thotë se i kishte vazhduar mësimet për prift ngase nuk kishte kushte për vazhdimin e shkollimit diku tjetër, ndërsa aty në Split ku shkollohej për prift shkolla ishte falas, në të cilën shkollë ai ndoqi mësimet dy vjet. Mirëpo, pas shkuarjes në SHBA të pjesës tjetër të familjes ai u detyrua të ndërpresë shkollën dhe t’i bashkohet pjesës tjetër të familjes që tashmë ishin në Nju Jork. Por, para se të shkonte në SHBA ai fillimisht qëndron në Itali (siç ishin disa procedura para se të niseshin për në SHBA). Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Itali ai merret me futboll, sepse, pas muzikës atë e kishte për pasion. Në vitin 1970 arrin në Amerikë dhe meqë i pëlqente sporti, veçanërisht futbolli, edhe këtu vazhdon të merret me këtë sport, ndonëse në SHBA nuk ishte shumë i popullarizuar. Në Amerikë, bashkë me bashkatdhetarët e tij shqiptarë, formojnë një grup dramatik, ku vënë në skenë dramën “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucës. Kjo ka ndodhur më 1972. Në atë kohë edhe në Amerikë jeta ishte e vështirë. Gjegj Dedvukaj nuk vazhdova shkollimin e mëtutjeshëm, sepse sapo arrin i vdes e ëma, e cila ishte në moshën 39 vjeçare. Babai i tij, i cili ende nuk e kishte marrë vetën në Amerikë jetonte ende në kushte shumë vështira ekonomike, ndërsa Gjergji, që ishte më i madhi nga vëllezërit, duhej t’i bëhej krah dhe të mbante familjen e cila po përjetonte momente të rënda të jetës.

Si u hap Klubi “Jusuf Gërvalla” dhe cili është aktiviteti i  Gjergj Dedvukës në këtë Klub?

Kur flasim për Klubin “Jusuf Gërvalla”, i cili për vite me radhë kishte zhvilluar aktivitetin e tij në Nju Jork, është e pamundur që të mos përmendet emri dhe kontributi i Gjergj Dedevukës. Dhe për këtë ai tregon vet: “Para së të formohej Klubi “Jusuf Gërvalla” ne kishim një qendër që quhej “Naim Frashëri”, përmes së cilës kemi zhvilluar aktivitete rreth dy vite. Pas tri jave të vrasjes së Jusuf Gërvallës dhe vëllait të tij Bardhoshit e Kadri Zekës, më 1982 në Gjermani, hapëm Klubin që ia dhamë emrin “Jusuf Gërvalla”, në po të njëjtin vend, këtu në Bronx. Faktikisht ndërtesa ku ishte selia e Klubit, ishte e Rrok Nikçit, i cili na lëshoi vendin dhe aty u bashkuam prej të gjitha trojeve shqiptare. Ishim ne anëtarët e Klubit të mëparshëm që quhej “Naim Frashëri”, dhe shumë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare. Mirëpo shumica ishim malësor, nga Malësia e Madhe, sepse kishim ardhur më herët këtu, ndërsa kosovarët sapo kishin filluar të vinin në Amerikë. Në të njëjtën kohë ishim të lidhur ngushtë më misionin shqiptar pranë OKB-së, prej të cilëve furnizoheshim me libra, gazeta e revista nga Shqipëria, si “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i rinisë”, “Shqipëria e re” e shumë gazeta e revista të tjera që dilnin në atë kohë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. U zgjodh kryesia e Klubit Kombëtar “J. Gërvalla” dhe pastaj aktivistët u ndanë që të hapin degë të ndryshme. Si fryt i këtij aktiviteti të Klubit, së pari është hapur Shoqëria Kulturo-Artistike “Dedë Gjo Luli”, nën të cilin emër kemi zhvilluar aktivitetin rreth tri vjet dhe gjithmonë në suaza vullnetare dhe pa asnjë kompensim. Kemi marrë pjesë nëpër aktivitete në ndryshme kombëtare këtu në SHBA, në mesin e komunitetit shqiptar, por edhe në Festivalin kombëtar të Gjirokastrës më 1983 dhe 1988. Pastaj, po në kuadër të Klubit, është hapur shkolla shqipe me emrin “Naim Frashëri”, që ka funksionuar dhjetë vjet, madje edhe pas mbylljes së Klubit. Meqë në mesin e anëtarëve të Klubit kishte njerëz që e donin sportin dhe merreshin me të, u vendos që të formohej edhe një ekip futbolli, të cilin e emëruam “Kosova ‘81”, sepse sapo kishin ndodhur demonstratat studentore të tetëdhjetenjëshit, klub i cili për disa vite me radhë dhe në mënyrë shumë të suksesshme e vazhdoi aktivitetin. Po në kuadër të Klubit “Jusuf Gërvalla” u hap edhe radiostacioni “Zëri i Malësisë”.

Në kuadër të klubit zhvilloheshin shumë aktivitete. Në mesin e atyre njerëzve që zhvillonin aktivitet dhe kontribuonin në aspektin kulturor dhe kombëtar, ishte edhe rapsodi i mirënjohur kosovar, Bajrush Doda. Gjergj Dedvukaj thotë se ky rapsod na ka ndihmuar shumë në afirmimin e vlerave folklorike kombëtare këtu në Amerikë.  Mirëpo, pas disa vitesh shumë të suksesshme, vjen momenti më i padëshiruar, ai i shuarjes së aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, që ishte  një goditje e rëndë për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut. U mbyll një Klub, i cili, bashkë me Ligën Shqiptaro-Amerikane, kishte bërë një punë shumë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen shqiptare të Kosovës. Vendimi për mbylljen e klubit aktivistit të shquar dhe të palodhur Gjergj Dedvukajt i vjen befasishëm dhe e përjetoi shumë rëndë. Pas këtij momenti komuniteti shqiptar në Nju Jork për një kohë vazhdon të jetojë i paorganizuar dhe filloi të humbiste interesimin për aktivitete kulturore.

