Jemi të vetëdijshëm se jeni lodhur nga artikuj të përditshëm të cilët trajtojnë çështje politiko-shoqërore, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë lajmë të gëzueshme; nuk shkojnë në favorin tonë. Prandaj, përpiqemi që kohë pas kohe të publikojmë artikuj ku politika, politikanët e qeveritarët (ende) nuk veprojnë.
Kësaj herë ju sjellim një peizazh të Lumit Cem, pikërisht ujëvarës të ashtuquajtur Njegara.
Lumi Cem së bashku me kanionin e vet, me bukuritë e rralla fantastike dhe me ujin kristal të pastër i takon grupit të lumenjve shumë atraktiv dhe më të bukur të Evropës, lum ky që gjatë tërë vitit e posaçërisht gjatë verës është shumë i vizituar nga dashamirët vendas të natyrës por edhe të huaj.
Cemi (lumi i vetëm në Malësi) në këto vise paraqet një potencial të rëndësishëm natyror dhe turistik.
Lumi buron në pjesën perëndimore të Bjeshkëve të Nemuna, në Shqipëri, në kuotën 1650m. Gjatësia e lumit është 62km.
Lumi formohet prej dy degëve kryesore, Cemit të Selcës (22.5km) dhe Cemit të Vuklit (17.9km), të cilat mbasi përshkojnë disa kilometra bashkohen te Tamara dhe formojnë lumin e Cemit.
Cemi derdhet në lumin Moraça, të cilët së bashku furnizojnë me ujë Liqenin e Shkodrës.
Gjatë verës Cemi shndërrohet në një mjedis atraktiv e tërheqës për pushues të ndryshëm që i preferojnë mrekullitë e këtij lumi, ku duhet veçuar pikën e Tërgajës, e cila është bërë vend plazhi, pushim e rekreacion për banorët e Malësisë.
Cemi vërtetë posedon bukurinë natyre por në të njëjtën kohë ka nevojë për ruajtjen dhe promovimin e kësaj bukuri. /MALESIA.ORG/