Krajl Nikolla i Malit të Zi nuk është simbol i shqiptarëve

Reagim ndaj tezës së zezë të presidentit malazez, Filip Vujanoviç, shpall më 3 prill 2013 në Tuzin shqiptar, para partive e qytetarisë shqiptare: “Krajl Nikolla ka luftue për çlirimin e pavarësinë e Shqipërisë”(!)

Nga Ramiz Lushaj

1.

Real-politika kombëtare mbarëshqiptare duhet të mësohet të vlersojnë me dinjitet ma të lartë shqiptarinë etnike në Mal të Zi për historinë e sakrificat e saj biblike mijëravjeçare.

E ngrej këtë çështje të ditës për një arsye madhore: nuk duhet të lejojmë boshllek etno-historik e politiko-shoqëror për këto treva etnike shqiptare në këtë shtet të vogël ballkanik, sepse do na e për/mbushin me shovinizëm e egërsi kundërshqiptare liderë malazias si presidenti Vujanoviç, i cili më 3 prill 2013 deklaroi pavërtetësisht e paturpësisht në Tuzin shqiptar, para partive e qytetarisë shqiptare sikur “Krajl Nikolla ka luftue për çlirimin e pavarësinë e Shqipërisë”(!)

Kjo tezë e zezë e presidencës malazeze kërkon shqiptarisht reagime mbarëkombëtare.

Në asnjë vend apo kohë, në asnjë mënyrë apo rast, krajl Nikolla i Malit të Zi nuk mund të flamurtarizohet si simbol malazez, as i çlirimit e pavarësisë shqiptare në shekullin e kaluar dhe as për bashkëjetesën e sotme politike, kulturore e shoqërore në mes të shqiptarëve e malazezëve në shekullin e sotëm në këtë shtet të vogël ballkanik.

Kjo për arsye historike e politike tragjike: Krajl Nikolla është kryeshtetari malazez ma gjakatar ndaj shqiptarëve dhe në kohën e mbretërimit të tij e trefishoi territorin e Malit të Zi me pushtime të përgjakshme e aneksime të padrejta të tokave etnike shqiptare.

Një dëshmi historike: Nikolla I ishte një frankofon i thekun bashkë me mixhën e tij (princ Danilo I, 1826-1860) dhe hallen e tij në Trieste, gjersa e xhelozuan edhe Rusinë cariste. Nikolla I u shkollue në Lycée Louis-le-Grand në Paris dhe mundohej të ishte i modeluar në jetë si një “parisian”. Nikolla I pas trashëgimit të fronit të princit të Malit të Zi ma të parën udhanisje (1867) e kreu në Paris, me vizitën tek perandori francez, Napoleoni III. Pavarësisht nga këto lidhje, atribute e merita frankofile gazetari e deputeti francez, Z.D. Estournelles, në një konferencë zyrtare, në një letër të hapur botue në media në Paris në mars 1920, i drejtohet këtij kryekrimineli malazias me urrejtje e përbuzje të madhe për krimet e përgjakshme e mizore të  kryera ndaj shqiptarëve: “Më vjen turp të quhem njeri, kur edhe mbretit të Malit të Zi i thonë njeri” (Revista “Dituria”. Nr. 1. Tiranë, 1929).

Tashti, një shekull ma vonë, i perifrazoj Vujanoviçit: Më vjen turp të quaj ty, o  president shoven kundërshqiptar, si  një “politikan i moderuar” siç ta ka ënda vetjake e politika oborrtare, pasi në karrierën tande si ministër i Drejtësisë dhe i Brendshëm (1993-1998) apo kryeministër i Malit të Zi në shtetin e fundit federal jugosllav, ishje fuqimisht me mendje, zë e hapa “pro” kriminelit Millosheviç dhe tani në shtetin tand sovran malazez je një “krajl Nikolla” i vogël, siç e paraqite veten edhe në dy raste në Tuzin shqiptar: me aksionin shoven “Fluturimi i Shqiponjave” më 9 shtator 2006 dhe me këtë deklaratë presidenciale të 3 prillit 2013.

2.

Dinastia Petroviç – Njegoshi, pjellë vija-genetike e të cilës vargavjen edhe krajl Nikolla I, ia nisi rrugëtimit politik e fetar si “gjak blu” sllav-serb në një fshat në shpatina të malit Llovçen (në brendi të parkut të sotëm nacional në komunën e Çetinës) me Danilo I (1670-1735).

Ai ishte një ortodoks serb i Mitropolitit të Çetinës, i njoftun ndryshe edhe si “Peshkopi Danilo” (1697-1735). Ai ishte i mveshun si “Princ”, i vetreklamuar si “Duka i Tokës Serbe”. Ai po ngrinte një “Peshkopatë-princore” të artikuluar deri në kufijtë e legjendës. Ndërkohë as vet nuk e miradinte nëse “peshkopata princore” do të ishte realisht një shtet si ky “Mali i Zi”i sotëm. Në v. 1732, dy vjet pa ik nga kjo botë, në një tekst të shkruar me dorën e tij mbi një ungjill të dhanun dorazi si dhuratë për Patriakanën e Pejës, duke u vetëmburr me atë frymën tipike sllave, nënshkruan: “Danil Njegosh, peshkop i Çetinjës, kreu i tokës serbe”.

Mbi një shekull ma vonë edhe princ Nikolla I – i shtati brez i dinastisë Petroviç-Njegoshi, në fillesat e veta politike duke qënë Princ i ri në fron i Malit të Zi ishte antar i organizatës “Rinia e Bashkuar Serbe” në Principatën e Serbisë (1866-1871).

Pas ndalimit të saj, ky princ malazez e themeloi në Çetinë (1871) organizatën “Bashkimi Serb për Çlirim”.

Asnjana nga këto dy organizata nuk e mban si përbarës a të përveçëm emnin “malazez”(!) Kjo ndodhte për faktin se këta liderë ndjeheshin ende serbë në gjak e në shpirt përgjatë proçeseve historike-politike të krijimit të këtij shteti artificial sllav, të formësimit të “kombit malazez”(!), që ende edhe sot ka mbetë një shtet multietnik, ku asnjë nga kombësitë etnike apo pakicat etno-kulturore të tij nuk e ka shumicën e popullsisë.

Këto dy organizata kishin platformë shovene kundërshqiptare dhe në përbamje të tyne kishte kriminelë të gjakderdhjeve të pafajshme shqiptare. Vet organizata e krijueme nga krajl Nikolla (1871) rreth shtatë vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishte antarë disa kriminelë të njoftun botënisht për masakra të kryera ndaj shqiptarëve, si vojvoda i pashpirt Masho Vrbica (1833-1898) nga Banja-Lluka e Hercegovinës, i shkolluem në Akademinë e Artilerisë në Shën Petersburg të Rusisë, komandant artilerie në Luftën e Grahovacit (1858), në Tivar (nëntor 1877), etj. dhe ministër i Punëve të Brendshme të Malit të Zi (1877) apo, tjetri: kuçasi faqezi, vojvoda poet, Mark Milani (1833-1901) analfabeti që komandonte ushtrinë malazeze-serbe në dy betejat e Luftës së Nokshiqit (1879-1880), etj.