Shuarja e aktivitetit të Klubit dhe formimi i Shoqërisë Kulturo-artistike “Bashkimi Kombëtar

Mirëpo, megjithë shuarjen e Klubit, kjo nuk ndodhi edhe me SHKA “Dedë Gjo Luli”, sepse ishte Gjergj Dedvukaj ai që kujdesej për aktivitetet e kësaj shoqërie. Pastaj u hap Shoqata “Dedë Gjo Luli”, të cilës vendosën t’ia ndërronin emrin dhe t’ia jepnin një emër më gjithëpërfshirës, siç ishte Bashkimi Kombëtar. “Vendosëm t’ia jepnim këtë emër sepse nuk dëshironim që të shkonim me dy emra, ngase në mesin e Shoqatës “Dedë Gjo Luli” kishte anëtarë që ishin edhe anëtar të Shoqërisë Kulturo- Artistike “Dedë Gjo Luli”. Nuk donim të ishim njëkrahinor, por me një përfshirje më të gjerë të komunitetit shqiptar që jetonte dhe vepronte këtu në Nju Jork, sepse në mesin tonë kishim anëtarë nga të gjitha viset shqiptare. Dhe që nga ajo kohë e deri më tani jemi duke ecur me këtë shoqëri, me të cilën kemi marrë pjesë pothuajse në të gjitha festivalet”, spikat në mes tjerash Gjergj Dedvukaj.

Dhe formimi me këtë emërtim në mesin e komunitetit u prit mirë dhe kjo po vazhdon edhe gjatë kësaj kohe. Fillimisht kishte probleme të vogla, për shkak të ndonjë propagande kundër bashkimit kombëtar. Ashtu sikurse që ishte edhe me Klubin Kosova ’81 që njerëzit frikoheshin të shkonin e të luanin, sepse njerëzit e UDB-së që operonin  në Nju Jork bënin presion të vazhdueshëm duke iu thënë se nëse luani për këtë klub, e keni të ndaluar shkuarjen për vizitë familjeve në atdhe. E njëjta gjë ndodhte edhe me Bashkimin Kombëtar. Mirëpo me kalimin e kohës gjithçka erdhi duke rënë në vendin e vet. Bashkimi Kombëtar, siç thotë Gjergj Dedvukaj tash nuk është pengesë, sepse përmendet edhe në Mal të Zi, edhe midis Serbisë, Maqedoni dhe njerëzit nuk e kanë problem të shkojnë lirshëm dhe të vizitojnë vendlindjet e tyre atje.

Aktivitet e SHKA “Bashkimi Kombëtar”

Kur flet për SHKA “Bashkimi Kombëtar”, e cila u formua në vitin 1998, Gjergj Dedvukaj ndien një krenari të madhe. Kur kujton rrugëtimin e kësaj shoqërie, vështirësitë etj., ai thotë natyrisht se asgjë nuk ishte e shtruar me lule. Kishte pengesa, vështirësi, mirëpo gjithçka u tejkalua dhe sot ndihet krenar që ka bërë gjithë atë rrugëtim të mbushur suksese dhe krenari kombëtare. Ai kujton pesë gjashtë vitet kur në Nju Jork, bashkë me misionin shqiptar që në atë kohë ishte në OKB kanë marrë pjesë në festën e flamurit, pra 28 Nëntorin, kur në hotelin Sheraton në Manhatten mblidheshim rreth dymijë-tremijë shqiptarë për të festuar së bashku festën e flamurit. “Në atë kohë, thotë Gjergj Dedvukaj, nuk kishte shoqatë tjetër me përjashtim lëvizjes sonë, pra Klubit “Jusuf Gërvalla” dhe misionit shqiptar që ishte pranë OKB-së. Ishin edhe disa grupe të tjera, si ballistët, zogistët etj., që e festonin këtë ditë ndaras nga ne, mirëpo ata ishin shumë pak në krahasim me ne. “Vatra” ishte kundër misionit shqiptar. Më pas, pas luftës së Kosovës kemi bërë shumë aktivitete, si epopenë e Adem Jasharit, por edhe festa të tjera, si festën e 28 Nëntorit, atë të pavarësisë së Kosovës. Përveç këtu në Nju Jork, aktivitete kemi bërë edhe në vende të tjera të SHBA-së, si në Detroit etj.”

Një ndër momentet më emocionuese për Gjegj Dedvukajn është ai i pjesëmarrjes për herë të parë në festivalin e Gjirokastrës. Kjo kishte ndodhur në vitin 1983, traditë që vazhdoi edhe në vitet 1988, 2004, 2009. Shkuarja e shqiptarëve të Amerikës në një kohë kur ende nuk kishte rënë regjimi komunist dhe Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, ishte një storie interesante dhe shumë e veçantë. Prezantimi i tyre si Grupi nga Amerika dhe paraqitja me këngën Ku po shkoni djem të ri, kujt ia leni këtë Malësi, me tekst të Sali Manit, të kënduar nga Gjergj Dedvukaj dhe vëllai i tij, Gjoni, këngë që për tematikë kishte ikjen e të rinjve në mërgim dhe braktisjen e atdheut, lënien djerrë të tokave të të parëve, kishte sjellë shumë emocione, shumë lot në mesin e të pranishmëve që përcillnin festivalin folklorik kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës.

Vargjet: Ku po shkoni djem të ri/ Kujt po ia leni këtë Malësi/ Ku po i leni babë e nanë/ Kullat kujt ia keni lanë, janë vargje të thurura me shumë mall e lot. Gjatë interpretimit qanin ata që i interpretonin, që i digjte malli i atdheut, por edhe të pranishmit që e dëgjonin. Ajo këngë më pas u bë shumë e popullarizuar dhe vazhdoi të këndohej në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo ku kishte shqiptarë. U këndua atëherë e vazhdon të këndohet edhe tani pas 30 vitesh.

Shoqëria Kulturore “Bashkimi Kombëtar” ka marrë pjesë edhe në shumë festivale e aktivitete të tjera kulturore, qoftë në organizimet kulturore të shqiptarëve të Amerikës, qoftë edhe në festivale të tjera, si në Rapsha të Malësisë së Madhe, pastaj në Berlin e gjetiu. Ne festivalin e Rapshës SHKA “Bashkimi Kombëtar” ka marrë pjesë në  vitet 2000, 2003, 2005 dhe 2009, festival që pos me pjesëmarrje e kanë mbështetur edhe materialisht.

