Një vizitë në “KF Malësia” – Intervistë me trajnerin David Camaj (foto+video)

KF MalësiaDisa ditë më parë ishim në vizitë të klubit të futbollit për të vegjlit “KF Malësia” – Tuz, një klub i ri por i cili që nga hapat e parë premton shumë. Një klub i cili edhe përkundër mungesës së kushteve elementare po korrë suksese, si brenda ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.

“KF Malësia” dhe këta vogëlush meritojnë përkrahjen morale dhe materiale e të gjithë neve. Duke përkrahur sportin, përkrahim shëndetin dhe edukatën e cila përfitohet përmes sportit dhe largon të vegjlit nga rruga.
Me këtë rast përgatitëm një intervistë me trajnerin dhe menaxherin e klubit, trajner i licencuar sipas standardit të UEFA-s, z. David Camaj,  një foto-galeri dhe video të gjiruar gjatë ushtrimeve.

FOTOGRAFITË

Intervista me trajnerin z. David Camaj

Kur u formua KF Malësia, dhe si erdhi deri te kjo iniciativë?
“KF Malësia” u themelua në vitin 2007, pra para 6 vitesh, ku së pari funksionuam si organizatë joqeveritare. Iniciator dhe themelues të klubit ishte z. Pal Dreshaj (profesor i edukatës fizike) dhe unë (David Camaj), ku punuam afro 3 vite si organizatë joqeveritare, kurse që nga viti 2010 u transferuam si klub i futbollit, i regjistruar sipas statutit të Federatës të Malit të Zi në Futboll.

Cilat janë moshat që ushtrojnë në klubin tuaj dhe sa herë në javë janë ushtrimet?
Meqën se klubi numëron rreth 70 vogëlush, punojmë 4 herë në javë sipas grupmoshave 2001/2 (ora 15) , 2003/4 (ora 19) kurse grupi 2005/6 në mëngjes (ora 10). Gjatë vikendit kemi ndeshjet në liga ku marrim pjesë. Vërtet është një orar i ngarkuar por ndjehem shumë mirë si trajner dhe pjesë e këtij klubi.

Jeni të kënaqur me interesimin e fëmijëve, gjegjësisht prindërve?
Po, jam shumë i kënaqur me pjesëmarrjen e fëmijëve, posaçërisht me besimin që më kanë dhënë prindërit e tyre.
Përpiqem që në mënyrë profesionale të kryej detyrën, dhe duke u mbështetur në rezultatet, lirisht mund të them se puna më është shpërblyer. Si trajner, jam krenarë që jam pjesë e kësaj familje, jam krenarë për interesimin e vogëlushëve dhe prindërve të tyre. 

Lirisht mund të themi se në vendin tonë mungojnë edhe kushtet elementare për zhvillimin e sportit. Sa keni përkrahje nga institucionet përkatëse të sportit apo të Komunës urbane të Tuzit?
Mendoj se Malësia ka shumë nevojë për objekte sportive, qoftë në futboll, qoftë në palestër etj.
Por gjithsesi kemi nevojë shumë të madhe për një fushë sportit, pikërisht futbollit.
Sa i përket përkrahjes nga institucionet, përkrahja është shumë e vogël ose më mirë të them nuk ekziston fare. Përkrahje nuk ka as nga Komuna urbane e Tuzit.
Sa i përket ndihmës, stimulimit dhe zhvillimit, sporti në Malësi është lënë pas dore.

