Kandidati presidencial, z. Filip Vujanovic, në tubimin promovues në Ulqin, ku edhe filloi fushatën e vet, tha se është krenar që e mbështesin shqiptarët dhe se çmon që ata “ kanë dhënë kontribut të pa çmuar në krijimin e shtetit të Malit të Zi”, por lirisht ka mundur të shtojë edhe në mbajtjen e PDS-së në pushtet për gjatë 15 viteve. Kurse shqiptarët si kundër-shpërblim a mos përfituan gjë?! Përpos gishtit të mesëm të z. Gjukanoviq me rastin e premtimit të referendumit për Komunën e Malësisë, që përndryshe edhe këto ditë është mjetë pazardhëku, respektivisht mjet kushtëzimi. Edhe pse e tha këtë Filipi, disa nga ne nuk e besuam, sepse nga ata që fushatën e vet e zhvilluan kundër PDS-së dhe UDSH-së pritnim të kundërtën. Por Filipi kishte të drejtë. Udhëheqësit tonë politikë ia premtuan atij mbështetjen e vetë dhe të votuesve të vet. Mbetet vetëm që këta të fundit t‘i dëgjojnë!? Por ka gjasa se nuk do ta bëjnë këtë! Ata nuk mund të shohin se me çka e ka merituar përkrahjen zoti Vujanoviq. Mbështetësit e tij le të theksojnë një meritë të tijën; le të na e thonë një arsye të vetme ai vetë apo përfaqësuesit e partisë së ti, duke mos llogaritur aty interesat personale, për ç’ arsye do t’a mbështetin shqiptarët, e madje edhe pakicat e tjera. Ata nuk kanë asnjë. Por pakicat në Mal të Zi dinë me qindra arsye përse nuk duhet që ta mbështesin. Që nga koha kur ka qenë ministër i policisë, pastaj Kryeministër, e deri President i shtetit.
Sipas të dhënave në shtyp, liderët tanë përpiqen që mbështetjen ndaj Filipit ta arsyetojnë me Referendumin e premtuar për komunë, kurse disa mbështetjen e kushtëzojnë pikërisht me këtë, gjë që edhe nëse referendumi organizohet, ai nuk është fare garanci se do të ketë komunë, por është vetëm vazhdim i manipulimit me lojën e shkopit dhe të karotës. Vetëm një zot e di se sa kushtëzime dhe sa zgjedhje planifikohet të fitohen në llogari të këtij premtimi, respektivisht, të këtij mashtrimit. Përndryshe, konsideroj se nuk është e udhës që t’i besohet dikujt që deri tani nuk ka përmbushur asnjë premtim dhe nuk ka respektuar asnjë marrëveshje. Pra nuk është e udhës t’i besohet as tani. Nëse do t’i besonim, në sytë e botës do të dilnim naiv, kurse në sytë e atyre që dinë mënyrën se si funksionon ky pushtet, edhe shitës, apo tregtarë, që shesin të drejtat e qytetarëve të vet. E çështja është kjo: kush guxon që të drejtën elementare të njeriut ta konsiderojë mjet zhvatjeje apo matrapazllëku. Me një veprim të tillë liderët tanë do ta shpërblenin pikërisht atë i cili e mohon këtë të drejtë elementare tash më dekada me radhë. Ku gjetën pikëmbështetje liderët tanë politikë për të mbështetur kandidatin jo kushtetues. Kandidatin, gjatë mandatit të të cilit pakicat janë sjellë në pozitë më të keqe nga të gjitha pakicat në shtetet për rreth, ku ato nuk kanë qenë aq lojal ndaj shtetit ku jetojnë, siç është rasti në Mal të Zi.
Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, shqiptarët nuk mendojnë bash sikur liderët e tyre. Ata me ngurrim, e ndonjëri edhe me frik, përmendin arsye të shumta përse do të refuzojnë të dëgjojnë liderët e vet dhe nuk do të mbështesin favoritin e tyre, pikërisht për shkak të asaj se “e njohim”. Dhe vërtet pakicat e njohin dhe e mbajnë mënd mirë! Boshnjakët dhe myslimanët e njohin më së miri për burgosjet e krerëve të SDA-së në vitin 1992, pastaj për vërsuljen e policisë speciale në stadiumin e Plavës në vitin 1996, kur ai ishte ministër i policisë, kurse ne shqiptarët ndër të tjera, e mbajmë mend për aksionin policor “fluturimi i shqiponjës” dhe procesin e montuar gjyqësorë, sidomos për torturën e ushtruar ndaj pleqve, grave, fëmijëve dhe të arrestuarve, kështu që shumë nga ata në ditën e votimit me siguri do të vendosin pikërisht sipas këtyre “meritave”. Nëse këto janë arsyet për të cilat duhet mbështetur, atëherë edhe unë jam aty! Mirëpo, ata të cilët u deklaruan për t’i dhënë mbështetje një ditë edhe mund të turpërohen për këtë. Së këndejmi, unë si shqiptarë u bashkëngjitëm të pakënaqurve me vendimin e krerëve tanë politik dhe në emër të të gjithë të pakënaqurve ngreh zërin kundër kësaj përkrahjeje dhe kundër zhvatjes me të drejtat tona, të cilat tentohet të na bëhet edhe një mashtrim tjetër. Ngreh zërin kundër pozicionit të “shkopit dhe karotës”, kundër shpresës së rrejshme për naivët dhe të dëgjueshmit, respektivisht grupeve të interesit, sepse nën këtë pushtet vështirë se do të ketë komunë. Ngreh zërin kundër shpërblimit të atyre të cilët luajnë rolin e pronarit të të drejtave tona dhe të jetëve tona. Duke konsideruar se shpëtimi i vetëm i shoqërisë së gjithmbarshme, prandaj edhe e Malit të Zi, qëndron në ndryshime, unë si shqiptar them se ne nuk kemi favoritin tonë në këto zgjedhje, por dimë se kujtë duhet t’i themi JO.
Protestoj kundër rolit të këtillë të liderëve politik të shqiptarëve të cilët mandatet e veta i kanë fituar në opsionin kundër këtij pushteti, e pastaj nxituan t’i hidhen në përqafim të njëjtit pushtet me një herë pas zgjedhjeve dhe kështu dolën marioneta në duar të pushtetit, prandaj konsideroj se ata duhet t’i kërkojnë falje publikisht UDSH-së dhe ish liderit të tij Dinoshës, për të gjitha akuzat në llogari të bashkëpunimit të tij me qeverinë malazeze. Megjithatë ky bashkëpunim është më pak parimor dhe më pak i dobishëm. Por gjithsesi është edhe më naiv! Dhe më i panevojshëm për Malin e Zi.
Dhe në fund, liderët dhe pakicat në Mal të Zi duhet ta kenë të qartë se një premtim më shumë i pa respektuar, në oqeanin e shumë premtimeve të tjera të pa realizuara, me siguri nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe për ata të cilët nuk respektojnë as kushtetutën, sepse të presësh që do t’i përmbushë premtimet e dhëna presidenti i cili shkel kushtetutën me qellim të kandidimit të vet, është plotësisht e pakuptimtë.
Derisa po bëja këtë tekst, mendoja për titullin dhe idenë ma dha një kolegë imi. Të hënën e parë pas fitores së PDS-së në Nikshiq, ai, për të cilin duket se është më e rëndësishme fitorja në Nikshiq se sa statusi dhe prosperiteti i Malësisë, në vend që të na thotë mirëmëngjesi, i lumtur dhe i entuziazmuar tha : “Njerëz, Filipi ante portas!“. Sa u përket pakicave në Mal të Zi do të duhej t’i mundësohej që këtë klithje ta përsërisë edhe pas zgjedhjeve presidenciale: Filipi pas dyerve!
(Publikuar në “Vijesti” më 16 mars 2013)