Rama-Meta firmosin marrëveshjen, përshëndeten nga Boris Tadic

“NGJALAT E LALËZIT”, DYSHES TË SË MAJTËS, IU MBETËN NË FYT EDHE NË SHKODËR

Nga Ramiz Lushaj

Nga eventet e sotme politike të së majtës nuk mbetet ma astenji mëdyshje për diten e nesërme: Çështja KQZ është një veprim/tari antikombëtar/e (!)

E para vjen me lindjen e diellit përmes mjergullës.
Sapo PDIU ”parti e Rezolutës Çame”, etj. u fjalafol realisht se do të nënshkruante marrëveshje parazgjedhore me PD në mazhorancë menjëherë u gurgac keqas në origjinë dhe pas-shpine kjo PBDNJ (“parti e grekëve”- siç vetëquhet jo rrallë apo e thërrasin shpesh). Hapi i parë: “de facto” e tërhoqi “antarin” e saj nga KQZ. Jani Jani ishte “i treti në bronx” që pas “ngrirjes” u “shkri”. Hapi i dytë: PBDNJ hyri në koalicion me PS, bash në zyrën e saj në Tiranë, pranë kishës ortodokse ma të madhe në Shqipëri të ngritun nga Janullatosi.

E dyta vjen pas fshehjes së diellit në mes të reve me shi.
Aleanca koalicioniste në mes LSI e PS u deklarua si (jo) për koinçidencë më 1 prill 2013 në ditën e 68-vjetorit të “Masakrës së Tivarit” ndaj mijëra shqiptarëve (të marsit 1945) nga paraardhësit e socialistëve të sotëm serbë e malazezë.
Si për ta dëshmue këtë mjafton edhe fakti tjetër: vendi i beslidhjes së tyne ishte Shkodra e Rozafës legjendare.
Shkodra është edhe vendi tragjik ku kësokohe prilli 1945 ishin tri grupimet e dyta shqiptare që po rrugëtonin për në “Frontin e Adriatikut” (Trieste), që po rrugëtonin përmbi gjurmët e gjakut të vllaznëve të vet të marsit 1945, që u vranë në Shkodër dhe i masakruan masivisht e barbarisht në Tivar.
Festa e beslidhjes do të vazhdojnë edhe nesër në Budva të Malit të Zi, diku afër Tivarit, diku afër vendrrugëtimit të shqiptarëve të Kosovës që po shkonin në frontin e luftës në Trieste.

E treta: pasi dielli fshihet prapa maleve rrënjase iliro-shqiptare.
Socialistë nga ma ekstremist pohojnë publikisht se “iu vjen keq po është e vërtetë”(!). Ku e kanë fjalën? Tek dhimbja shqiptare ma e madhe e ditës së sotme antikombëtare.
“Kumbara” i besëlidhjes PS-LSI në qytetin e Gentit e të Teutës, të Balshajve e të Bushatllinjëve, të Fishtës e Ndre Mjedës, është fatkeqësisht një farë Boris Tadiç, një psikolog klinik në detyrë profesionale (i nevojshëm për Ramën), një politikan serb që ka lind në Sarajevë dhe rrit e arsimue në Beograd, ish president i Serbisë (2004-2012), president nderi i Partisë Demokratike Serbe (antare e Partive Socialiste Europiane). Ky politikan mik idealor i Ramës në kohën e detyrës së tij ishte (e mbetet) kundër pavarësisë së Kosovës. Ka deklarue se “Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, biles që diten e shpalljes së saj i kërkoi OKB të anullojnë urgjentisht aktin e lartë të Pavarësisë.
Presidenti i Partisë Demokratike Serbe, Dragan Gjilas, bashkëmoshatar me kryesocialistin Edi Rama, të dy lojtarë basketbolli në fusha sporti e në politikë, njani ish kryetar i bashkisë së Tiranës në tre mandate e ky tjetri kryetar aktual i Beogradit, që janë të përkushtuar në bashkëveprime ideo-politike për humbjen e të djathtës kombëtare në Shqipërinë Londineze.
Në Shkodër, kryeqëndren e Veriut të Shqipërisë Londineze, shkuan liderë të së majtës shqiptare, po në mes tyne nuk mund të gjesh asnjë kryetar partie me historik që të jetë nga Veriu i Shqipërisë (!)
Në këtë “beslidhje” në Shkodër të dyshes PS e LSI, që kryemotiv nuk ka as zhvillimin e integrimin e Shqipërisë po veçse frymojnë “kundër Berishë”(!) ishin edhe disa liderë të tjerë “internacionalistë” të PSE-së. Veçohet dyshja majtiste e Malit të Zi, dy liderët kundërshqiptarë dhe ish miq të Millosheviçit, kryeministri e kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç dhe presidenti aktual Filip Vujanoviç, të cilat do të tubojnë socialistët ballkanikë edhe në Budva më 23 prill 2013. Çfarë miqësie i ofrojnë këta Shqipërisë e shpreh vetë Vujanoviçi teksa iu deklaroi më 3 prill 2013 partive politike dhe qytetarisë shqiptare në Tuz: “Krajl Nikolla ka luftue për çlirimin e Pavarësinë e Shqipërisë” (!)

Tërheqja e tre antarëve të KQZ nga opozita e sotme është një veprimtari antikombëtare, jo pse është një kurth politik prej hejcekurit, të paktën që nga 11 tetori 2012, me qëllim për ta kthye në opozitë në KQZ mazhorancën qeverisëse, etj., po edhe nistue nga faktet e 22 prillit 2013 që janë antikombëtarizëm shqiptar, aq ma keq kur kryhen në “ditët e gjakut” të tragjedisë së Tivarit dhe në “kumbari” të inter(nacionalistëve) ortodoks serbë e malazezë.