3.

Mali i Zi – ky “fëmijë i paligjshëm euro-otoman”- ia ka fillanis në mesjetë rrugëtimit etno-historik si klan ortodoks sllav në një territor rreth 1.500 km2.

Studiuesit malazezë Predrag Gjuroviq, Osman Gërgureviq, Mirella Gjuroviq, Aleksandar Petroviq në tekstin shkollor “Gjeografia” (botim zyrtar i ETMM. Podgoricë, 2007) e saktësojnë këtë truall si “madhësi fillestare” të këtij shteti që për shqiptarët e djeshëm e të sotëm është pushtues, asimilues, shfrytëzues. Asokohe, ky ”shtet”, përfshinte vetëm katër krahina: e Rijekës, e Katundeve, e Cermnicës dhe e Leshanit. Kjo sipërfaqe, sipas një përllogaritjeje, ishte diçka sa komuna e sotme metropolitane e Podgoricës, përndryshe: pak ma i vogël se tri komunat dikur tokë e popullsi shqiptare si Plavë-Guci, Beranë, Rozhajë.

Princi-peshkop Danilo I, kryepari i dinastisë kundërshqiptare Petroviç-Njegoshi (prej nga doli edhe kundërshqiptari i rradhës, Krajl Nikolla) ishte themeltar i lidhjeve ruso-malazeze.

Vetëm në v. 1715 kur shkoi për vizitë në Shën Petersburg tek Cari i Rusisë, Pjetri i Madh e dritëpă në prag e horizont perspektivën e një shteti të ardhshëm sllav në aleancë me rusët e stepave dhe në kurriz të territoreve etnike shqiptare, që tevona në hartën gjeo-politike të botës  do të merrte emnin e derisotëm të një shteti sovran “Mali i Zi”, herë si monarki e herë si republikë.

Perandori autokrat rus, Pjetri i Madh (1682-1725) e njofti zyrtarisht Danilo I si “princ-peshkop” në Çetinë (si edhe Kisha Ortodokse Ruse), i dha në përcjellje e periodikisht ndihma të mëdha ekonomike, financiare e ushtarake, i kërkoi ngritjen graduale të një ushtrie mësymëse, i siguroi zgjerimin e territoreve drejt kufinit otoman (në toka etnike shqiptare), etj.

Dy hapa diplomatik të jashtëzakonshëm i ndërmori Perandoria Ruse: ngritja e menjëhershme e një konsullate (ambasade) ruse në “peshkopatën princore” të Çetinës dhe, tjetra: i bani presione të fuqishme e të pandalshme Portës së Lartë për lëshime graduale e epokale ndaj “peshkopatës” (Mali i Zi) në territore të reja (shqiptare) dhe në ecje drejt autonomisë e pavarësisë së saj.

Kur princi-peshkop Petar II i dinastisë së Petroviç-Njegosh po largohej nga kjo botë prej sëmundjes së randë të tuberkulozit nisi rivaliteti i përkohshëm në senat, tubime e në rrugë për pasuesin e fronit në mes të vëllait të paraardhësit, Pero Tomovit, që donte të ishte veçse “princ’ (jo peshkop) dhe Danilo II që “donte” të ishte sipas traditës kotorrase “princ-peshkop”. Në këtë duel të pambyllun doli ma i fituar Danilo II, i cili mori votëbesimin e shumicës së klaneve (fiseve). Kah vjeshta e vitit 1851 ndërmori një udhëtim politiko-fetar në Vjenë dhe pastaj shkoi në Rusi me pretekstin për t’u shugurue si “peshkop i Malit të Zi”. Atje, në Shën Petersburg, u takua zyrtarisht me Carin e Rusisë, Nikolla I, të cilit i mori një akt-dokument që e njihte si “Princi Danilo I i derës së Petroviç-Njegushi të Malit të Zi”.

Aleatja strategjike ma besnike, Perandoria Ruse, i kishte dhanë bekimin “Principatës së Malit të Zi”.

Kur u kthye në Çetinë në pranverë të vitit 1852, Danilo I (mixha i Krajl Nikolla I) pas shekujsh të sundimit teokratik të “peshkopatës princore”, e ndryshoi statusin e tij e të vendit të vet. Principata u bă laike dhe vet u bă i pari princ laik malazez derisa vritet me atentat në portin e Kotorrit më 13 gusht 1860.

Kaq kupolë mbi krye dhe frymim në gjithçka ishte Perandoria Ruse për Principatën e Malit të Zi saqë edhe për martesën politike në kishën e luginës të Llovçenit të princit 19 vjeçar në fron, Nikolla I, me çikën kotorrase 13 vjeçare, Milena Vukotiç, u desh të merrej bekimi i Car Aleksandri II i Rusisë. Ky mision u krye në vitin 1860 duke shkue në Shen Petersburg vet i ati i Milenës, vojvoda Petar, një nga pasanikët ma të mëdhenj të principatës, mik i ngushtë i derës e derteve me Mirkon – babën e krajl Nikolla I dhe një nga kundërshqiptarët ma ekstrem duke marrë pjesë në luftëra dhe dhanë fonde të shumta e të shpeshta.

Aliazhore ishte e mbetet kjo lidhje ruso-malazeze. Kjo duket edhe sot kur rusët blejnë toka bregdetare e në thellësi të Malit të Zi, kryejnë investime strategjike, etj. Ndihma e aleatit të madh e të prejkohshëm ishte aq e madhe, e pazëvendsueshme, saqë malazezët e quajtën ndër shekuj Rusinë si “Nana e Madhe”.

Në fundshekullin XIX, në kohën e krajlit Nikolla I, kur popullsia në Mal të Zi ishte mbi 200 mijë banorë, malazezët e serbët deklaronin në zyra e rrugëve të Kotorrit: “Ne dhe Rusia bëhemi 200 milionë banorë”.

4.

Pas Rusisë, Franca, e prirur si prosllave, në vitin 1855 e ngriti në Çetinë konsullatën (ambasaden) e vet, të cilat kishin një personel të madh në këtë qytet të vogël. Ato i kryenin (ndër)lidhje e detyra diplomatike me Malin e Zi dhe me fuqitë e tjera të kohës që e rrethatonin këtë “peshkopatë” apo “principatë” malazeze si Perandoria Otomane, Perandoria Austriake (Austro-Hungareze), Republika e Venedikut, etj., me shqiptarët etnikë paqësorë e kryengritës përgjatë lumenjve Tara, Cem e Moraça dhe bregdetit Adriatik nga liqeni i Shkodrës në Tivar.

Këto dy ambasada në Çetinë, përfaqësuese të gjithëpushtetshme e të jashtëzakonshme të dy perandorive të mëdha Ruse e Franceze, e ngritën me art e mund nëpër shekuj historie shtetin artificial të Malit të Zi.

Astenjiherë nuk do të arrinte Mali i Zi me forcat e veta të krijonte shtetin e sotëm përballë fuqive të tjera të mëdha perëndimore e lindore të tokës ndër/kontinentale euro-aziatike e të përtej detit Adriatik e hapësirave të Mesdheut; përballë hegjemonisë të klaneve sllave në Ilirikum (Ballkan) apo shteteve të tyre autonome si Serbia, etj.; përballë qëndresës vetëmohuese të shqiptarëve etnikë për mbrojtjen e tokave të tyre etnike nga aneksimi pansllav e prosllav.

