Shqiptarët në rrjedhën historike më tepër ishin të sunduar sesa që ishin sundues. Të ballafaquar me sundues të ndryshëm, vazhdimisht ishin në procesin e asimilimit të substancës kombëtare. Prandaj, sot ka serb, malazez, maqedon, boshnjakë, turq, grekë etj. me rrënjë shqiptare por rrallë dhe gati asnjëherë nuk kemi rast që të kemi të kundërtën. Për fat të keq kjo dukuri vazhdon edhe në ditët e sotme, sidomos në trojet shqiptare në Mal të Zi.
Procesi i asimilimit është në fazën përfundimtare në trevat shqiptare në Rozhajë, Plavë e Guci dhe Tivar, e që këto treva, jo shumë kohë më parë ishin të populluara me shumicë mbi 90% shqiptare.
Fatkeqësisht, ky nuk është fundi, tashmë duket se radhën e ka Malësia e Madhe, e cila veç ka hyrë në procesin e asimilimit dhe me shpejtësi të madhe kjo dukuri po ia gërryen rrënjët e sajë.
Malësia e Madhe vërtet ka një të kaluar të ndritur, me të cilën gjeneratat e sotme krenohen. Parashtrohet pyetja se a kemi pse të krenohemi me të tashmen, dhe a do të krenohet kush në të ardhmen dhe me gjeneratat e sotme? Pra, nëse kjo tendencë vazhdon me këtë ritëm, a thua do të ketë kush apo me çka të krenohet?
Shqiptarët e Malësisë sot gjinden në një situatë komplekse, me probleme të shumta politike e ekonomike të cilat po shkaktojnë dobësimin dhe rrallimin e “bimës” kombëtarë. Situatë e cila nuk filloj sot, por shumë kohë më parë e cila është në vazhdimësi.
Ndërgjegjja kombëtare në mesin e shqiptarëve këtu është në nivel të ulët dhe dita ditës po zbehët më shumë. Kështu, tkurrja dhe mungesa, e ne shumicën e rasteve mohimi i ndërgjegjes kombëtare po rezulton me shkallën dalluese të humbjes së imunitetit ndaj asimilimit.
Që nga fillim shekulli XX por edhe më herët e deri sot në Mal të Zi, sllavët me aparaturën e tyre ushqyen përbuzje dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Sundues i cili urrente të sunduarit, ku reflektimi i urrejtjes së sunduesit ishte më i madh sesa e kundërta dhe si i tillë ishte dhe është ne përpjesëtim të zhdrejtë!
Duke qenë në numër të vogël, të shtypur, diskriminuar, pa fuqi dhe pa përkrahje para së gjithash nga shteti amë, edhe vet shqiptarët u frustruan duke vënë si barrë dimensionin e frikës e cila kalojë në “bindje”; se të jesh shqiptarë, të flasësh gjuhën shqipe, të duash flamurin shqiptarë, pra të jesh vetvetja, është diçka e keqe, diçka nga e cila nuk përfiton por humbë. Aty dhe qëndron fillimi i dobësimit të ndërgjegjes kombëtare, mohimit të vetvetes.
Përderisa shteti i Malit të Zi identifikohet dhe është tashmë i dallueshëm në qarqe evropiane si një shteti demokratik e qytetarë, duke vendos maskë fallco para Bashkimit Evropian dhe duke proklamuar atë si një bashkim kombesh/shtetesh (ku kufijtë dhe dallimet nuk ekzistojnë), tenton që shqiptarët ti konvertoj në “kozmopolit” duke i zhveshur përfundimisht ata nga çdo element nacional, kurse vet gjithmonë, duke ruajtur nacionalizmin e tyre të theksuar në përmasa tejet radikale në krahasim me ne, pra me nacionalizëm sllav.
Për dobësimin/përkeqësimin e ndjenjës kombëtare, si një formë mjaft efikase për asimilimin më të lehtë të shqiptarëve, pushtetet e kaluara në Jugosllavi, e që vazhdon edhe sot, kanë përdorur metoda të ndryshme, përsëris, metoda që edhe te vet shqiptarët të krijojnë bindje/frikë e që krejt kjo ka kaluar në frustrim, se të jesh shqiptarë do të thotë të dallohesh nga të tjerët, por në kuptimin negativ.
Shtimi i prapashtesës VIĆ (VIQ) mbiemrave shqiptar ishte një metodë e fillimit të asimilimit më të lehtë (e hyrjes në qef malazezëve!). Edhe përkundër lehtësimit të procedurave të përmirësimit të emrit/mbiemrit dhe mundësisë së shkruarjes së tyre në gjuhën shqipe në dokumente zyrtare, shqiptarët ende mbajnë prapashtesën VIĆ në mbiemër.