Nëse flitet për sukseset e arritura në këto evenimente kulturore, duhet të thuhet se ato kurrë nuk kanë munguar. Pos në festivalin e Gjirokastrës ku nuk janë futur në konkurrencë për çmime, pra ku nuk i kanë pranuar si grup garues por vetëm si grup përshëndetës, në festivalet e tjera, si në dy festivalet e fundit të Rapshës, përkatësisht më 2005 dhe 2009 kanë zënë vendet meritore. Në kuadër të grupeve garuese më 2009 si grup e kanë zënë vendin tretë, ndërsa solisti Haki Krasniqi zë vendin e parë më kengën për dëshmorin e kombit, Vezir Ademaj.

Në Gjermani, në Berlin më 13 nëntor të vitit 2004 zënë vendin e parë, me ç’rast marrin mirënjohjen “Ansambli i flamurit”. Pjesëmarrja në këtë manifestim kulturor ka ndodhur menjëherë pas pjesëmarrjes në festivalin e Gjirokastrës. Shkuarja në festivalin e Gjirokastrës shoqërohet nga një atmosferë tepër madhështore në mesin e pjesëtarëve të ansamblit. Shkuarja për herë të parë në Shqipëri e shumë anëtarëve të cilët kishin lindur e rritur në Amerikë dhe pritja madhështore nga ana e nikoqirit të festivalit dhe në përgjithësi popullit gjirokastrit e më gjerë ka mbetur e paharruar në kujtesën e të gjithëve e në veçanti të atyre që kishin shkuar për herë të parë atje e që ishin lindur e rritur në Amerikë. Të pushtuar nga një entuziazëm i madh, kur kthehen në Amerikë gjejnë ftesën për pjesëmarrje në festivalin e Berlinit. “Kishim vetëm një muaj kohë për përgatitje, thotë Gjegj Dedvukaj. U tregova anëtarëve se kishim një ftesë të tillë dhe se ishte e vështirë të përballohej edhe materialisht shkuarja në Gjermani, ku së paku na duheshin 50-60 mijë $, aq sa na u desh që të shkonim në Gjirokastër, mirëpo që të gjithë pranuan që të mobilizoheshin dhe të bënin ç’është e mundur që të shkonim në Berlin. Na u desh të linim shumë gjëra personale, familjet, bizneset etj. dhe t’i përvisheshim punës e të shkonim atje. Mirëpo nuk u zhgënjyem, sepse u shpallëm më të mirët. Dhe kjo flet  shumë”, thotë Gjegj Dedvukaj.

Ndërkaq, kur e pyet Gjergj Dedvukaj se a mendon se ka bërë mjaft për kulturën shqiptare, për ruajtjen e vlerave kulturore të kombit të tij, ai, pa u menduar shumë, të përgjigjet: “Ndonëse kemi punuar pareshtur, prapë se prapë mendoj se është dashur të bëjmë më shumë. Megjithë se nga gjiri i ansamblit tonë kanë dalë emra të njohur, madje që kanë hyrë edhe në Holivud, siç është Albert Stanaj, mendoj se është dashur të bëhej edhe më shumë. Qëllimi ynë është vërtet ruajtja e vlerave tona etnokulturore, ruajtja nga asimilimi i etnisë shqiptare këtu në diasporë, por qëllim yni është edhe përtëritja e ansamblit me njerëz të ri, sepse vetëm kështu ne kemi arritur diçka. Shpesh kam biseduar me shokët, si Shaban Lajçin, Tomë Gjergjin, Haki Krasniqin etj. se çka duhet të bëjmë më tutje. Kemi shumë kërkesa nga populli, nga komuniteti ynë që në mesin e ansamblit tonë të jetë qoftë djali apo vajza e atij apo e këtij. Kjo ka ardhur si rezultat i punës së palodhur dhe shumë sakrifikuese të të gjithë neve. Koloriti i veshjeve kombëtare nga të gjitha krahinat e atdheut, interpretimet e ndryshme dhe mjaftë të suksesshme të anëtarëve tanë nëpër festivale që behën këtu në mesin e shqiptarëve të Amerikës, e veçanërisht në festivalin tradicional që organizon Kisha “Zoja e Shkodrës” në Harsdale këtu në Nju Jork, ku marrin pjesë shumë grupe dhe solistë nga e gjitha diaspora shqiptare e Amerikës, festival që përcillet nga tremijë veta, ka bërë që të kemi kërkesa të shumta nga prindërit shqiptarë që këtu të anëtarësohen bijtë dhe bijat e tyre. Kjo edhe ka ndodhur, mirëpo problemi është te mungesa e vendit të duhur për zhvillimin e aktivitetit. Dhoma që kam në biznesin tim Xhovani pica është e ngushtë dhe nuk lejon që të bëhen shumë aktivitete. Një ditë iu thash shokëve, ta hapim një shkollë shqipe, ku përveç mësimeve që do të bëhen për disa lëndë në gjuhën shqipe, do të bëhej edhe mësimi i këndimit, me luajtje me instrumente muzikore popullore shqiptare siç është çiftelia, vallëzimi etj. Dhe  kjo ndodhi me të të vërtetë (sot kemi një grup prej 25-30 fëmijësh të moshave të ndryshme deri në 14 vjeçare, ku vallëzojnë, këndojnë dhe natyrisht edhe mësojnë. Mësuesja e muzikës, Albina Zajmi, që është një mësuese e përgatitur mjaft mirë, e cila ka kryer shkollën e muzikës në Tiranë, është edhe këngëtare, këndon këngë operistike dhe u bie të gjitha veglave, madje edhe çiftelisë. Ajo është vërtet pedagoge e mirë dhe punon me takt pedagogjik dhe është shumë e pranueshme për fëmijët”.