 “Peshkopata” e të quajtunit Mal i Zi në kohën e fillesave të dinastisë Petroviç-Njegoshi me ma të parin princ-peshkop Danilo I (1696-1735), vetëm pas kthimit të tij nga Rusia (1715)  e (ri)nisi aktivisht misionin shtetformues në këtë vend gjeo-strategjik dhe ia mbrrini brenda kohëjetës së tij që t’i rritin me dyfishim territoret e veta, duke i shtrirë deri në 3.000 km2 (Po aty. Gjeografia. Podgoricë, 2007). Kjo “peshkopatë-princore” për nga madhësia territoriale mund të krahasimohej me një sanxhak (liva) të vogël të asaj kohe.

Historia dëshmon se pjesa ma e madhe e territorit të Malit të Zi qyshse kësokohe, në mesjetën e hershme, ishte shqiptare: Udhëpërshkruesi europian, Jakob Spon i Lyonit (1675) qytetin e Budvës në jugperëndim të Malit të Zi të sotëm e cilëson si kufi skajor “që kanë venecianët në Shqipëri”. Sulltan Sulejmani II i Perandorisë Otomane (1688) lëshonte fermanin për të shtypë “Shqipërinë kryengritëse në vise të Kuçit e të Palabardhit”, sot vise të asimiluara pothuaj në gjithçka nga klani sllav malazez. Udhëpërshkruesi otoman, Evlie Çelebiu (1660/1662) realonte “Kosova ishte pjesa më e gjallë e Shqipërisë”, ku pjesë etno-historike e vilajetit të saj ishin edhe Plavë-Gucia, Berana, etj..

Kur erdhi në krye të ”Principatës” mixha i Krajl Nikollës, princi-peshkop Danilo II (1851-1852) apo i thirruni ma pas zyrtarisht princi Danilo I (1852-1860), sipas udhëzimeve e mbështetjes që kishte marrë nga Rusia perandorake, (më pas edhe nga Franca) ia filloi luftës me Portën e Lartë (1852) për caktimin e kufinjëve të principatës së tij laike.

Princi Danilo I me prijës ushtarak të vllain, vojvodën Mirko (baba i Krajl Nikolla I) i mundi otomanët në Betejën e Ostrogut (1853) dhe në Betejën e Grahovës (1 maj 1858). Këto luftna me fitore, veçmas kjo e fundit, patën jehonë ndërkombëtare. Fuqitë e Mëdha u (vet)detyruan që në nëntor 1858 të caktojnë një komision përfaqësues për të shënjue  kufinin mes Malit të Zi dhe Turqisë.

Kësokohe, dinastia kundërshqiptare Petroviç-Njegushase e krajl Nikolla I, vetë mixha i tij – princ e baba i tij – vojvodë, në vitin 1858 ia rritën sipërfaqen shtetit të vogël të Malit të Zi deri në 4.700 km2 duke i marrë gjithato territore etnike shqiptare si Kuçin, Vasojeviçin, etj. në komunat e sotme Kolashin, Mojkovac, Zhabljak, Pljevlja, Bijelo Polje, etj

Këto toka ishin të pasardhësve të fiseve të shquara iliro-arbnore të ardianëve, autariatvëe, dardanëve alpinë, liburnëve, skirtonëve, atienitëve, medunëve, balunëve, dalmatëve, etj.

Këto toka ishin prona të shqiptarëve arbnorë shekuj ma para se Sllavët e Jugut të turreshin në dyert e Kinës, shekuj ma herët se fiset serbe të vinin në krahina të Bjellorusisë së sotme apo të thirreshin nga bizantinët si “barrikadë njerëzore mbrojtëse” nga sulmet e barbarëve

5.

Krajl Nikolla i Malit të Zi në disa breza ka veprimtari kundërshqiptare të përgjakshme, ka krye masakra ndaj shqiptarëve, që në kohën e sotme, po të gjykohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dënoheshin si “krime kundër njerëzimit”, si “genocid”, etj. dhe nuk do ta përveçonte asgja nga “kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviçi, një nga kundërshqiptarët ma të egër të të gjitha kohërave.

Baba i tij. vojvoda Mirko Petroviç-Njegoshi (1820-1867) poet, ushtarak, diplomat, njeri karizmatik, që pas Betejës së 28 prill – 1 maj 1858 e mori dhe titullin “Duka i Madh i Grahovës”, ishte vllai i madh i princit-peshkop Danilo II ( princit laik Danilo I), që kryeheret e vetëpërjashtoj veten për të qënë princ i Malit të Zi. Ai është një faktorët real që e çoi Malin e Zi drejt shkëputjes nga Perandoria Otomane dhe pavarësisë së tij. Në luftë me otomanët  ishte një prijës luftarak i jashtzakonshëm.

Vojvoda Mirko shquhej edhe si pro rus i madh. Vllai i tij, princi Danilo I, kur pă se fuqitë europiane si Franca, Austro e Serbia si dhe Porta e Lartë donin me çdo mjet e me çdo formë ta minonin ndkimin tepër të madh të Perandorisë Ruse në Mal të Zi, kur pă se Rusia pas disfatës me Otomanët në Luftën e Krimesë (1854) nuk pati forcë plotore me i mbrojt kërkesat e Malit të Zi  për pavarësi e zgjerime territoriale në Kongresin e Parisit (1856), shkoi në Francë me shpresë për njohje të pavarësisë malazeze dhe, pas takimit me Napoleonin III, mori ndihmë financiare (200.000 franga në vit), etj. Kjo u përkthye nga ultranacionalistët malazezë si “tradhëti ndaj Rusisë” dhe i vllai i tij, Mirko, iu kthye një ndër armiqtë më të egër të tij.

Ky, baba i krajl Nikolla I, vojvoda Mirko, ka qënë një kundërshqiptar i vendosur, njeriu kriminel që ka krye me dorën e vet masakra nga ma çnjerëzoret në historinë shqiptare e ballkanike si në v. 1856 ndaj fisit shqiptar të Kuçit. I vrau 17 burra luftëtarë të aftë për pushkë  dhe 230 të moshuar e fëmijë të vegjël në djepe dhe në barkun e nanave shqiptare. Një tjetër masakër të pashembullt kreu edhe ndaj fisit shqiptar të Palabardhëve (Bjellopavliçëve), etj.

Vojvoda i pashpirt Mark Milani nga Kuçi historik shqiptar, ky tradhtar i gjakut të vet shqiptar dhe mik i ngushtë i idealeve e armëve me krajl Nikollën, poet e shkrimtar, e përshkruan masakrën e Kuçit: “Kuçët” të cilët i takuan të parët vëllezërit kuç (të deleguarit, R.L.) dhe vojvodë Mirkon (baba i krajl Nikollës, R.L.) me ushtrinë, u vranë dhe u prenë të gjithë, e pastaj gjysmën e fshatit e vrau pushka dhe e preu thika.Nuk u kursyen as fëmijët në djep, pa dallim a ishin djem apo vajza, sepse secili ngutej mos po ia grabiste tjetri dhe mos po e fitonte për këtë medaljen ose kryqin e atë mos po e linte pa nderë. Kështu, edhe pleqtë e të sëmurët, edhe sikur të mos mund të çoheshin nga pleqëria ose sëmundja, u prenë dhe kokat ua çuan në vendin ku duhej, që të mos iu harrohej numri. Me një fjalë: kishte edhe të gjymtë, ose të verbër, ose sakatë, të shurdhër, memecë, të ndarë që nuk përzihen me njerëz, por quhen gërbaluqë, edhe prej këtyre ndonjërin e preu kësaj here shpata ose thika”.

