Është arrestuar Naser Kelmendi, një afarist me origjinë shqiptare nga Kosova, me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës.
Kelmendi është për një kohë të gjatë në listën e më të kërkuarve të Policisë së Bosnjës, dhe po ashtu kryeson listën e personave më të rrezikshëm në Evropë, të administratës amerikane.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelanikonfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Naser Kelmendi është arrestuar nga forcat e rendit, të dielën, por pa dhënë detaje se ku është prangosur i dyshuari, përveç se për të kishte një fletarrest ndërkombëtar.
Bashkë me Kelmendin sipas Policisë së Kosovës, është prangosur edhe një person tjetër për dhënie të ndihmës të dyshuarit Kelmendi.
“Mund të konfirmojmë se me datën 5 maj rreth orës 20, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej tyre i kërkuar me flet arrest ndërkombëtar. Ndërsa personi i dytë është arrestuar për ndihmë të personit të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar. Tani të dy personat janë dërguar në qendrën e ndalimit policor”, tha Kelani për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama, në qershor të vitit të kaluar, pati dërguar në Kongres emrin e Naser Kelmendit, duke e apostrofuar si një njeri të rrezikshëm.
Emri i Naser Kelmendit në “listën e zezë” të presidentit amerikan, gjendet përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.
I lindur në Pejë në vitin 1958, Naser Kelmendi kërkohet si shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas autoriteteve boshnjake, Kelmendi, dyshohet të jetë i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka kohë që është në arrati, dhe vazhdon të mohojë akuzat njëra prej të cilave e cilëson atë si organizator kryesor në tregtinë me drogë në Ballkan.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani ndërkaq tha për Radion Evropa e Lirë, se për ekstradimin e tij do të vendosin autoritetet gjyqësore.
“Tani mund të flas vetëm për punën e cila bie në domen të policisë dhe për çështje për procedurat e ekstradimit, janë çështje që i përkasin njësive përkatëse”, tha Kelani.
Këshilltari i ministrit të Drejtësisë Driton Lajçi tha për Radion Evropa e Lirë se do të jetë vështirë të gjendet procedurat ligjore për ekstradimin e të arrestuarit Naser Kelmendi, por se kjo gjë do të ndodh meqë bëhet fjalë për respektimin e konventave ndërkombëtare.
“Me Bosnjën çështja e ekstradimit është pak e komplikuar, për faktin e ky shtet nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me Bosnjën nuk kemi marrëveshje për ekstradim, siç kemi me disa shtete të rajonit dhe disa shtete të BE-së”, tha ai.
“Mirëpo me këtë rast duhet të kërkojmë ndihmën e EULEX-it, sepse EULEX-i ka kontakte direkte me autoritetet e Sarajevës, dhe natyrisht ne jemi që të respektojmë këto konventa ndërkombëtare, dhe gjithashtu të kontribuojmë në luftën e krimit të organizuar dhe çfarëdo dukurie negative në rajon”, tha ai.
Sipas këshilltarit politik të ministrit të Drejtësisë, Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim me autoritetet e Bosnjës, dhe në pamundësi të kësaj është e detyruar që çështjen e Naser Kelmendit t’ia lë në duart e EULEX-it.
Kjo për arsye siç thotë ai se në kuadër të rregullave dhe marrëveshjeve bilaterale, është misioni evropian ai i cili mund ta bëjë ekstradimin e Kelmendit, i cili siç tha ai, do të ndodh.
“Jo nuk e besoj [se nuk do të ekstradohet], për faktin se autoritetet e EULEX-it kanë mundësi, sepse ai është misioni i BE-së, dhe si me thënë, do t’i gjendet baza legale që të bëhet ekstradimi. Nuk do të jetë e lehtë, është komplekse, për një fakt të rëndësishëm, jo për fajin e Kosovës, por, për faktin se Bosnja e Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe ata nuk duan që të kenë autoritete direkte me autoritetet e Kosovës”, sqaroi Driton Lajçi për Radion Evropa e Lirë.
Misioni Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ende nuk është përgjigjur se cilat procedura do të ndjek për ekstradimin e të kërkuarit nga Bosnja.
Mediumet kanë shkruar më herët se Kelmendi gjendet në arrest shtëpiak në vilën e tij në Dubai, ku hetuesit amerikanë e kontrollojnë lëvizjen e tij.
Naseri, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, dhe vëllai i tij Beçiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh. /REL/ – /MALESIA.ORG/