Nëse emri dhe mbiemri tingëllojnë shqip dhe të shkruara në gjuhën shqipe, në shikim të parë është një vetëdeklarim i asaj që je, gjë e cila shpesh zgjon antipatinë e një punonjësi (sllav) në një zyre, institucion apo shërbim publik (shkollë, spital, polici etj) ndaj një shqiptari i cili kërkon kryerjen e ndonjë shërbimi apo procedure si e drejtë e çdo qytetari. Nga vet fakti që kombësia e tij të jetë e theksuar, ai shpesh mund të diskriminohet në forma të ndryshme. Nëse jo më shumë, atij në vend se të i bëhet një lehtësim, do të përballet me të kundërtën. Prandaj shqiptarët edhe mund të zgjedhin që etnia e tyre të mos bie në sy.
Mbiemri i sllavizuar është një hap drejt boshnjakëzimit të shqiptarëve të besimit islam (një faktor që veç ekziston në Malësi) si dhe sllavizmi i shqiptarëve të besimit katolik.
Edhe sot, te pjesë e madhe e shqiptarëve ne Malësi dhe në treva tjera shqiptare, mbiemrat e sllavizuar janë aktual dhe me ta si të tillë edhe identifikohen. Shkallë kjo qe i ka tejkaluar format e “turpit” individual fisnorë dhe atij kolektiv. Ku aspak nuk është “turp” ti prezantohesh dikujt dhe të identifikohesh si Ivezić, Dedvuković, Ljuljanović, Ljuljdjurović, Berišić, Ujkić, Pepić, Camović, Đonović, Gilić, Đoković. E gjithë kjo kërkon sqarim, ndoshta edhe diçka më tepër kërkon ngritje të zërit dhe mosdegjueshmëri qytetare ndaj kësaj dukuri. Fillimisht, ndoshta do të ishte mirë që këtë vazhdimësi të fillit asimilues nder shqiptarë ta ndërprejnë intelektualët tonë. Ti identifikojmë ata, dhe fillimisht, tu kërkojmë atyre që të kthehen në rrënjë!
Shkollimi është një tjetër faktor i cili është në disfavorin e shqiptarëve. Programi mësimor në shkollat fillore dhe të mesme nuk është adekuat dhe nuk përmbushë kërkesat që nxënësit shqiptarë duhet ti mësojnë, sidomos në historinë kombëtare. Përderisa në nivelin lartë universitarë studentët shqiptarë në Mal të Zi kanë vetëm një mundësi të studimit në gjuhen shqipe, atë të mësuesisë.
Studentët shqiptarë për të studiuar në gjuhën shqipe janë të detyruar të studiojnë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, por ka shumë nga ata që nuk kanë mundësi financiare për një gjë të tillë.
Një pjesë tjetër zgjedhin të studiojnë në gjuhën sllave, dhe jo në gjuhën shqipe, duke shpresuar se pas përfundimit të studimeve do ta kenë më të lehtë të punësohen.
Një tjetër dukuri e cila ekziston në përgjithësi në Mal të Zi, e sidomos për shqiptarët, është punësimi në bazë të librezës partiake. Jo rrallë, si parakusht, aplikuesit për një punë, sqarojnë se si (direkt apo indirekt) udhëzohen që së parit të anëtarësohen në partinë në pushtet.
Nga mungesa e ndërgjegjes apo dhe nga situata e vështirë ekonomike këta njerëz harrojnë faktin se bëhen mall për shitje.
Si rezultat i gjendjes së mjerueshme politiko-ekonomike, e theksuar sidomos në trevat ku shqiptarët janë shumicë, emigrimi për dekada të tëra ishte në nivel tepër shqetësues. Shqiptarët nën presion dhe të diskriminuar, por gjithmonë të lehtësuar të emigrojnë, lëshuan trojet e veta më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Është fakt se 2/3 e shqiptarëve nga Malësia jetojnë në SHBA.
Në anën tjetër shpërngulja e organizuar e boshnjakëve nga viset veriore të Malit të Zi, në Dhe të Zi (Karabushko Pole), që sot numërojnë rreth 3000 banorë, numër i cili rritet nga viti në vit, shtron pyetjen pse pikërisht në Malësi?
Emigrimi i shqiptarëve dhe vendosja e boshnjakëve në Malësi, është një plan i ndërrimit të strukturës demografike të popullsisë e unë do të shtoja, ndryshim të etnisë. Plan ky i cili po realizohet gradualisht por me sukses.