Vjehrri i krajl Nikollës, vojvoda Peter Vukotiç, ishte kundërshqiptar i madh dhe mori pjesë në disa luftëra të viteve ’50 të shek. XIX, përkrah mikut të tij, vojvodës Mirko Petroviç-Njugoshi. 

Po ia përmendim vjehrrin sepse ka pasë ndikim tepër të madh në jetën e kraj Nikollës për disa arsye: Ishte mik i derës e derteve, i luftës e valutës, me derën e Petroviç-Njegoshëve, veçmas me degëzimin e Mirkos, për ma tepër fjalathuhet se ky pansllav e pro rus mund t’ia ketë vnue edhe emnin. Dy vojvodët Mirko e Peter e kryen fejesën e Nikollës 12 vjeçar me Milenën 6-vjeçe në vitin 1853 për të konsolidue aleancën e shumëfishtë ndërveti. Në vitin 1856, pas kthimit nga masakra e Kuçit, ngaqë i vdiq nana Jelena Vojvodiç e mbeti jetime, e çoi në derën e vojvodë Mirkos deri më 8 nëntor 1860 kur kryen martesën e tyre politike. Vjehrri vojvodë e ndoqi jetën e aktivitetin e Nikollës kur studionte në Trieste dhe në Francë, ku u sëmurë randë nga pneumonia në mushkëri e mbeti në shtratin e paravdekjes, si dhe i krahagjendej me këshilla e ndihma edhe kur hypi në fron si princ i Malit të Zi.

Në këtë truall, në këtë derë, në këtë vargnim princor e shoqëror kundërshqiptar u lind e u rrit krajl Nikolla i Malit të Zi, një nga armiqtë historik nga ma të mëdhenjtë kundër shqiptarëve në të gjitha kohërat.

Dimitrije Tucoviç (1881-1914) themelues i Partisë Social-Demokrate Serbe, teoricien dhe udhëheqës i Lëvizjes Socialiste në Mbretërinë e Serbisë; organizator dhe udhëheqës i Konferencës së Parë Ballkanike Socialiste (Beograd, 7-9 janar 1910); pjesëmarrës në Kongresin e Internacionales Socialiste në Kopenhagen (1910), korrespondent i gazetave serbe “Radničke novine” dhe “Borba”, luftëtar serb me gradën kapiten në divizionin “Morava”, në luftërat ballkanike, i cili ishte edhe në pushtimin e trevave shqiptare (1912-1913); autor i librit “Serbia dhe Shqipëria”, etj, dëshmon mendësinë bio-politike e historike të urrejtjes së tyne gjakatare ndaj shqiptarëve etnik: “Princi  nuk e pret malaziasin ndryshe, por me pyetjen: “Ku je ore trim, a preve mjaft koka të turqve e të shqiptarëve?”.

6.

Krajl Nikolla i Malit të Zi edhe 12 fëmijëve të tij ua përcolli në gene (me gjakun e tij e qumështin e nanës) dhe i rruganisi në jetë si veprimtar të vendosur kundërshqiptar, të cilëve iu duhet marrë tokat dhe jetët njerëzore.

Në kohën e tij (bashkë me mbretin e Danimarkës) thirrej “babagjyshi i Europës”, ”baba i ligjshëm i Europës”, pasi kreu martesa me dinastitë europiane si në Rusi, Serbi, Itali, Gjermani, etj. duke u fijelidh me të gjitha monarkitë e Europës (në fron ose në mërgim).

Princesha Ljubica – Zorka (1864-1890) u martue me Petar Karagjorgjeviç – mbret i Serbisë (1804-1813) që pati pasardhës Aleksandrin I të Serbisë (1842-1858). Nga ana tjetër, me diplomacinë e tij, kreu lidhje edhe me dinastinë tjetër serbe të Obreneviçëve; djali i tij Mirko (1879-1918) u martue me Natalija Konstandinoviç (kushëri i Aleksandrit I Obrenoviç), dhe patën një pasardhës: princin Mikael të Malit të Zi. Historia mbarëshqiptare ka fol në të gjitha kohënat për veprimtarinë e dy dinastive rivale serbe Karagjorgjeviç e Obrenaviç për tokat e aneksueme përgjakshëm e padrejtësisht si ato të Sanxhakut (Novi Pazar), të Nishit, të Kosovës, etj.

Dy martesa i kreu në derën perandorake të Romanovëve të Rusisë: princesha Anastasija – Stana (1868-1935) pati dy martesa të njëpasnjëshme me dy nipat e perandorit Nikolla I, kurse princesha tjetër, Milica (1866-1951) u martue me Duka i Madh Peter Nikollaviç i Romanovëve. Nga të gjithë kombëtarët shqiptarë dihen qëndrimet e veprimet kundërshqiptare të Rusisë në të gjitha etapat historike.

Princesha Jelena (1873-1952) u martue me  mbretin e Italisë, Viktor Emanueli III duke u fronëzue Mbretëresha Elena e Italisë (1900-1946), Perandore e Etipisë (1936-1941) dhe mbajti kurorën e tradhtisë e të pushtimit si “Mbretëreshë e Shqipërisë” (16 prill 1939 – 8 shtator 1943), e dekorueme edhe nga Papa Piu XII (1937), etj. 

Historia shpejt do t’i çpaloj fletët e saj dhe aty, në mes tjerash, do të mësojmë se zgjidhje tjetër do të merrte çështja e Shkodrës (në tetor 1912-prill 1913) dhe e Pavarësisë së Shqipërisë (1912) nëse nuk do të ishte kjo lidhje e krajl Nikolla I i Malit të Zi me Kurorën Mbretërore të Italisë.

Kundërshqiptari i përjetshëm, krajl Nikolla i Malit të Zi, kaq i etun ishte në gjakderdhje e aneksime të tokave shqiptare saqë ia nisi tetë ditë para koalicionit katërsh ballkanik Luftës së Parë Ballkanike në trojet etnike shqiptare, saqë i nisi grupime ushtarake malazeze jo vetëm për të marrë Shkodrën, po edhe të bënte kryeqytet të Malit të Zi vendmbledhjen historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Krajl Nikolla ishte zyrtarisht kryekomandanti i ushtrisë malazeze. Në këtë luftë kishte mobilizue gjithë mbretninë e tij me mbi 300 mijë banorë. Ushtria kishte mbi 30.000 luftëtarë të  inkuadruem në tri grupime: Grupimi i Verilindjes – i dislokuem në Zhabjak, Kolashin e Andrijevicë; Grupimi i Qëndres dhe Grupimi i Jugut (Bregdetit) për të kraharrethue Shkodrën, pushtue portin e Shëngjinit, qytetin e lezhës, etj. 

