Tuz, Malësi (25.03.2013) – Në Gjimnazin e Tuzit “25 Maji”, sot rreth orës 12:30 erdhi deri te një rrahje masive në mes të dy grupeve të nxënësve të kësaj shkolle. Si pasoj e këtij incidenti tre nxënës me lëndime të lehta trupore u dërguan në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Sipas drejtorisë se policisë në njoftim dhënë medieve, bëhet e ditur se në korridorin e shkollës, në katin e parë, rreth orës 12:30, ka ardhur deri te një konflikt fizik në mes të dy grupeve nxënësish të paraleleve nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Sipas këtij njoftimi, ishte reagimi i policisë ai që parandaloi zgjerimin e incidentit dhe se janë identifikuar të gjithë aktorët e ngjarjes, të cilët janë marrë në dëgjim nga ana e policisë.
Arsyet e kësaj ngjarje ende nuk janë të njohura edhe pse mediet malazeze incidentin e sotëm e paraqitën si incident fetar i ndikuar nga incidenti që ngjau në Dinoshë para disa ditëve.
Gazeta Vijesti shkruan se incidenti ishte planifikuar të premten përmes rrjetit social “facebook”.
Sipas disa nxënësve (dëshmitarë) të cilët kërkuan të mos u zbulohet identiteti, njëri grup i nxënësve e kishte planifikuar incidentin dhe kjo u zbulua gjatë mëngjesit, megjithatë në shkollë gjatë rrahjes ishin të pranishëm vetëm dy policë të cilët nuk patën shumë sukses në parandalimin e incidentit. Më vonë në shkollë dhe përreth sajë erdhën numër i madh i policëve. /MALESIA.ORG/