Në kujtim të përvjetorit të Kryengritjes në Malësinë e Madhe edhe këtë vit me 19-20 prill, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka organizuar Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë”. Është ky Manifestim që vazhdojë të bëj bashkë në një këngë, valle , në lartësim kujtimi për dëshmorët e në një sofër Ansamble, këngëtarë, poetë e intelektual të sferave të ndryshme nga Shkodra, Malësia, Kosova Lindore dhe trojet tjera etnike.
Manifestimi ka nisur me Tryezën tematike “Bashkë mund të bëjmë më shumë” në të cilën janë prezantuar me temat e tyre intelektualët nga Shkodra, Lazër Kodra e Luigj Shyti, Naim Martini nga Gucia, Anton Lulgjuraj nga Malësia e Madhe dhe Frashër Rraci nga Kosova. Temat kanë qenë përmbajtjesore dhe një ekip intelektualësh nga Shoqata do të nxjerrë nga to një program të angazhimit të përbashkët mes Shoqatave nga trojet etnike pjesëmarrëse në këtë Manifestim. Pas kësaj pjesëmarrësit e Manifestimit janë gjetur mes qytetarëve të Pejës duke vallëzuar e kënduar bashkërisht. Ashtu të bashkuar ata kanë vënë kurora lulesh te busti i Shkëlzen Haradinajt dhe dëshmorëve të tjerë. Ishte kjo dita e parë festës e cila ka vazhduar e bukur në qytezën e Istogut. Atje pjesëmarrësit janë përshëndetur nga përfaqësuesit e institucioneve komunale e nga qytetarët e shumtë dhe bashkërisht kanë lartësuar kujtimin për dëshmorët dhe kanë hedhur valle të trojeve etnike. Në Istog pas kësaj ka jehuar kënga e Ansamblit “Selman Kadria” e pastaj pjesëmarrësit nga trojet etnike dhe publiku janë gjetur në vallet e prezantuara nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” me koreografin Aldo Nika dhe ata të Ansamblit “Majat e Karafilave” nga Plava e Gucia të udhëhequr nga Gani Kukaj. Bukur janë prezantuar edhe Grupi Folklorik “Shpëtimi nga Medvegja e Kosovës Lindore. Drejtori i Arsimit në Istog, z. Agim Haxhiu, ka përshëndetur pjesëmarrësit, u ka dëshiruar mirëseardhje dhe ka lavdëruar Shoqatën “Martin Dreshaj” për angazhimet në mbajtjen gjallë të Zërit të vëllazërisë. Në këtë atmosferë e pas prezantimit të mrekullueshëm të tij , këngëtari e intelektuali nga Istogu, Ismet Demajt , ka pranuar urimet për titullin magjistër. Ukshin Jashari në cilësinë e kryetarit të Shoqatës “Martin Dreshaj” ka falënderuar kryetarin e Istogut, z. Haki Rugova, institucionet komunale dhe veprimtarët e kësaj komune për përkrahjen dhënë Manifestimit e pastaj ka shpallur për anëtarë nderi të Shoqatës Ndue Sanajn, Roza Pjetrin, Aleks Dushin e Gani Kukajn, Jashari ka falënderuar publikisht edhe veprimtarin Faton Bytyqi për angazhimet e tij të vazhdueshme në përkrahje të Manifestimit dhe ka ndarë çmimin “Sali Mani” për Bacën Kapllan Nikqi, i cili një jetë është në shërbim të valles së bukur rugovase. Në atmosferë feste Shoqata ka nderuar me çmimin “Martin Dreshaj” poetin e kritikun Prend Buzhala, z. Valdet Hysenaj, Teatrin “Aleksandër Mosiu”, flamurtarin e Shoqatës , Bacën Shefki Halimi dhe publicistin e poetin Sejdi Berisha.
Atmosferën e festës e ka shtuar kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” , z. Ndue Sanaj, i cili pasi ka lavdëruar angazhimet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Shoqatën “Martin Dreshaj” ka shpallur vendimin e Shoqatës “Dukagjini” që në kuadër të kremtimit dinjitoz të dhjetë vjetorit të punës së kësaj Shoqate të nderoi me titullin “Anëtar nderi” luftëtarin e lirisë, kolonelin Avdyl Mushkolaj, veprimtarin Naim Martini, Frashër Rracin, Drita Krasniqin , Qëndresa Jasharin, Ismet Demajn, Ansamblin Selman Kadria, Drejtorinë e Kulturës në Klinë dhe z. Prend Buzhalajn.
