Tuz, Malësi (03.04.2013) – Iniciativa Qytetare – Tuz, fton shqiptarët që në zgjedhjet presidenciale të 7 prillit të dalin në zgjedhje por të tregojnë revoltën e tyre duke bërë të pavlefshme fletëvotimin, duke rrumbullakosur të dy kandidatët. Të shpallet fletëvotimi i pavlefshëm në një apo tjetër mënyrë.
IQ në deklaratën e tyre dhënë portalit Malesia.Org, theksuan se votën e shqiptarëve nuk e meriton asnjëri nga kandidatët, pra as Filip Vujanovic, kandidat i DPS-së.
“Jemi në pragun e zgjedhjeve presidenciale në të cilat asnjëri prej kandidatëve nuk e meriton votën tonë.
Ne jetojmë dhe veprojmë në shtetin e Malit të Zi më tepër se 100 vite por ende se kemi arritur shansin, mundësinë por as barazinë me të tjerët.
Ende Malësia mbetet pa komunë të premtuar më se 20 vite. Shqiptarët ende të diskriminuar, të papunë, të shpërngulur, me procese të montuara gjyqësore, me ligje diskriminuese të nënshkruara dhe të shpallura nga vet kryetari i shtetit, me privatizime të dyshimta, duke na i marr pronat tona fisnore, derisa pronat e të tjerëve u kthyen pronat tona bëhen shtetërore. Nga ky pushtet, sipas nevojave ditore të tyre, projektohen, madje mjerisht edhe po realizohen incidente të cilat ndër Shqiptar nuk kanë ndodhur kurrë”, shkruan në deklaratë.
Kandidati për president i cili nga posti që po ushtron kushtëzoi Kosovën me njohjen e pakicës Malazeze i harroi të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare të afro 40 mijë Shqiptarëve në Mal te Zi, thuhet në deklaratë.
Sinishtaj thotë se këto janë vetëm disa arsye që kandidati i PDS-së nuk e meriton votën e Shqiptarëve.
Ai thekson se as kandidati i opozitës nuk meriton votën e shqiptarëve.
“As opozita deri më sot nuk ngriti dorën as zërin për mbrojtjen e të drejtave tona, madje as për ato të drejta që i gëzonim në bashkësinë Serbo-Malazeze. Këto, sipas nesh janë arsyet që na imponuan të ftojmë bashkëkombësit me të drejt vote në Mal te Zi, të cilët ndajnë qëndrimin tonë, se parimet kombëtare mos ti zëvendësojmë dhe ti shesim për pozita dhe funksione politike ditore, por ditën e Diel me 7 prill të dalin në
zgjedhje dhe tu tregojmë pushtetmbajtësve por edhe të tjerëve se ne Shqiptarët nuk jemi të kënaqur me pozitën tonë në shtetin ku jetojmë.
Andaj i ftojmë të gjithë votuesit Shqiptar që në një apo mënyrën tjetër fletëvotimin me 7 prill 2013, ta bëjmë të pavlefshëm. Në këtë mënyrë të tregojmë revoltin tonë ndajë mospërfilljes dhe mosrealizimit të kërkesave tona legjitime, por edhe evitimit të mundësisë së manipulimit të votës sonë”, përfundon deklarata e nënshkruan nga funksionari i këtij subjekti, Vasel Sinishtaj. /MALESIA.ORG/