Zyra e Policisë Evropiane – EUROPOL – ka thënë se pastrimi i parave në Mal të Zi është “problem serioz”.
“Mali i Zi ka problem me pastrimin e parave, sepse paratë e fituara në mënyrë ilegale, investohen në shpenzime dhe punë legale”, thuhet në raportin e kësaj zyre, të cilin e transmetojnë mediat në Podgoricë, transmeton REL.
Sipas tij, është ende e paqartë se çfarë lidhjesh ka kapitali i fituar në këtë mënyrë me autoritetet shtetërore. Nën vështrim special janë manjatët rusë, biznesi i të cilëve ka qenë i dyshimtë për policinë evropiane me vite të tëra.
“Milionat e fituar në mënyrë ilegale në Rusi, shpesh përfundojnë si investime të pastra në hotele apo vila, në bregdetin e Malit të Zi”, thuhet në raport.
Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Mal të Zi ka thënë se raporti i EUROPOL-it, i publikuar në media, nuk është dokument zyrtar. /INA/ – /MALESIA.ORG/