Gjendet kufoma pa kokë afër një shpelle në Malësinë e Madhe!

Ishte e dekompozuar, koka iu gjet disa metra më larg. Banorët: nuk është i zonës

Një kufomë e dekompozuar dhe pa kokë është gjetur dje në mesditë në një terren malor, pranë një shpelle në fshatin Zagorë të Rrethit të Malësisë së Madhe. Gjithçka është zbuluar nga një bari i zonës, në moshë të mitur, i cili më pas ka lajmëruar kryeplakun dhe ky i fundit ka raportuar në polici ngjarjen.

Trupi i dekompozuar, sipas policisë, është mashkull rreth moshës 50 vjeç dhe dyshohet se ka të paktën 3-4 vite në vendin e gjetur. Për shkak të dekompozimit të madh, viktima nuk është mundur të identifikohet. Pas kërkimeve të bëra, koka e viktimës është gjetur pak metra larg trupit. Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen dhe eshtrat e viktimës do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se për shkak të dekompozimit të madh është e vështirë për të përcaktuar dhe mënyrën e vdekjes dhe për më tepër për të gjetur prova me vlerë në vendin e ngjarjes. Banorët e zonës janë pyetur nga policia nëse ka persona që janë shpallur të humbur në zonën dhe fshatrat përreth dhe nuk ka rezultuar që të ketë persona të zhdukur. Aktualisht, nisur nga kjo, policia ka krijuar bindjen se viktima mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe është sjellë në terrenin malor për të humbur gjurmë. Një nga banorët e zonës që ka qenë bashkë me kryeplakun të parët në vendin e ngjarjes tregon për gazetën “Shqip” detaje nga kjo ngjarje.

Si e zbuluat kufomën?

Është zbuluar rastësisht. Dëgjuam fëmijët që nxjerrin bagëtitë në mal duke thënë se janë eshtrat e një njeriu në malin e Mushjerit dhe shkuam aty. Gjithçka rezultoi e vërtetë.

Ku dhe si e gjetët trupin e pajetë, në çfarë gjendje?

Ishte në të hyrë të shpellës, ishte pa kokë dhe kokën e gjetëm pastaj pak metra më larg. Ishte shumë i dekompozuar, i kishin mbetur kockat dhe rrobat. Ishte një pamje e tmerrshme. Pastaj u lajmërua policia, e cila erdhi dhe kreu veprimet e saj.

Çfarë kishte të veshur?

Kishte një si xhaketë të trashë në ngjyrë jeshile, në këmbë atlete të bardha dhe xhinse. Ata të policisë thanë se mund të jetë rreth të 50-ave dhe është i seksit mashkull.

Mendoni se është banor i zonës?

Jo, jo, nuk besoj këtu në fshatin tonë dhe as në zonën përreth, nuk kemi persona të zhdukur. Kjo ngjarje nuk ka të bëjë aspak me fshatin tonë. /G. Shqip/