Malësia e cila ishte gati 100 për qind e populluar nga shqiptarë autokton, tashmë gati është balancuar me jo-shqiptarët.
Pa qit këtu në harresë edhe martesat në mes shqiptarëve dhe këtyre ardhacakëve që vetëm shtojnë dhe përshpejtojnë asimilimin.
Se sa të pranuar dhe të barabartë janë shqiptarët dhe simbolet e tona kombëtare nga ana e shtetit malazez shumë mirë e dëshmon edhe “Ligjit mbi Rendin dhe Qetësinë Publike” i cili sanksionon përdorimin e simboleve tona kombëtare me gjobë në të holla deri në 5000 apo burgim (personi juridik do të dënohet me 2.500 deri në 5000 euro, kurse për personat fizik gjoba do të ishte 100 deri në 500 euro apo 30 ditë burgim).
Se Flamuri ynë kombëtare konsiderohet si ndonjë armë e rrezikshme u dëshmua edhe në aksionin famëkeq të 9 shtatorit të 2006, kur me rastin e bastisjeve policia sekuestroi flamujt shqiptarë si material dëshmues për “terrorizëm”.
Një nder të drejtat themelore të qytetarëve është e drejta për vetëqeverisje lokale. Një tjetër e drejtë e cila i është shkurtuar shqiptarëve. Shqiptarët e Malësisë shpesh herë u përdorën për tregti politike të këtij pushteti, por edhe të subjekteve politike shqiptare. Ky pushtet para çdo zgjedhje ka premtuar Komunën e Malësisë me qendër në Tuz. Kanë kaluar shumë marrëveshje e nënshkrime por çdo herë kanë përfunduar për të ja nisë me një premtim tjetër.
Tashmë lindi një premtim i radhës, duke u mbështetur në “Ligjin për organizimin territorial”, komuna duhet kaluar përmes një referendumi konsultativ. Një metodë tjetër për zvarritjen e kësaj çështje. Një referendum i cili edhe nëse dëshira e qytetarëve kalon, do të varej nga dëshira e pushtetit, i cili qartë se nuk dëshiron një komunë ku shumica (së paku për momentin) është e populluar nga shqiptarë autoktonë.
Popujt e sunduar, të cilët jetojnë jashtë shtetit amë apo nuk kanë shtet amë, përballen me asimilimin. Shqiptarët vërtet kanë shtetin amë, i cili ka detyrë morale por edhe ligjore të i ndihmojnë dhe mbrojnë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Nenin 8, Pika 1 (Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.), edhe garanton mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufirit politik të saj.
Çka bëri Shqipëria zyrtare në këtë drejtim? Nuk bëri asgjë!
Për Kosovën, shtetin tjetër shqiptarë as mos të flasim. Atë disi po mundohemi me e arsyetuar për faktin se shteti i Kosovës ende është në procesin e formimit. Por, Shqipëria zyrtare dhe diplomacia e sajë, mund të mësojnë nga Serbia, që diplomacia e sajë po bën të pamundurën për mbrojtjen e serbeve brenda shtetit të Kosovës. Po ashtu, edhe nga Mali i Zi i cili kushtëzon Kosovën për shkëmbimin e misioneve diplomatike me njohjen e një bashkësie etnike malazeze e cila jeton në Kosovë, për të cilën kërkon ta njohin me atribute të kombësisë në kushtetutë. Të mësojnë nga veprimi i shtetit grek, se si veprojnë ndaj pakicës “greke” (shqiptarë të greqizuar) në jug të Shqipërisë, ose nga shteti serb i cili në qytetin e Fierit investon në hapjen e shkollës serbe për disa familje serbe!
Kemi dëgjuar nga zyrtarë shqiptarë që për ndihmën e tyre fillimisht duhet të jemi kompakt në kërkesat tona. Vërtet duhet të ishte ashtu, por shqiptarët në Malësi janë në gjendje aq të mjerueshme, sa që edhe për një fillim të tillë është e domosdoshme ndihma e shtetit amë, e atyre që e kanë për detyrë, se pari morale e mbi të gjitha kushtetuese.
Subjektet e shumta politike shqiptare në këto troje e kanë humb çdo kuptim. Ato më shumë shërbejnë për tregti dhe dekor… Në fund të fundit ato vetëm pasqyrojnë gjendjen e shqiptarëve këtu.
Jemi në një fazë kritike e cila pa ndihmën e shtetit amë dhe ndërkombëtarizimit të kërkesave tona do të humbët edhe ata pak që ka mbet dhe ne do mbesim në mjegullnajën e rrugëtimeve tona!
R. Ivezaj