Ju merrni pjesë në gara brenda Malit të Zi por edhe në turnamente evropiane. Si e përballoni anën financiare?
Keni ndonjë sponsor, ndihmë nga institucionet apo vetëfinancojnë prindërit e të vegjëlve?
Po, jemi pjesëmarrës të rregullt në kampionat të Malit të Zi, por edhe në turnamente të mëdha evropiane.
Sa i përket financimit, shumë e vështir… Mundohemi që me anë të anëtarësimit të mbulojmë një pjesë të shpenzimeve që kemi. Duhet ta dini se ekipi, çdo vikend, të shtunën dhe të dielën, ka 2 ose 3 ndeshje gjatë gjithë vitit në Podgoricë dhe rrethina. Por, gjithsesi nuk duhet harruar disa individ që janë çdo herë pran klubit dhe mundohen ta ndihmojnë klubin me aq sa kanë mundësi.
Një falënderim të posaçëm për z. Anton Vulaj, pronari i Castallana, i cili në çdo mënyrë është pran klubit, si me të holla, pajisje dhe ndihma tjera. Falënderim dhe për Nosh Camaj i cili po ashtu është pjesë e klubit duke ndihmuar klubin pothuaj çdo herë.
Nuk duhet harruar të madhin, futbollistin Ardian Gjokaj, pronarin e ballon-sallës, i cili na lehtëson me pagesën e sallës . Nga ai kemi zbritje dhe nga një termin falas çdo muaj.  
Gjithashtu falënderojmë edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare, Gjergj Camaj, Vasel Sinishtaj, Nikollë Camaj dhe Ismet Gjokaj që herë pas here, sipas mundësive na ndihmojnë, për çka jam mirënjohës.

Na tregoni pak për sukseset tuaja në ligën e Malit të Zi?
Pikërisht, që tre vite jemi pjesëmarrës të rregullt në kampionatin e Malit të Zi.
Para tri viteve arritëm vendin e tretë kurse para dy vitesh ishim edhe kampion të Malit të Zi, me gjeneratën 1997-1998. Vitin e kaluar arritëm vendin e dytë, ku ne finale pas penalltive, humbëm nga ekipi i Zetës. Vërtetë, ishin tre vite të suksesshme për ekipin tonë.

Vitin e kaluar morët pjesë në një turnament të madh në Gjermani ku morën pjesë numër i madh i ekipeve nga shumë shtete evropiane. Si e gjeti veten KF Malësia në mesin e ekipeve evropiane dhe cilat ishin arritjet?
Jo vetëm vitin e kaluar, por gjatë tre viteve të fundit ishim pjesëmarrës në turneun Viena (Austri), kurse dy vitet e fundit ishim në Shtutgard të Gjermanisë ku viti i kaluar ishte me të vërtet i suksesshëm për ekipin tonë. Në mesin e 114 ekipeve pjesëmarrëse, KF Malësia nxuri vendin e pestë.
Nga 14 ndeshje, KF Malësia kishte 12 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje 1-0 nga ekipi i madh i Shtutgardit, gjë që na ndaloj hyrjen në gjysmëfinalen e turanementit.
Në Gjermani kemi lënë përshtypje të shkëlqyer, çka flet edhe ftesa që kemi fituar nga organizatori i turnamentit për pjesëmarrjen edhe për këtë vit në turanementin i cili do të zhvillohet në muajin Qershor.
Vlen të ceket se ekipi ynë mundi një ekip siç është Bazel i Zvicrës, Okser të Francës, Salzburg të Austrisë, Verona të Italisë etj. 

Si rrinë klubi këtë vit dhe cilat janë planet e klubit për këtë vit?
Në ligën e Malit të Zi, këtë vit kemi nxënë vendin e dytë dhe jemi kualifikuar në Playoff për gjeneratën 2001/2.
Tashti jemi në pritje të Playoff-it me qëllimin të fitojmë kampionatin, të hipim në “tron” ku dhe e kemi vëndin.
Kemi golashënuesin në të mirë të ligës, Kristjan Gjolaj me 52 gola të shënuar.
Në plan kemi pjesëmarrjen në turneun e Shtutgardit, por duke ditur gjendjen financiare ende nuk kemi vendosur për pjesëmarrje.  Kemi disa premtime nga disa dashamirë të klubit, gjithashtu dua të falënderoj për së tepërmi Shoqatën “Dedë Gjon Luli” nga New York-u të cilës i jemi drejtuar për ndihmë dhe kemi fituar përgjigje pozitive.