Njëkohësisht, në zjarrin e rrjedhat e saj i futi  (i)direkt, hapur ose nëndheshëm, edhe fëmijët e tij për pushtimin e Shqipërisë, që presidenti Vujanoviç thotë se “ndihmoi në çlirimin e pavarësinë e Shqipërisë”(!)

Simbolika e përzgjdhur mjeshtrisht nga krajl Nikolla dëshmon se ai donte medoemos jo “çlirimin”(siç zezon Vujanoviçi), por pushtimin e aneksimin e tokave etnike shqiptare:

Përzgjedhja e parë: ma të parin objekt të fillimit të luftës e piketoi kalanë shqiptare të Deçiçit, aty ku para një viti, më 6 prill 1911, kryengritësit shqiptarë të prirë nga legjendari Dedë Gjo’ Luli e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar.

Përzgjedhja e dytë: djali i tij 33 vjeçar, princi Mirko (mbante emnin e gjyshit kriminal ndaj shqiptarëve të Kuçit, etj.) do të qëllonte me top në drejtim të fortesës së Deçiçit, në kthjellje të  9 tetorit 1912, tue shënue sinjalin e luftës ballkanike.

Përzgjedhja e tretë: Grupimin e Qëndres e drejtonte djali i tij 41 vjeçar, princi Danilo (mbante emnin e të parit të vet bio-historik, Danilo I) i cili u nis në mësymje pushtuese më 9 tetor 1912 në drejtimin Tuz-Koplik-Shkodër, me 21 batalione, 11 bateri artilerie me 36 topa, 13.000 ushtarë efektivë.

Në shkurt të vitit 1912 krajl Nikolla ndërmori një vizitë zyrtare në Shën Petersburg gjoja për të kërkue ndihma për (rreth 15 mijë!) “refugjatët malësorë shqiptarë” që kishin kalue në “territore” të mbretnisë së Malit të Zi, po qëllimi ishte ajzberig. Ai kërkoi ndihma të gjithanshme politike, ekonomike, ushtarake e diplomatike “për të pushtuar toka të Shqipërisë si Shkodrën, Plavën, Gucinë, Gjakovën, Pejën dhe deri Prizrenin” (Edith Durham. “Brenga e Ballkanit”, v. 1905).

Në dy betejat e Luftës së Nokshiqit (1879-1880) krajl Nikolla i Malit të Zi shkoi edhe me flamuj të Rusisë, katër prej tyne iu dorëzuan nga Alia Pashë Gucia (i shoqënuem edhe nga Smajl Uk Bruçaj i Vuthajve, etj.) në Stamboll në vitin 1881 personalisht sulltan Abdulhamid II (Kumtime nga S.Ahmetaj, R. Dedushaj, etj.). Në luftën ballkanike (1912) krajl Nikolla donte me rihy prapë me “flamur të Rusisë” për ta kthye Prizrenin ose, fundja, Shkodrën në kryeqytet të Malit të Zi, sepse në synimet aneksuese për territore shqiptare kishte rivalitete përplasëse edhe me Serbinë.

           7.

Krajl Nikolla i Malit të Zi bani disa luftna me Perandorinë Otomane, tue fillue nga viti 1862 (mbi dy vjet pas fronëzimit) dhe deri në vitet para e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Erdhi një moment historik në mes tyne. Ishte viti 1883, kur shkoi për vizitë zyrtare në Stamboll. Atje u takue me Sulltan Abdulhamid II (1876-1909), me të cilin lidhi miqësi të pafundme.

Kjo duhet (vet)kuptue kështu, siç është në realitet e në kontekst historik: krajl Nikolla I kishte “dorë të lirë” nga otomanët (turku) në asimilimin e spastrimin etnik të shqiptarëve me një “demokraci  të butë e të idhtë”, siç po ban pas dy shekujsh lideri përmgjasues i tij, kryeministri Gjukanoviç.

Perandoria Otomane kishte kohë para mjaltimit me krajl Nikollën që po i “tradhtonte”, si me thanë “hijshëm” e pistë, shqiptarët në trevat e veta etnike nga  Budva e Tivari deri në Pljevlja e Rozhajë. Kufini perëndimor i perandorisë ishte në dyert e Malit të Zi. Sa herë i kërkonte Rusia e Franca apo ndonjë tjetër konçesione iu jepte tokat shqiptare dinastisë Petroviç-Njegoshe.

Perandorisë Otomane këto toka nuk i dhimbeshin, sepse toka perandorake kishte boll, sepse këto toka i kishte larg, sepse nuk donte “probleme” në kufij të saj, etj.

Kompromiset e Portës së Lartë me disa fuqi europiane për tokat shqiptare në Malin e Zi të sotëm ishin fatkeqësi kombëtare shqiptare, sepse edhe vet Perandoria Otomane, nga koha e pas Tanzimatit (1839) po kthehej dora-dorës në një vend të varur, në një gjysëm-koloni e fuqive të mëdha europiane.

Historiografia shqiptare duhet të gjurmojë më shumë në lidhjet e Malit të Zi me Portën e Lartë, kryesisht në mes të krajl Nikolla I e të Sulltan Abdulhamid II në kohën pas vitit 1883, sepse gjatë kësaj kohe shumë kryengritje kanë “heshtur” në këto treva luftarake të Shqipërisë së Veriut gjatë shek. XIX. Ato filluan (çuditërisht!) pas vdekjes së Sulltan Abdulhamid (1909) deri në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë më 1912.

8.

Krajl Nikolla parapëlqente të merrej me mitet e kahershme sllave. Kur i shpalli luftë Perandorisë Otomane (1876) e tregëtoi argumentin mitik sikur ishte një “hakmarrje për Betejen e Fushë Kosovës” (1389).

Në fakt kjo luftë e krajl Nikollës ishte lufta e pambyllun e vitit 1862 kundër otomanëve dhe vazhdim i projektit pansllav në aneksimin e tokave shqiptare (nën Perandorinë Otomane në të pesë vilajetet: Shkodrës, Kosovës, Manastirit, Janinës, Selanikut). Kjo luftë ishte rebus i takimit të para nëntë viteve me perandorin francez, Napoleon III (1852-1870), i takimit të para tetë viteve me Carin e Rusisë, Aleksandri II (1855-1881), etj.. Kjo luftë ishte edhe subvension (pro)sllav e kundërshqiptar që ishte demonstrue edhe rrugëve të Kotorrit (1871) nga i dërguari misionar i carit rus, princi Dolgorukov, që shpërndante shuma të mëdha në mes të popullit të atyshëm serbo-malazez, etj.

Ky krajli malazez, Nikolla I, qëndroi 58 vjet në fronin e princit e të mbretit të Malit të Zi, ma shumë se çdo ushëheqës tjetër në historinë e shtetit malazez prej nga “peshkopata princore”  e Petroviç-Njugoshëve deri tek republika e sotme e Gjukanoviçit.

Krajl Nikolla qëndroi në pushtet edhe ma shumë se sa vet Tito i Jugosllavisë Avnjoiste, aqsa ka vite jete presidenti i sotëm i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.