Gjergj Dedvuka, krahas aktiviteteve të shumta kulturore, prioritet ka edhe biznesin, nga i cili siguron ekzistencën e familjes. Mirëpo të marrit me aktivitete kulturore dhe kombëtare shpesh i shkakton marrje kohe dhe ngecje në biznes, sepse të merresh me të dyja është punë e vështirë e veçanërisht në Amerikë, ku jeta është shumë dinamike, mirëpo kur këtë vend, sikur edhe pjesën më të madhet globit e ka përshirë kriza ekonomike. Megjithë këto vështirësi, këto sfida, ai mundohet t’ia dalë disi dhe kurrë nuk është bërë “pishman” pse është marrë me aktivitete kombëtare dhe kulturore duke lënë anash biznesin.

Sipas tij, biznesi është një punë që duhet ta bëjë përditë për të jetuar, sepse kjo të mundëson edhe marrjen edhe me aktivitete kulturore. Bie fjala në festivalin e vitit 1988 e ndonjë tjetër, Gjergj Dedvukaj të gjithë pjesëmarrësit i dërgon me financat e tij. “Sikur të kisha punuar me një rrogë të thjeshtë ta zëmë javore, thotë ai, kjo do të kishte qenë e pamundur, mirëpo marrja me biznes ma ka mundësuar këtë. Në atë kohë unë i kisha punët mirë me biznes dhe dëshiroja që çështja kombëtare të ecte përpara. Më vonë filloi të bie puna dhe gjërat erdhën dukë u vështirësuar. U desh të kërkonim mbështetje nga ndonjë donator, por edhe nga vetë anëtarët. Përveç kësaj, na është dashur që të japim para të mëdha për senatorët dhe kongresistët amerikanë të cilët duhet të flisnin për Kosovën. Kjo natyrisht se na ka kushtuar, por ka dhënë edh rezultate”.

Nga kjo bisedë shihet se Gjergj Dedvukaj pos me folklorin, është marr edhe me Ligën shqiptaro-amerikane, që do të thotë me çështjen e Kosovës. Kjo natyrisht se është sakrificë dhe do angazhim të madh, mirëpo këtë ai e ka parë gjithmonë si obligim kombëtar, të cilin duhet ta kishte çdo shqiptar me vetëdije të plotë kombëtar.

Jezu Krishti im janë Skënderbeu dhe Adem Jashari

Kthimi nga Gjirokastra dhe më pas nga Berlini, ku rrëmbyen çmimin e parë, në selinë e Gjergj Dedvukës shkon për të bërë një reportazh gazetari, tash editori i gazetës shqiptaro-amerikane “Ylliria”, Vehbi Bajrami, i cili pasi përgatit reportazhin që do ta botonte në një nga numrat vijues të gazetës, ku do ta botonte në një nga faqet më meritore, siç është ajo e mesit ilustruar me fotografi kolor, e thërret në telefon Gjegjin dhe i thotë: Dua të marrë opnionin tuaj në lidhje me titullin që dua t’iua vëjë reportazhit. Po çka të  të them, o Vehbi, i thotë Gjergji. Ti je gazetar, gjeje vet titullin. Jo, i thotë Vehbiu, dua të marr mendimin tënd se ashtu dua. Pasi që gazetari ishte këmbëngulës, më në fund Gjergj Dedvukaj i thotë: “Meqë po insiston, atëherë shkruaje kështu siç të them unë: Nuk kam ba asgja çka asht dasht me ba. Po si kështu, ti ke bërë mjaft, i thotë Vehbiu. Jo, i ia kthen Gjergji. Unë ende nuk e kam përfunduar programin tim kombëtar. Unë nuk jam Adem Jashar që kam shkrirë veten me 50 e më shumë anëtarë të familjes me më vu lapidar, por kam punua atë që kam mundur dhe që e kam ndie obligim ta punoj. E kam lanë edhe veten keq, ashtu edhe familjen dhe ka qenë rrezik t’i humbja edhe fëmijët, por për fat kjo nuk ka ndodhur”.

Gjergj Dedvukajn shpesh e kanë kritikuar pse nuk ka shkuar në kishë, sepse rrallë e fare shkon atje, por ai nuk ka pasur kohë t’i japë ndonjë përgjigje. Ai thotë se këtë e ka bërë për shkak të mungesës së kohës, por edhe për shkak të asaj se ai nuk ka ngarkesa fetare. “Unë, në radhë të parë e shoh kombin më të madh se fenë. Jezu Krishti im janë Skënderbeu e Adem Jashari”, shprehet ai, i bindur plotësisht se ka të drejtë.

Shkolla shqipe e Bronxit dhe funksionimi i saj

Një nga dëshirat e mëdha të Gjergj Dedvukës ka qenë ajo e hapjes së një shkolle laike shqipe në Nju Jork. Ai ka punuar edhe më parë në atë shkollën që kishte emrin “Naim Frashëri” që p[unonte në kuadër të Klubit “Jusuf Gërvalla: Për dhjetë vite me radhë Gjergji ka qenë përgjegjës i asaj shkolle. Dhe kur flet për atë shkollë dhe atë kohë të funksionimit të saj, ai flet me nostalgji dhe me shumë krenari. “I merrja katër fëmijët e mi e të shokëve dhe duke i bashkuar prej të gjitha anëve, i dërgoja në shkollë me një minibus. Më ka ndihmuar Bekë Bruçaj si mësues, pastaj Gjergj Domgjonaj. Dhe kështu kemi ecur, mirëpo nuk patëm mundësi ta mbanim shkollën, sepse pas mbylljes së Klubit “Jusuf Gërvalla” prindërit nuk i binin më fëmijët. Si përgjegjës i asaj shkolle natyrisht se nuk e ndieja veten mirë dhe pas mbylljes së saj kam qenë shumë i mërzitur dhe vazhdimisht më ka brejtur dëshira që ta hapnim prapë një shkollë shqipe, në të cilën do të mësonin fëmijët shqiptarë. Këtu ka shkolla shqipe, natyrisht, por në kuadër të shoqatave e të krahinave të ndryshme shqiptare dhe të kishave e të xhamive, mirëpo mua gjithmonë më ka trokitur dëshira që të kishim një shkollë e cila do të ishte e të gjithëve e jo vetëm e një krahu krahinor apo fetar, sepse kjo nuk i bën mirë kombit dhe komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në Nju Jork e kudo në Amerikë”.