KF Malësia nuk ka një stadium i cili përmbush kushtet për zhvillimin e ndeshjeve. Është e vërtet se nuk u jepet në përdorim stadiumi i KF Deçiq në Tuz, dhe për zhvillimin  e ndeshjeve jeni të detyruar të përdorni stadiumet në Podgoricë dhe gjetiu?
Jo, nuk kemi fushë që i plotëson kushtet. E vërtet është se vitin e kaluar iu drejtuam KF Deçiq, gjegjësisht kryesisë së klubit, me kërkesë që të na mundësohet vetëm zhvillimi i ndeshjeve në stadiumin e tyre, por nga ata fituam përgjigje negative.
Në stadiumin e Deçiqit ka disa klube që vijnë nga Podgorica të cilët ushtrojnë falas, kurse neve nuk na mundësuan që së pakut ndeshjet ti zhvillojmë aty.  Prandaj, për zhvillimin e ndeshjeve jemi të detyruar që çdo javë të udhëtojmë në Podgoricë, ku shpenzimet janë shumë më të mëdha .

Jemi të njoftuar se disa nga futbollistët tuaj gjatë turnamentit në Gjermani kishin tërhjekur vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane? Na thoni diçka më shumë në lidhje më këtë dhe përgatitjen e futbollistëve tuaj?
Malësia gjithmonë ka pasur dhe do të ketë talent të dalluar, siç ishin Macolla Dushaj, Zef Gjelaj, Mark Camaj, Adrian Gjokaj, Saniball Orahovac, Albin Camaj etj.
Nga klubi ynë, vitin e kaluar në turnamentin në Gjermani, ishin disa menaxher të interesuar për futbollistët tonë. Do të veçoj Jonatan Dreshaj të cilin para dy viteve e ftuan në kampin e futbollit të ekipit gjigant të Barcelonës i zhvilluar në Poreç të Kroacisë.  Dreshaj në 5 ndeshje shënoj 14 gola. Dua të ceki edhe portierin Marjan Vulaj, lojtarët Kenan Orahovac, Andrej Camaj, Andrej Ivezaj, Mario Gjolaj, Ajdin Gjokaj, Albin Nikprelaj, Mateo Vulaj etj. Pra, Malësia nuk duhet të frikohet për të ardhmen e saj në futboll se ka një potencial fantastik. 

Është fakt se futbolli është sporti më i popullarizuar në botë, në të cilin investohet shumë, ku për të arritur sukses përpos talentit kërkohen edhe kushtet. Si e shihni gjendjen e sportit në Malësi sot, dhe çka duhet të bëhet në të ardhmen?
Po, siç e dimë futbolli është sporti numër një në botë, por për te ecur para, për të arritur rezultate duhet punë por edhe kushte. Një gjë e madhe që i mungon këtij klubi është pikërisht fusha e futbollit, aty ku është baza ose themeli për një punë profesioniste, për një rezultat dhe sukses të gjatë.

Keni planë në të ardhmen të transformoheni në një klub për të gjitha moshat?
Kemi shumë plane por për plane afatgjate nevojiten edhe kushtet bazë. Sikur të kishim fushën tonë, ku ne do të jemi zot në shtëpinë tonë gjithçka do të realizohej më lehtë. Edhe sponsorët do të gjejnë vetën aty më lehtë.
Mendoj se Malësia meriton të ketë një klub të vet, ku vet emri do të tregonte se është klub i Malësisë dhe në të cilin do të përfshihen të gjitha grupmoshat deri për të rriturit (seniorët).  

I nderuari David Camaj, ju falënderojmë për intervistën, urojmë të vazhdoni me sukseset me shpresën që të fitoni përkrahjen që meritoni si nga institucionet ashtu dhe nga shoqëria në përgjithësi.
Ju faleminderit për vizitën dhe për përkujdesjen që na kushtoni përmes portalit Malesia.Org. Përshëndetje të gjithë lexuesve të portalit. 

/MALESIA.ORG/