Krajl Nikolla në këto 58 vite e mori Malin e Zi me territor principate rreth 4.700 km2 (me aneksim edhe të tokave etnike shqiptare) dhe mbi 80.000 banorë (në mes tyre edhe shqiptarë etnik) dhe e rriti sipërfaqen e principatës e mbretnisë malazeze rreth tre herë, deri në 13.812 km2.

Krajl Nikolla me dinastinë e tij Petroviç-Njegoshe, në vitet para dhe pas Kongresit të Berlinit (1878) dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), etj. i aneksoi me gjakderdhje të pandalun dhe me traktate të padrejta  9.112 km2 sipërfaqe nga territoret shqiptare etnike në vilajetet e Shkodrës e të Kosovës.

Ky truall etnik shqiptar është gati pothuajse sa Çamëria me rrethina (nën Greqi), sa Sanxhaku Shqiptar (Novi-Pazari), sa Nishi shqiptar (nën Serbi) etj. Këto janë “Kosovat e vogla” që iu morën Shqipërisë së Vërtetë me mbi 100.000 km2.

Në kohën e mbretërimit të tij krajl Nikolla ishte një “kult i malazezëve”, etj. , sepse ky e bani Malin e Zi principatë e mbretëri sovrane, e bani shtet real e potencial, ia trefishoi territoret gjeo-politike të shtetit (në kurriz të shqiptarëve etnik), kreu asimilimin në sllavë (malazezë, serbë, boshnjakë) të një pjese të madhe të trevave etnike shqiptare, etj.; përforcoi ortodoksizmin sllav në përballje me katoliçizmin e muslimanizmim, etj.

Krajl Nikolla po arrinte në një “mit” nëse nuk ia ndërprente mbretërimin dinastor fundlufta (1918) e të merrte rrugët e mërgimit duke vdek në moshën 79 vjeçare në Francë (1 mars 1921) dhe ish-mbretëresha Milena në moshën 75 vjeçare në San Remo (Itali). Në kohën e Jugosllavisë mbretnore apo republikane, veçanarisht në periudhën e komunizmit, mbeti disi jashtë vëmendjes zyrtare, po brenda shpirtit të etnisë së tij malazeze, etj.

Në vitin 1989, i riduhej pansllavizmit e nacionalizmit serb e malazez në Ballkan edhe “miti i krajl Nikollës”.

Jugosllavia komuniste po e ndjente ramjen e “Perdes së Hekurt”, etj. Ishte 600 vjetori i Betejës së Fushë-Kosovës (ma sakt: Fushë Dardania) dhe kësokohe lundronin zëra se nacionalizmi serb e ai malazez duhej ta shihnin situatën si “ringjallje të Krishtit”(!). Ultranacionalisti Sllobodan Millosheviç, president i Republikës së Serbisë, siç dihet botnisht, e provokoi ringjalljen e nacionalizmit serb kundër shqiptarëve në Fushë-Kosovë më 15 qershor 1989.

Në Republikën e Malit të Zi dyshja drejtuese e saj, Branko Kostiç – kreu shtetëror e kryetar i Lidhjes Komuniste Jugosllave për këtë republikë, i lindun në Çetinë si dhe Radoje Kontiç – kreu i ekzekutivit të kësaj republike, i lindun në Nikshiq, të dy malazezë të besimit ortodoks, në bashkërendim e bashkëpunim me struktura të tjera paralele e eprore, gjykuan se erdhi rasti i mrekullueshëm për ngritjen e “mitit të krajl Nikollës”.

Në vitin 1989 i morën eshtrat e krajl Nikollës e krajleshës së tij Milena (dhe të dy vajzave beqaresha: Xenia e Vera) dhe i sollën në atdheun e vet. I rivarrosën në Çetinë, në qytetin ku nisi Mali i Zi, ku ngrihet godina presidenciale e “pushtueme” tash tre-katër mandate nga Filip Vujanoviç – idhtar i krajl Nikollës. U rizgjue edhe ultranacionalizmi malazez, që kurrë nuk kishte fjetur siç keqmendonin internacionalistët komunistë malazias apo sllav.

Në evenimente të veçanta historike apo elektoriale si në fushatën e Referendumit të vitit 2006 për shkëputjen e Malit të Zi nga Unioni Serbi-Mali i Zi dhe daljen më vete si shtet i pavarur e sovran u (keq)përdor edhe “miti i krajl Nikollës”. Kësaj here ishte edhe si një kundërvënie kundër figurës së (ç)mitizuar të kriminelit tjetër kundërshqiptar, Sllobodan Millosheviçit.

Politika shtetërore e Malit të Zi, e komandueme në nivele të larta kulmore të shtetit nga “klani malazez”, në vitin 2008 “Mitit krajl Nikolla” i dha një dimension tjetër të ri duke ngrit e përurue një memorial për Betejën e Grahovës. Kjo u ba në nderim të babës të krajl Nikolla I, në nderim të “Duka i Madh i Grahovës”, vojvoda Mirko Petroviç-Njegoshi, që e kryesoi këtë luftë, në nderim të njërit prej kundërshqiptarëve ma gjakatar në historinë kombëtare shqiptare.

Ndokush mund të dvetin: Pse po ringrihet kaq shumë “miti i krajl Nikolla I” në këto vite të demokracisë në Malin e Zi?!

Në këtë shtet të vogël ortodoks ballkanik “klani politik-ekonomik-policesk malazez” po e përdorë një “diktaturë demokratike”, një “diktaturë të bardhë” (!) ndaj etnive apo komuniteteve etno-kulturore. Ky “mit” e përligj këtë lloj sjelljeje politiko-policore, përjashtuese e përveçuese, etj. të kupolës malazeze. Kjo është ma e ashpër dhe e pandalshme në trevat etnike shqiptare në Mal të Zi, ndaj popullsisë etnike shqiptare, të cilët ndodhen të diskriminuem nga përfaqësimi në nivele të larta shtetërore (dikur shqiptarët kishin një ministër, etj.), nga ligji i ri zgjedhor, nga mungesa e investimeve në komunat me shumicë shqiptare si në Plavë-Guci, etj., nga politikat e “spastrimit etnik të butë” të vendbanimeve shqiptare, nga mosdhania e statusit komunë më vete të komunës urbane të Tuzit, nga ndamja mëdysh e komunës së Plavë-Gucisë, etj. etj.

Malit të Zi i duhet “miti i krajl Nikollës” për identitet malazias të vendit të vet dhe në faqe e sy të ndërkombëtarëve. Iu duhet ky mit sepse po vjen në rritje rivaliteti nga komuniteti etno-kulturor serb në këtë shtet, se Kroacia fqinjë po ushtron trysni demokratike për kroatët e vet, se po zgjohet nga ndjenja kombëtare edhe faktori politik shqiptar duke largue mjegullnaja të partive politike shqiptare etj., sepse Gjukanoviçi, Vujanoviçi e Krivokapiç (kryetar i parlamentit) ndoshta nuk do të rizgjidhen edhe një tjetër mandat, etj. etj.