Dhe më në fund vendos që një dëshirë të kamotshme ta bënte realiet.  Në lokalin e tij, në dhomën që e ka të rezervuar për aktivitete kulturore e kombëtare, e cila i shëmbëllen edhe një muzeu etnografik ai fton Mustafë Qosjen, që ishte kryetar i fondit për Plavë e Gusi, pastaj Ymer Ahmetajn, sekretar i atij fondi, të cilëve iu thotë: “Kam vendos me e hap një shkollë shqipe këtu, sepse i ka ardhur koha. E shoh se të dy jeni njerëz të duhur që mund të më ndihmoni dhe të bëhemi tre e më pas dua të thërrasim nga një përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, në mënyrë që të bisedojmë”.

Kështu edhe ndodhi, pas një takimi, ku përveç dy të përmendurve më lart, ishin edhe shumë të tjerë, pothuajse nga të gjitha viset, si Dr. Hasan Ademaj, intelektual dhe humanist nga Gjakova, Shaban Lajçi nga Rugova e Pejës, aktor dhe aktivist i palodhur në fushën e kulturës dhe njëherësh edhe pjesëtar i Bashkimit Kombëtar, Zef Bala, biznesmen dhe  aktivist i shquar si dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët, pas takimeve të njëpasnjëshme, vendosën të thërrisnin edhe konsullin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, Driton Mishton dhe Arta Ramën. Dhe pas disa takimeve u vendos që të hapej shkolla shqipe në Bronx, Me rastin e hapjes së kësaj shkolle, më 15 janar të vitit 2011, ishin prezentë edhe dy konsujt e lartpërmendur, të cilët prenë edhe shiritin. Me hapjen e kësaj shkolle sikur u realizua një pjesë e programit kombëtar të Shoqërisë kulturo- artistike “Bashkimi kombëtar”.

Shkolla filloi punën e saj me mjaft sukses dhe shoqërohej nga një entuziazëm nga të gjithë themeluesit dhe përkrahësit e saj. Mirëpo me kalimin e kohës, në sipërfaqe dalin edhe pengesa, të cilat i krijojnë shqetësime Gjergj Dedvukës, i cili jo pak shprehet i hidhëruar: “Populli ynë është aq i mirë sa edhe i keq nganjëherë, shprehet Gjergji. Ppo e them këtë, sepse për 35 vite të aktivitetit tim kam shumë përvoja. Jemi euforikë. Japim fjalë të mëdha, por kur vjen puna lodhemi shpejt. Bordi i shkollës ka 11 anëtarë, mirëpo gjysma e më shumë e këtyre anëtarëve të këtij bordi nuk e kanë dhënë asnjë cent. Madje nuk vinë as në takimet që duhet të jenë. Ata le që nuk kanë dhënë nga xhepi i vet, por as nuk kanë kërkuar nga ndonjë donatorë. Mësuesit duhet mbajtur. Madje disa le që nuk punojnë dhe nuk ndihmojnë, por edhe bëjnë propagandë nëpër kafe në dëm të shkollës. Gjë nuk japin e pengojnë nga jashtë. Pesë ndihmojnë e gjashtë shkatërrojnë. Kjo e vështirëson punën  tonë, aktivitetin tonë”, thotë Gjergj Dedvukaj.

I shqetësuar për pengesat që i behën projektit të tij Gjergj Dedvukaj përmend për të mirë anëtarët e Bordit të shkollës, Mustafë Qosjen, Sabri Gjonin, Dr. Hasan Ademajn, të cilët siç shprehet ai, “janë njerëz që ndihmojnë dhe kanë dëshirë të flaktë që gjërat të ecin përpara”.

Sipas Gjergj Dedvukajt, njerëzit më të rrezikshëm janë ata që nuk punojnë, që nuk ndihmojnë, por vetëm shantazhojnë. Këta njerëz ai i quan njerëz me tendenca të sëmura. Ai tregon se si pas hapjes së  shkollës, kur lajmi ishte lansuar në gazetë, shkon njëri në lokalin e tij dhe i thotë:

“E hapët shkollën, a?”

“Po, i thotë Gjergji.”

“Kam dashur ta hap unë.”

“Mirë, po pse nuk e hape?- ia kthen Gjergji’

Dhe këso tipash ka shumë në Nju Jork e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Këta, thotë Gjergj Dedvukaj asgjë nuk punojnë, vetëm kritikojnë gjithandej kafeneve e mejhaneve ku rrinë e dehen shqiptarët këtu në Arthur Avenue të Bronxit.

Megjithatë mësimi u zhvillua dhe me mjaft sukses. Për një kohë të shkurtër pati rezultate të theksuara. Mirëpo duhet punuar ende më komunitetin në mënyrë që ai të bindet që t’i dërgojë fëmijët në shkollë, ku do të mësonin gjuhën shqipe. Por në këtë drejtim ende ka mungesë mendësie dhe duhet punë, angazhim, por edhe përkrahje.

Kur u hap shkolla shqipe në Bronx, në janar të vitit 2011, një plak nga Malësia, i cili e dërgonte nipin e tij në shkollë i  thotë Gjergj Dedvukës: “Gjergji, dy herë gjatë jetës sime këtu në Amerikë e kam ndie veten mirë dhe krenar. Njëherë kur u formua batalioni Atlantiku dhe u nis për në luftën e Kosovës dhe hera e dytë, tash hapja e kësaj shkolle. Vërtet ia keni qëllue”.

Këto fjalë të këtij plaku janë për t’u vlerësuar dhe flasin shumë.

Në këtë pikë shihet se Gjergj Dedvukaj është i zhgënjyer, por nuk dorëzohet. Ai ka edhe planet që dëshiron t’i realizojë përmes ansamblit “Bashkimin Kombëtar”. Në mesin e anëtarëve të këtij ansambli ka njerëz që kanë kryer shkolla të larta të muzikës, ka instrumentistë të talentuar të veglave popullore shqiptare, ka aktorë, deklamues shumë të talentuar të cilët me përvojën e tyre jetësore dhe profesionale janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në fushat që kërkohet të japin. Ansambli në fjalë është komplet shkollë. Madje njëri nga njohësit e folklorit shqiptar, prof.dr. Agron Fico, i cili për disa vite jetoi dhe veproi në Nju Jork, duke parë punën dhe aktivitetin e Gjergj Dedvukës dhe duke parë rezultatet e këtij Ansambli, në një shkrim të tij, të publikuar në një gazetë, Shoqërinë Kulturo-Artistike “Bashkimi Kombëtar” e quajti Instituti të folklorit.

