Sytki Ndrecaj largohet nga detyra pas ndryshimeve të fundit politike

Sytki Ndrecaj
Sytki Ndrecaj

Lexoni letrën e plotë:

FALENDERIM

Të nderuar bashkëmalësorë e bashkëshqiptarë.

Si pasojë e ndryshimeve të fundit politike të ndodhura në vendin tone me datën 18.04.2013 më është komunikuar largimi nga detyra e N/Prefektit të Malësisë së Madhe.

E megjithate nuk mund të qendroja në heshtjen e këtij largimi pa falenderuar të gjithë bashkëmalësorët e bashkëshqiptarët me të cilët kam patur nderin më të madh të bashkëpunoj për të bërë më të miren e mundshme për treven time Malësi e Madhe.

* Ndaj falenderimi më i pare i përket pikërisht këtij komuniteti malësorë që pavarsisht vijes kufitare jam munduar ta heq nga termi duke përdorur kurdoherë një Malësi të Madhe pa kufinj ndarës.

* Gjithashtu deshiroj të falenderoj të gjithë ata institucione e drejtuesit e tyre në nivel qëndror e lokal me të cilët kam bashkëpunuar për nxitjen e thithjen e investimeve, hartimin e projekteve të mëdha që i kanë shërbyer e i shërbejnë pafundësisht banorëve të Malësisë së Madhe e më gjërë.

* Ashtu siç dua të falenderoj për bashkëpunimin të gjitha shoqatat, grupacionet, individ të ndryshëm me të cilët i vetmi term pune ka qënë mbrojtja e interesave të komunitetit malësorë, të trashigimisë etnokulturore, të historisë, të artit, kulturës, sportit etj. të trevës tonë Malësi e Madhe.

* Falenderoj drejtuesit e komuniteteve fetare që me prezencë personale në kultet fetare apo në takime e tubime të ndryshme të ndodhura nëpër Malësi të Madhe e kudo në mbarë treven shqiptare përçuam vlera të larta morale për bashkëjetesë ndërfetare e krahinore.

* Falenderoj mediat vizive e të shkruara qofshin ato lokale, kombëtare e ndërkombëtare si dhe portalet Malësia.org e Albdreams.net e të gjithë ata gazetarë e gazetare më të cilët kam përcjallë mesazhin e bashkimit, paqes, mirëkuptimit, tolerancës, mirëqënies ekonomiko-sociale etj.

* Falenderoj të gjithë ato organizma vendas e sidomos ata të huaj (si OSBE-ja, BE-ja etj.) të cilët me bashkëpunimin e frytshëm u munduam të sjellim risi në marëdhëniet pushtetare, funksionimin e tyre, rritjen e nivelit të administrimit të pushteteve me qëllim që ato të jenë më afër komunitetit e për komunitetin në Malësi të Madhe.

* Ashtu siç pjesmarrja ime në përkujtime datash historike për gjithë treven si përkujtimi i  Kryengritjes së Malësisë së Madhe 1911 të udhëhequr nga patrioti e luftetari Ded Gjon Luli i cili me trimat e tij me 6 Prill 1911 ngriti në Bratilë të Deçiçit pas rreth 450 vitesh flamurin e Gjergj Kastriotit-Skenderbeu e ku kulminacionin e pati festimi i 100-vjetorit të kësaj Kryengritje. Pjesmarrja në pervjetorët e Muzeut të vetëm Etnografik në Lekaj të Tuzit, muze i ngritur nga etnografi dhe fotografi i njohur Shtjefen Ivezaj. Prezenca në takimet e Shoqatave të të Persekutuarve, të Veteranëve e Familjeve të Dëshmorëve të të gjitha luftrave për liri, mbrojtje të territoreve shqiptare e për Pavarsinë e Shqipërisë. E gjithashtu edhe për të rënët në mbrojtjen e demokracisë në vendin tone e kudo në botë etj. etj.. Të gjitha këto përkujtime më kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme.

* Nuk mund të lë pa përshendetur të gjithë ato miq, shokë, dashamirës e familjarë me të cilët kemi kaluar momente gëzimesh në festa të ndryshme lokale, fetare etj. e pse jo edhe momente hidhërimesh kur vdekja largonte nga kjo botë njerëz të dashur të zemrës, intelektual me emër që me vepra të tyre të mira i kanë bërë nder vehtes, Malësisë së Madhe e gjithë Kombit Shqiptarë.

* Një falenderim deshiroj tu dërgoj gjithë diasporës malësore e shqiptare në shumë shtete të botës por në veçanti asaj në SHBA me të cilët gjatë kontakteve bashkëpunuese e komentuese kemi rritur edhe më lart vlerat e Malësisë së Madhe tashmë trevë e njohur në gjithë botën për mikpritje e bujari, burrëri e trimëri, besë e bashkëjetesë ndërfetare etj..

Gjatë gjithë periudhës mbi trevjeçare të drejtimit të Institucionit të N/Prefekturës Malësi e Madhe jam munduar të bëj më të miren e mundshme për banorët dhe treven time të dashur duke punuar me përkushtim, ndërshmëri, profesionalizem e larg ngjyrimeve politike, fetare e krahinore dhe për tri gjëra unë jam krenarë të cilët jo vetëm që ndodhen gjatë ushtrimit të detyrës së N/Prefektit Malësi e Madhe por më kryesorja kanë qënë edhe predispozicionet e mia ndër më kryesoret:

Ndërtimi i rrugës Shkodër-Hani i Hotit i sjellur në standartet më bashkëkohore duke shkurtuar jo vetëm distancat kilometrike por edhe nxitjen e bisnesit vendas e në veçanti rritjen e cilësisë së komunikimit dhe thithjen e investimeve të huaja për ti shërbyer mirëqënies së komunitetit malësorë këtu duke ndikuar patjetër edhe në standartin e jetesës edhe tek bashkëmalësorët tanë andej kufirit;

Bashkëpunimi i ngushtë me pjesën tjetër të Malësisë së Madhe andej kufirit ( që padrejtësia historiko-shekullore edhe pse në tokat e tyre amtare i vendosi me forcë nen sundimin e Malit të Zi ). Falë këtij bashkëpunimi me të gjithë aktorët politiko-pushtetarë, shoqëroro-kulturorë, historiko-etnografik, me intelektual e njerëz të artit e sportit arritem të largojmë barrierat kufitare duke bërë të mundur tashmë bashkimin e zemrave për të gjithë bashkëmalësorët.

Marrja e Urdhërit të Lartë “ Nderi i Kombit “ për Malësinë e Madhe dhënë nga Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani me 25 Nëntor 2012 në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljës së Pavarsisë, ngritjes së Flamurit Kombëtarë dhe krijimit të Shtetit Shqiptarë. Ky akt do mbetët edhe momenti më i veçantë në jetën time.

Ju premtoj se puna ime nuk do të mbesi vetëm nën suazen e drejtimit të N/Prefekturës pasi kontaktet e mia me gjithë ato që unë përmenda më lartë do vijojnë edhe më pas duke ofruar mundësitë e mia mendore e fizike kurdoherë në shërbim të bashkëmalësorëve të mi e trevës time Malësi e Madhe. Ashtu siç nuk do kursej asgjë për ti parë malësorët e trevën time edhe më të lartësuar.

Zoti i bekoftë malësorët e trevën Malësi e Madhe.

Me respekt për gjithë ju. Bashkëmalësori juaj Sytki Ndrecaj Koplik, Malësi e Madhe.