Presidenti Filip Vujanoviç, i brumuar mbi një çerek shekulli si serb (Beograd, 1954-1981), në po kaq kohë i kultivuar si malazes (i ardhun në Podgoricën shqiptare, 1981-2013), mbi një gjysëm shekulli i blinduar në qënien e tij shpirtërore e politike si kundërshqiptar, që edhe në biografi të tij publike i fsheh në mënyrë enigmatike prindrit e vet, don t’na shtrembërojnë paturpësisht historinë kombëtare shqiptare në tribuna të tilla elektorale presidenciale (Tuz, 3 prill 20013) dhe kërkon t’na e servirin politikisht krajl Nikollën si simbol të shqiptarëve (të paktën në Mal të Zi!).

Vujanoviç, teza jote e zezë e “mitit krajl Nikolla” në këtë kohë të zhvillimeve demokratike dhe integrimeve euro-atlantike nuk i shërben aq fort idhullit tand politik e shpirtëror, Gjukanoviçit, që cicen e cicërijnë zëra tue e thirrnue “Krajl Nikolla i ditëve tona”(!) Kjo i shkon për shtat Gjukanoviçit që e ka hipotekue postin e kryeministrit, që e mbiquan veten “baba i Pavarësisë të Malit të Zi”, që është një “gospodar”, që i ka nxjerrë armët e brezit ndaj kroatëve në fillimet të demokracisë dhe i mban në brez “armët e politikës shovene” kundër shqiptarëve etnikë në këtë shtet të vogël, me dy të tretat e tij tokë etnike shqiptare.

Teza jote, Vujanoviç, nuk i shërben as demagogjisë tande elektorale si “president i të gjithëve e për të gjithë” (!). Nuk i shërben as faktit demografik politik se asnjë etni apo komunitet nuk është shumicë në Malin e Zi dhe as realitetit politiko-fetar të kthimit të  dhunshëm të etnive të tjera në etni tjetër e në  fe ortodokse si të shqiptarëve katolikë në ortodoks serb apo malazezë dhe të shqiptarëve muslimanë në boshnjakë, etj.

Vujanoviç, me tezën tande të (ri)ngritjes së “Mitit të krajl Nikollës” nuk na tremb aspak ne shqiptarëve etnik as në Ulqin e në Plavë-Guci, as në Mitrovicë e në Luginën e Preshevës, as në Tiranë e në Shkup. Nuk i tremb as ndërkombëtarët euro-atlantik për antarësim në NATO apo në BE. Nuk i tremb as serbët, as boshnajkët, as kroatët në shtetin tand sovran.

Teza jote presidenciale është e zezë, siç është i zi vet malazezi krajl Nikolla për shqiptarët etnik në të dy anët shqiptare të kufinit, në të gjitha faqet e historisë shqiptare, në vargavijen e breznive shqiptare që ua përgjakët jetët njerëzore e rrëmbyet tokat etnike në këta shekujt e fundit.

Kur Dimitrije Tuçoviq, udhëheqës i të majtës serbe i vrarë më 1914 në betejën Kalubara, gazetari-toger që mori pjesë edhe në pushtimin e trevave shqiptare (1912-1913), kur lexoi shkrimet e Mark Milanit për masakrat e vojvodës Mirko Petroviç-Njegusha në Kuç dhe kur dëgjoi me veshët e vet dhe pă me sytë e tij për  masakrat e të birit, krajl Nikolla i Malit të Zi, e shkroi më 9 tetor 1913 një letër mediatike me titullin “Tërbimi Malazias”. Kjo është e vërteta historike dhe aktuale. Asgja ma tepër nuk mund t’i shtoj fjalathanies së sllavit Tuçoviq. Teza e zezë presidenciale e Vujanoviçit për “mitin krajl Nikolla” është “Tërbimi Malazias i rradhës”.

19 Comments

  1. Ku jane politikanet shqiptar te cilet ne vend qe ti kundershtojn vujanovicit e perkrahin dhe brohorisin emnin e tij. Me te vertete ju deputetet shqiptar, ne mal te zi, po tregoni se jeni vegel e sistemit dhe se jeni ne pozite vetem e vetem per interesa personale.

      • E ti fdi ……………………. Tana pikat ci muj me i pasë njeri.

  2. po te lumt vlla ktyne politikanvet ton nga malsia haram u qoft gjini nanes SHQIPTARE po si mos meja kthye pergjigjen ne vend por e brohorisin lle shplak per shplak thue se kastrioti foli turp per te parin kryetarin e komunes urbane atere elle te gjith tjervet prezent po kta ska ba vaki me fale malsin 2…..apo 3 vetpo ku jem pse spo ngritna kundra atyne fjalvet te renda ne demostrat heoo te Mallkuar si mjav ba kta vorrevet te parvet. Njanen ane Malazezet duen tna mohojn historin e ne anen tjeter Turqia thote te ndrrojm historin pyes deri kure kshtu po na skem prisa po na skem as kend pse pse pse adin kush me llan pergjigje.

  3. Si dreqin asht e mundun mali i zi me 100.000 banore ather u trefishua me siperfaqe, ruojte fen 99% mik dhe shoke me ter boten, dera hapur ne chdo vend perpos serbi tye marr parasysh ne at kohe serbia kishte qexhime te aneksoj malin e zi dhe pee ket cheshtje ishte ni far anmiqwsie e heshtur ne mes te tyre,,,,,,, kurse shqiperia jone u zvoglua 50-60% u chkomtarizua, muor fen e armikut,,,,,,

  4. Ne chdo vend dhe chdo rast dyert mbydhur pa asni mik te vertet, me ni grusht malsoresh te rrethuom mes dy gjarmave , idejave dhe feve, anmiqesi te plote ne te dy anet edhe pse njera pal fatkeqsisht ishte me then me emer shqiptar. Keja inadin e fol hakun fjsl e vjeter, si nuk todhi ni shqiptar i ketidhta mshtoj kombin, fen dhe vendin e coptuom, aaa pach harru se kemi pas edhe na por ja quojtur sulltanaz, aga e pasha,,,, normalisht skenderbeu esht ne ni klas tjeter,,,,,

  5. Thirrnje si te doni nacionalist, terrorist, shovinist, sllavist, anmik , mik , problemi esht dhe vertet esht se aj luftoj per shtet te vet, komb te vet dhe fe te vet , natyrisht dikush apo dikun duhet te ket viktima apo humbes , fatkeqsisht ne ket rast esht shqiperia jone ather dhe sot , un jam i tidhe dhe shpresoj ta kemi ni lider ku srbet, turqit , malazezet apo kushdo do ta therrasin me kto tituj me nalt kurse per ne shqiptareve do te ishte heroj ,,,,

    • Pushka të kënkan lagë fishekt,nuk paske lidhje me krye.

  6. Kral Nikolla ishte aje i cili tentoj ta marre Shkodren deri ne Brege te Maces dhe masakroje me qindra e mija Shqiptar pa meshire e sote ne e konsiderojme se cliruos i trodhit Shqiptare. Marre na qofte edhe neve qe e tolerojme ate, se per ata qe e suportuan,mose e gezovshin jeten.Cka thote komentuosi nalte u qofte haram edhe gjini i nanes, shpresoj se nuke jane te gjithe te njajte,po nese jane edhe buka u qofte haram .