Qëllimi i Gjergj Dedvukës dhe i shokëve të tij është që kur të shkojnë në festivale kombëtare të vjetrit një ditë të ulën dhe t’i shikojnë të rinjtë në skenë duke performuar talentin e tyre. Kjo është jo vetëm dëshirë, por edhe detyrë e vazhdueshme e Gjergj Dedvukajt dhe e shokëve të tij Shaban Lajçit e Tomë Gjergjit që përherë i ka në krah dhe punojnë pa u lodhur.

Një dëshirë që si duket do të mbetet vetëm dëshirë e Gjergjit dhe e shokëve të tij si edhe e shumë shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Nju Jork, është hapja e një qendre kulturore shqiptare, në të cilën shqiptarët mund t’i zhvillonin aktivitetet e tyre kulturore, sepse ambientet në lokalin e Gjergj Dedvukës janë të ngushta dhe nuk ofrojnë atë që duhet. Gjergji thotë se ata që punojnë në kultivimin dhe ruajtjen e kulturës kombëtar e kanë për obligim që të angazhohen maksimalisht në këtë drejtim. Bie fjala, thotë ai, ndonjë multimilioner shqiptarë ( që këtu në Nju Jork ka mjaft) mund ta blejë një objekt të tillë dhe ta lëshojë për shfrytëzim për mërgatën shqiptare këtu, mirëpo nuk e bën, sepse nuk ia di vlerën kësaj pune. Dedvukaj thotë se për mundësinë e hapjes së një qendreje kulturore shqiptare në Nju Jork që nga viti 2005 ka marr premtime nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mirëpo deri më tani nuk është realizuar një premtim i tillë. Dhe kjo është duke i shkaktuar humbje të pakompensueshme shqiptarëve. Dikush mund të thotë se kjo nuk është ashtu, mirëpo a ka më humbje më të madhe se sa të asimilohesh si popull, kur i ke të gjitha mundësitë për të mos e bërë një gjë të tillë. Kur ke mundësi të ruash etnitetin tënd, kulturën tënde, gjuhën tënde. Kërkesat për hapjen e  një qendreje të tillë kanë qenë e vazhdueshme, sa herë që kanë ardhur delegacionet shqiptare, por edhe në konsullatën shqiptare dhe atë të Kosovës, por nuk ka ndodhur që të realizohet kjo kërkesë. Por duhet ta dimë se hapja e Qendrës Kulturore Shqiptare këtu në Nju Jork është shumë e nevojshme. Për këtë do të bindemi vetëm kur ta shohim funksionimin e saj, thotë Gjergj Dedvukaj.

25 Comments

  1. Duke e përgëzuar këtë atdhetarë të palodhur të çështjes kombëtare , z. Gjrgj Dedvukajt nga zemra i uroj edhe 100 vjet të tjera dhe të vazhdojë edhe më tutje për çështjen kombëtare. Duhet thën se jo vetëm Gjergji por edhe vëllezrit e tij, e në veçanti Gjon Dedvukaj janë të njohur në diasporën shqiptare për atdhetarizmën dhe punën e madhe që kanë bërë për çështjen shqiptare, pra jovetëm me zemër por edhe materjalisht…Vërtet e tërë diiaspora por edhe Tirana e Prishtina janë në dieni për veprimtarinë e tyre… Zoti ua shpërbleftë!!!!!

  2. Paramendo, fjala e par “restoranti i …” !!!
    Po sikur tishte psh. keshtjella, froni,selia, zyra,muzeu, libri, presidenca, rezistenca ne front etj etj… cka do duhet te publikohet? Nje enciklopedi?
    Kur nje aktivisti qe shqiptaria ka me mija e mija i shkruhet nje artikull aq te gjat sa te lodh ta lexosh, cka duhet shtuar dikujt qe bota normale … ………

    • Z. “Cemi”, si duket e paska marr per te keq fjalen “restorant” qe ne kete rast paska dal e para, mirepo sapo ta lexosh, ky restorant te kujton shume aktivitete dhe shume pune te medha qe jane bere e po behen per ceshtjen kombetare shqiptare. Ne mungese te zyrave dhe qendrave te shqiptareve, ku do te mblidheshein shqiptraret ne Amerike, ben pune edhe restoranti. Mos harro, z, Cem se ne Nju Jork ka shume pronare restoranteesh nga radhet e shqiptareve, por jo te gjithe kane sherbyer dhe i sherbejne me aq devotshmeri ceshtjes kombetare shqiptare.
      E pergezoj autorin e shkrimit, ndersa protagonistit, Z. Dedvukaj i deshiroj edhe nje shekull jete.
      Urime!
      Me respekt,
      Nga Kosova, Agron D.

  3. mendoj se nuk pat arsye tme shkurtohet komenti por ani.
    vet nuk thash asgja tkeqe. kam respekt per personin ne fjal por ama mos te teprohet se vetem i ulet vlera.
    paramendo sikur Gjergji tishte ken ushtar apo kolonel i UCKs? Cka i kishim shtua? Permendore? E cka ater me Adem Jasharin, se duhet dalluar pak apo?

