Muzeu Etnografik i Malësisë, muzeu i parë dhe i vetëm në Malësi, themelues i të cilit është z. Shtjefën Ivezaj, kremtoi 11 vjetorin e ekzistencës. Pikërisht para 11 viteve, Shtjefën Ivezaj vendosi që shtëpinë e tij familjare në Lekaj ta shndërroje në Muze të Malësisë. Që atëherë ai dhe bashkëshortja e tij jetojnë në ballkonin e shtëpisë, sakrifice kjo e radhë!
Kremtimi i 11-vjetorit u organizua me 1 Maj nga z. Gjokë Luli, përgjegjës për kulturë në Komunën e Kastratit.
Pronari i muzeut në fjalë priti vizitor, miq dhe dashamirës të tij nga vendi, Shqipëria dhe diaspora.
Për vlerat e shumta që janë grumbulluar dhe arkivuar në brendësinë e këtij muzeu, dhe për kontributin që pronari Shtjefën Ivezaj ka dhënë plotë 11 vite, të pranishmeve iu drejtua Gjokë Luli.
Me rastin e këtij tubimi të kremtimit të 11 vjetorit me fjalën e tij përshëndetëse vijoi drejtori i shkollës së mesme të Bajzës z. Ëjll Kalaj i cili foli mbi historikun dhe pasurin që përmban ky muze, dhe në fund të fjalës së tij i dhuroi z. Ivezaj dy fotografi për ti arkivuar në muzeun e tij.
Publicisti nga Kopliku Ndue Bacaj e përshëndeti këtë manifestim me një kumtese dedikuar vlerave të paçmuara të cilat muzeu etnografik përmban por edhe sakrificave të shumta që z. Ivezaj ka bërë plotë 11 vite për ndërtimin dhe ruajtjen e tij.
Krahas çmimeve dhe mirënjohje të shumta qe z. Ivazaj i janë dhënë ndër vite për punën e kontributin e tij në ruajtjen e vlerave të traditës dhe kulturës shqiptare, ai u nderua me një kopje të Urdhrit të Lartë “Malësia e Madhe – Nderi i Kombit” e dhënë para disa muajve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani. Kopja e këtij urdhri z. Ivezaj iu dorëzua nga ish-nënprefekti i Malësisë së Madhe z. Sytki Ndrecaj.
Për veprimtarinë e Shtjefën Ivazaj dhe vlerat e çmuara historiko-kombëtare që posedon ky muze, foli edhe Shtjefën Palushaj, bashkatdhetar nga diaspora.
Themeluesi dhe pronari i Muzeut Etnografik të Malësisë z. Shtjefën Ivazej falënderoi të gjithë vizitoret dhe mbështetësit që e ndihmuan në organizimin e këtij manifestimi. Në fund të këtij organizimi të pranishmit i argëtoi Ansambli Folklorik Shqiponja dhe këngëtarët Arben Delaj dhe Nikollë Buci, raporton TV Boin. /MALESIA.ORG/
foto: Bernard Hasanaj