Aktivitetet vazhduan në Klinë
Dita e dytë e Manifestimit ka vazhduar në qytezën e Klinës. Pjesëmarrësit janë përshëndetur nga qytetarët dhe institucionet komunale dhe bashkërisht kanë vënë kurora lulesh te përmendorja e dëshmorit Mujë Krasniqi dhe te ajo e nënës së madhe shqiptare Nëna Terezë. Nga aty ata janë drejtuar te ndërtesa e Kuvendit Komunal dhe janë bërë një në vallen e bukur shqiptare. Këtu në Klinë e në takimet letrare është bërë një befasi e bukur që ishte përgatitur nga Aleks Dushi e aktorët nga Shkodra e në bashkëpunim nga Prend Buzhala, Indriz Berisha, Ismet Kasniqi-Lala dhe Drejtoria e Kulturës në Klinë. Në sallën e bukur të Asamblesë janë prezantuar mrekullueshëm jeta dhe vepra e penave të mëdha shqiptare Martin Camaj, At Vinqenc Malaj, Azem Shkreli dhe Ali Podrimja.
Organizatori këtu ka falënderuar njeriun e parë të Klinës, z. Sokol Bashota dhe institucionet komunale për mikpritjen, kurse nënkryetari i këtij qyteti, z. Zenun Zeqa, ka përgëzuar gjithë të angazhuarit në këtë Manifestim duke shtuar se këto janë momente kur shqiptarët janë bashkë në një valle, këngë e në një sofër dhe kujtojnë bashkë emra të mëdhenj të kombit.
Në Gllogjanin e historisë e në Deçan
Në përmbyllje të Manifestimit, pjesëmarrësit e kësaj feste janë gjetur në Gllogjanin e historisë. Aty ata janë pritur nga Baca Ilmi Haradinaj dhe bashkërisht në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit, kanë lartësuar kujtimin për ta që kanë rënë për të mos vdekur kurrë. Pas kësaj në konakun e Haradinajve është zhvilluar një bisedë e ngrohtë e vëllazërore.
“Jemi të nderuar me vizitën tuaj vëllezër e motra nga trojet etnike. Ju që po nderoni kujtimin për dëshmorët po nderoni kombin”, ka thënë Baca Ilmi. Luftëtari i lirisë dhe veprimtari, Avdyl Mushkolaj i ka treguar babait të dëshmorëve të kombit se Manifestimi Tradicional bashkon në aktivitete trojet etnike dhe çdo vit vizitojnë Gllogjanin në lartësim të kujtimit për dëshmorët e kombit, që janë pjesë e lavdishme e faqeve të historisë sonë kombëtare. Pas këtij aktiviteti përkujtues pjesëmarrësit janë gjetur në Deçan për të bashkëbiseduar lirshëm e këmbyer dhurata në sofrën e shtruar vëllazërore nga kryetari i Deçanit, z. Rasim Selmaj.
Selmanaj ka lavdëruar këto angazhime dhe ka shprehur dëshirën që me takim të tilla vëllazërore të vazhdohet sot e gjithmonë. Rrahman Jasharaj ,Koordinatori i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka falënderuar komunat e Pejës, Istogut, Klinës e Deçanit për përkrahjen që po i bëjnë Manifestimit. Ai ka kujtuar se kishte edhe momente të vështira në etapën e përgatitjes së Manifestimit dhe ka falënderuar për ndihmën modeste, por shumë domethënëse edhe Fatmir Gacaferrin, Ali Shabanin, Bakir Burrin, Ymer Ymerin e Frashër Rracin.
“Komunat na kishin ofruar përkrahjen dhe me ta po jemi më të fortë, por erdhi momenti i tillë sivjet, që edhe përkundër përkrahjes së tyre e brenda mundësive që kanë, po të mos ishte ndihma e këtyre njerëzve të vullnetit të mirë, ndihmë kjo modeste, por shumë me vlerë, Manifestimi do të vinte në pikëpyetje”, ka thënë në përmbyllje të Manifestimit , koordinatori e zëdhënësi i Shoqatës, z. Jasharaj .
Pjesëmarrësit e Manifestimit kanë bërë gjatë gjithë festës foto e xhirime , të cilat do t’i publikojnë, ruajnë e këmbejnë me njëri-tjetrin. Manifestimi edhe këtë vit, edhe pse hasi në shumë vështirësi, ishte madhështor dhe ia arriti qëllimit sepse bëri në një valle, në një këngë e në një sofër vëllezërit e motrat nga trojet etnike. Ai ishte dhe mbeti zë i Malësisë e për Malësinë.
Rrahman Jasharaj, gazetar i malësia.org nga Kosova