  4. Cemi pajtohem me ju , se vertetë ky shkrim eshte shume i gjatë, sidomos për portale. Pajtohëm se si i tillë duhet durim i madh për ta lexuar. Por siç duket ky ka qene artikull në gazete, megjithëse edhe për gazete pajtohëm se eshtë i gjatë.Por nuk pajtohem se si ti po don ta përçmos këtë artikull, për çgje s’ke të drejtë . Me plotë bindje mund te them se ky atdhetar i meriton të gjitha ato që thuhen më lartë. Pra Gjergj Dedvukaj , është ndër atdhetarët më të flakët në diasporë. Ai gjithë potencialin intelektual e material e ka verë në të mirë të çështjes kombëtare

  5. “Cemi” çka ke berë ti për çështjen shqiptare, mos vallë ke qenë pjestar i UÇK-s. Sa ke ndarë nga të ardhurat apo sa e ke verë shtëpinë apo lokalet ne sherbim të çështje kombëtare????!!!! Besoj se mjaftë mirë e sqarojë “Agroni”, por siç duket për shumë persona është kot, sepse vetëm me krtikua dijnë e asgjë më shumë. Kjo është fatëkeqësia e jonë dhe për atë jemi këtu ku jemi…

  6. Ata cka un kam ba per ceshjten kombtare e kam ba nga ndergjegja dhe obligimi qe tgjith duhet ta kem dhe jo per marketing. Aq sa un, Gjergji e shum malsor tjer kan ba per ceshjte kombtare, i kemi me mijra shqiptar,per tcilt un kam respekt por e kan ba per veti dhe per te vetin.
    Cka duhet ba per ata qe shiten shpija e biznese per ceshtje kombtare? Cka duhet ba per ata qe luftuan e ata qe dhan jeten per ceshtje kombtare? Jan me qindra e me mija. Nese Gjergjit i shkruhet nje artikull kaq i egzagjeruem ater ato mijra shqiptar mertojn dicka pak ma shum, libra e encikopedi, lapidare neper sheshe, emra te rrugave, po do te na mungojn sheshet e rruget se nuk kemi aq sa kemi nga ata qe ben kaq per ceshjte kombtare.
    Po kishim malsor ne front ne Kosov. E cka ma shum mund te japin dikush se i…

  7. Po kishim malsor ne front ne Kosov. E cka ma shum mund te japin dikush se i gatshem te mbrojn ceshtjen me jeten,dhe un artikuj te ktyre permasave nuk i lexova per ta.
    Un gazetat i percjelli dhe ket shkrim ne asnjaren nuk e lexova, ndoshta dhe ishte, po ne cilen gazet?
    Ktu ne malesia.org po shihet se nuk eshte marr nga ndonje gazet por sigurisht ua kan nis per ta publikuar.
    Nderime dhe repskt.

    • I nderuar zoti Gjergj;
      Pervjetoret le te vine e te shkojne,por lumturia e Shqiptarizmi juaj le te vazhdoj perhere.
      I mbushesh 100 vjet,e mbas jetosh sa te duash ti vet.Perpiqu si gjithhere;kerko! me gjete,e kurre mos u dorezo.
      Fitorja nuk korret me kilometra por me centimetra; fito pak tani – mbaj pozicion,qendro ne tenden…dhe pak nga pak fito me shume…U plakem zoti Gjergj! dhe pleqeria qenka si me te denua per nje krim qe nuk e kemi bere.Kur shkuem ne FESTIVALIN KOMBETAR NE GJIROKASTER ishim te rinj….Edhe nje gje shoku im Gjergj;
      Milioneret shqiptare nuk bejne dot qendra kulturore! une e trajtoi nje milioner si nje njeri te varfer me para….pra feja e tyre eshte MILIONI. Dikush tha se nuk i donte restoranat?
      – E une i them; ai burre qe nuk i don,restoranat,grate e…

  8. zotri cemi te pakten gjergji ende eshte duke kontribu per qeshtje kometare kur … at restorant qe e ka e mbyll per konsumera dhe e hap per shqiptare dhe te gjith hajn e pin pa paguar as edhe nje cent edhe vend ku mbahen mbledhjet e te gjitha shoqatave … shqiptare ne New York… dhe shum gjera tjera qe gjergji i ben per shqiptart…. dhe une jam i bindur qe gjergji nuk ka than te jet ai shkrim aq i gjat.. por autori i keti shkrimi e ka bere…respekt per punen… e gjergjit…

  9. “Cemi” sikur të kishim pas me mija, siç thua ti, si gjergjin, çështja kombëtare do ishte dy apo tre hapa më përpara… Por fatëkeqësishtë veprimtar si Gjergji nuk janë as me qindra… Vërtet edhe pse me plot meritë, ky artikull është dashur të jetë shum më i shkurtër, por z. Cemi ty nuk të pëngoka gjatësia e artikullit por protagonisti i tij.,. Ti nga egoizmi ekstrem sdon të shohësh asnjë mbi ju. Gjergj Dedvukaj dhe e gjithë familja e tij ka veprua me shpirtë e me xhep për çështjen kombëtare, dhe për këtë e din e gjithë diaspora e më gjerë. Po ti i gjorë ku ke qenë ..Persona si Gjergj Shqiptarizmi meritojnë të publikohet.. Ti vetëm meriton që veprat e tua ti marr Cemi, asgje me teper!!

  10. Kurse atdhetarit Gjergj Dedvukaj dhe mbarë familjes së tij edhe një shekull jetë!!!!

  11. Ani ne rregull burra ose ma mir me than burr se shihet se ktu 1 person shkrua me shum nofka. Po nuk e shoh pse me kaq nervozizem? Gjelozi ndaj nje njeriu te rendomt, atdhedashes, aktivist nuk kam pse tkam. Un as nuk e sulmova ne asnje mnyr. Kjo nuk esht ne mentalitetin tim por qenka ne tendin qe po me sulmon.
    Un atehere propozoj qe personit ne fjal ti shkruhet nje liber dhe ti punohet nje lapidar e te dallohet nga qindra e ndoshta edhe mijra aktivist, atdhedashes te ceshtjes kombtare qe kontribuan me mund si aktivist, donator e ushtar. Kjo do ta dallonte nga ata dhe do ta barazonte me figurat ma te larta kombtare.

  12. Gjergji eshte nje shembull i mire i nje shqiptai cili asnje here nuk ka pushuar duke punuar dhe vepruar per te miren e shqiptareve. Jo pak here edhe ky si shume te tjere jane shfrytezuar per interesa personale te dikujt. Per Gjergjin dhe shoket e tij te klubi “Jusuf Gervalla” mendoj se nuk ka vend per kritika. Gjithsesi ky shkrim ndoshta eshte pak i gjate dhe i hollesishem, ndoshta do ishte me i pershtatshem per nje liber.