  7. O njerz te mir, a e shifni se ka krye Malsia, po ku ndolle qe pushtuesi, aje qe ti mohon te drejtat qe te takojn te dalin ne vota te lira dhe demokratike dhe te fitojn shumicen,psh ne Masli fiton 4500 per president. Per ata ky na levdohet me Kral Nikollen dhe askush asnje bir malsori nuk i tha se po rren se nuk esht ashtu, se mali i zi nuk e ka clirua shqipnin ase qe e ka ndihmua me u ba shtet i pavarur, por ja ka grabit tokat dhe ne tokat shqiptare ka formua edhe shtetin e vet. Po cka ti thuhet kur Fran Lulgjuraj e con ne qiellin e kaltert duke e luvduar, deri qe edhe i tha se esht shum i bukur dhe simpatik. Biles theksoj aje ne fjalen e ti te mbajtur ne TUz shum shtete ne bot kishin me dashte me i pas tandemin Gjukanovic-vujanoviq theksoj edukatori i breznive te Maslis9he ky mos jetoft…

  8. Është e pakuptimtë deri dhe fyese për fatet e kombit shqiptar shprehje të tilla që vijnë nga politikan apo drejtues shteti që pretendojnë se janë për integrimin euro-atlantik të vendit tyre teksa me metoda të vjetruara përpiqen të nëpërkëmbin fatet e popullit tonë. Lirinë vendi ynë e ka fituar me gjak e sakrifica të mëdha. Të tjerët duke përfshi edhe Krajl Nikollën ja kanë marrë dhunazi lirinë vendit tonë duke gdhabëruar troje të mëdha shqiptare. Ndërsa pinjolli i tij Vujanoviç jo vetëm që kërkon të përligj atë çfarë ka bërë babai i tij Krajl Nikolla por synon edhe më tej, ndryshimin e histroisë e faktet tashmë të njohura botërisht. Turp i madh. Dhe ne malësorët e shqiptarët duhet të vazhdojmë përçarjen? Ky është oksigjeni më i mirë që u japim për frymëmarrje atyre që na përqeshin, na…

  9. përçmojnë e pse jo na tregojnë edhe histori me përralla. E ne malësorët e shqiptarët përsëri vazhdojmë të përçahemi, të kacafytemi me njëri tjetrin mjafton që ta lëmë mirë me ” miqt tanë “, vetëm ata të mos i trazojmë edhe pse na shtryllin lirinë, na pengojnë flamurin, na cungojnë në gjuhen tonë etj. Sa turp. Po politikanët, partitë, shoqatat, intelektualët malësorë e shqiptarë në Malësi, Ulqin, Plavë-Guci etj,. ku janë. Falenderoj z. Ramiz Lushaj për këtë panoramë që na paraqiti dhe për kurajon personale që tregoj në këtë shkrim. Të lumtë. Duke mos e zgjatur por jo për ta lënë me kaq Sytki Ndrecaj bashkëmalësorë e bashkëshqiptarë i juaji.

  10. uh….. tan faji esht te kta armiq qe nuk na lan rahat me jetua si lypet , mali i zi , serbia , turqia etj,,,etj ,,,,,Ramiz shkrua bukur dhe shum , kishte me vijej edhe shkakun me paraqit dhe spjegu se pse erdhi der te ky problem dhe fenomen i pa par ne bote , a thua se turqia si zot shpije kishte dore ne ket coptim te trojeve , a kishte Turqia ndoni marrveshje me malin e zi per tja lecua vehtes sunimin dhe ata qe nuk ju peruleshin tja jepin dikuj tjeter at problem , po ashtu Ramiz duhet t spjegua se pse Shqiperia kurr deri sot nuk luftoj politikisht as diplomatikisht se ushtarakishe e dim sa muj per bashkimin e trojeve , po ashtu Ramiz mund te spjegoj edhe shkakun se pse Eurpo e coptej Shqiperin , ku kje shkaku dhe psehi, ne qoft se jemi real do ta shofim te verteten qe pak a shum…

  11. Armiku eshte armik dhe aj ta ka me borxh mos me ta ndal dhunen as te keqen deri sa te shpallet nje armepushim apo dekret qetsi marrveshje.
    Ndersa roberit sikur se jemi ne e kemi me borxh me kujtue plaget qe na ka shkaktue armiku dhe asnjehere dhe kurren e kurres me ja fale te keqijat dhe pasojat qe na i ka shkaktue, dhe jo vetem kaq por ata do te duhej te paguajn edhe damshperblimet qe kane bere ndaj viktimave dhe prones sone.
    Lideret tone politik jane edhe me te zeze se Vezir Pashet shqiptare te perendorise otomane, keta te sotmit jo vetem se kane kapercye te gjithe kufijt e tradhetise po e bene edhe popullin budalle duke mos dite te dallojne te miren nga e keqja, shkjaun nga shqiptari e vellaun nga armiku

  12. esht interesant se shumeve u del gjumi apo disave u bjer rmet me shkrua dhe per te mbrojtur popudhin shqiptar sot nga kral nikolla , gje qe edhe une e suportoj po te ishte e vertet kjo mbrojtje por ,,,,kur Turqia dhe qeveria Turke ne ditet e sotme del dhe paraqet propozime -ligje , kushte qe popudhi shqiptar duhet rishiquar\rishkruar dhe korrigjuar historin e shkruome ndaj dhe kundra Turqis se nuk esht e sakte , po ashtu publikisht e cekin se Shqiperia esht mbeturin e perendoris Turke ather pyetja esht se ku jan keta Ramiza apo Hasane qe nuk shkruojn apo demontojn se neve nuk jemi mbeturin e kurrkuj , a esht e mundur qe njera pal te tejkqyret vetem se per hir te fes dhe tjetra te sulmohet vetem se kote …per kta qe jane apo shkruojn per hir te shkrimit ju lutem mos ja futni kot se nuk…

  13. ini Nana Terese apo Papat e Romes, me duket si dikur propagandat e bashkim\vllaznimit te chkatrruar dhe rrenas ….per mua si Turqia si Mali i Zi si Serbia etj,etj jan armiq dhe do te mbesin armiq pa kqyr shkakun,fen, ….deri ather qe ketyre niansave tu dal gjumi dhe ta shofin te verteten me duket se vetem shkruojn ata qe u pelqen kurse shakakun e ketij problemi per kta nuk ekziston dhe esht i pa njofur …kote

  14. kral nikolla ka luftua per pushtimin e tokava e vujanovici per me fitua vota;se toka nuk muj me fitua ;ather nuk i cuditem cka ka fol

  15. Ballkanas-Evropian Kralj Nikolla ka pas mekatet e veta por Kryengritjen e Malsise 1910-11 e ka ndihmua nga ana ekonomike por edhe ushtarake nen udheheqjen e komandantit : Janko Vukoticit. Koha e ka kallzua se ma mire kemi kalua ne shiptaret ktu en Male te Zi se shqiptaret ne Shqiperi si ne kohen e Mbretit Zogu dhe komunistit Hoxha ku ka pas ni diskriminim te veriut dhe katolicizmit sidomos ne kohen e diktatorit Hoxha.

Comments are closed.