  13. Jufaleminderit te gjitheve qe kontribuat dhe po kontribuoni me komentetet e juaja ne lodhje me shkrimin, perkatesisht me protagonistin e ketij shkrimi. Eshte vertet pak i gjate, por sa per njoftim, eshte nje synposis per nje liber qe se shpejti do te botohet. Libri nuk do te beje fjale vetem per Gjergj Dedvukaj, por per Shoqerine Kulturo-artistike “Bashkimi Kombetar”, e cila tash e 20 vite vepron ne Nju Jork. Ne kete liber do te kete shume protagonistë, te cilet dhane kontributin e tyre te çmuar, qofte permes Klubit “Jusif Gervalla”, Shoqates “Ded Gjo Luli” dhe tash se fundi permes SHKA “Bashkimi Kombetar”.
    Besoj se nuk ka vend per asnje shqetesim. Te gjithe e dime se malesoret e Malesise se Madhe e kane dhene dhe po e japin kontributin e tyre per çeshtjen kombetare. Autori i…

  14. Gjergj se parit urime per 60 vjetorin, me shpres se do ti mbushesh se paku 100. Per juve dhe familjen tuaj te respektaur duhet te kemi te gjith vetem fjal te mira.I ndieri babai juaj Pashko Marku Dedvukaj ishte nje atedhetar i devotshem, na printe ne demonstrata per liri dhe pavaresi te kosoves. Ne shtepin tuaj shum her u merrnin vendime per protesta kunder shtetit Jugosllav per Republiken e Kosoves. Prandej nuk cuditemi pse djemet e te ndierit Pashko e kan marre rrugen e atedhedashuris, sepse dardha nen dardhe bjen,, dhe keshtu ndodhi me ket familje te ndershme e atedhetare. Per Ket familje duhet te shkruhet nje liber voluminoz dhe jo vetem nje artikull, besoj se edhe asaj do ti vin koha.URIME MIKU IME,,,,Gezuar ditelindjen..

  15. Ty personalisht urime per datelindje. Urime cdo shqipetari ne New York. Shpesoj se do na ftosh te festojme se bashku.

    • JU LUMTË GOJA I NDERUARI Z. BESIM MUHARDI! PËR KËTË SHKRIM KAQ TË SAKT DHE TË QELLUAR, PER 60 VJETORIN E Z, GJERGJ PASHKU DEDVUKAJ. E DI UN DHE E DIN TËR MALËSIA E MADHE SI DHE KOMBI SHQIPËTAR SE I NDERUARI Z. GJEGJ DEDVUKAJ SI DHE TË GJITH FAMILJA E PASHKO MARKUT DEDVUKAJ IA KAN KUSHTUR DHE IA KUSHTOJNË TËR JETËN ÇESTJES KOMBËTARA SHQIPËTARE. URIME! 60 VJETORIN Z. GJERGJ P. DEDVUKAJ! EDHE ISHALLA SHËNONI SHUME PËRVJETOR EDHE NË TOKAT TONA SHQIPËTARE. ZOTI U NDEROFT. ME RESPEKT: foto. shtjefën ivezaj. LEKAJ MALËSI E MADHE TUZ.

  16. Sa po lidhje ky me nofken URIME po si na quen ne Malsoret e Malsis se Boshnjakizuar, po cfar faji kemi pas ne qe jemi popudhuar edhe me boshnjak ne Malesi. Ata na i ka sjedhur shteti more zotni, dhe nuk esht faji i Malsoreve, prandaj ki kujdes me keto ckarravina qe shkrua dhe ofendon Malsoret sikur ne ti kishim sjedhur ata me deshiren tone. Plan Gjidoda prej planqorrit, ja maroj shpin Cernagorit jo prej qefit por me qyk te zorit. Edhe ne more vellau jon i nderuar qe po na ofendon ksi sojit, nuk i kemi sjedhur me qiefin ton, por kto jan pun shtetrore te Malazezeve, e jo tonat. Ne nuk do te jemi kurren e kurres boshnjak as sllavomalazez, megjithese jemi pak por sdo te dorzohemi aq lehte.TUNG

  17. Kam degjuar ca thashe-thuqe,parulla e murmurima se ne New York gjindet nje vathe – restorant i dy vellezerve,bashkekombasve tane,ku ne mes tjerave ripertypet ushqimi? Dy vellezer sternipat e G…….. F…….. e nipat e G….. G…… se trieshit jane pronaret – Dhe kam nje parandjenje te keqe mosbesimit ndaj padronave te atij restoranti – se aty po zhvillohen aktivitete ne dem te Malesise? A din kush per kete?na trgoni me shume! Valle,dy lloj restoranash…!? – nje ku shtrohet buka e krypa e malesorit,e tjeteri ku ripertypet ushqimi.

  18. Po nevet e dime se na e beri shteti dhe regjimi malazez. Nuk duhet filozofi te vihet tek ky konkludim. Nevet dime per qellimet e pushtetit malazez. Por sa i rezistuam. Ku jane rezultatet. Kurr nuk kam thane se ne shqipetaret e kemi kolonizua Malesine. Por as nuk kemi patriota aq te medhenj qe te festojme. Ata patriota jane ne koder te kishes.

    E rende eshte e verteta. Por nuk kemi patriota te tille te festojme . Nuk kemi Adem Jashara. e As te ngjajshem

  19. Urime po edhe une po te them URIME, jetojm ne boten e globalizimit, nuk ka ma shtete etnikisht bte pastra, apo teritore etnikisht te pastra, keshtu ben edhe me Maslin ton, na i prun boshnjaket dhe kjo esht ber REALITET tani duhet ta pranojm, skemi deshir por ja qe u be, prandaj duhet te mundohemi te gjejm nje gjuh te perbashket edhe me ta(por gjitheher duke e ruajtur etnitetin ton kombetar) dhe kjo esht e veshtir ne kushtet tona, sidomos ne TUZ ku jan te pperzier e gjithe popullata(se ne Hot,Grud e Triesh e Koje), ska problem porse atje skan mbetur shum popullat, dhe me randesi esht mos me u asimilua Tuzi me rrethina. Urime koha e Adem Jasharajve per Malsin ka kalua(e kemi pasur kohen por se kemi treguar vetin ne at aspekt), tani esht shum von. Te pershendes…

Comments are closed.