Me arrestimin dhe dënimin e vendasve vetëm sa shtohet mosbesimi i shqiptarëve në sistemin e institucioneve si dhe dyshimi se ato veprojnë në mënyrë selektive.
Forca shpreh pakënaqësi të madhe dhe protestë me rastin e e arrestimit të 22 banorëve të fshatit Martinaj nga ana e policisë, të shtunën me 25 maj, si dhe dënimin nga ana e gjykatësit për kundërvajtje e të gjithë personave të arrestuar, shkruan në reagimin e Forcës të nënshkruar nga deputeti Genci Nimanbegu.
“Nga ana e banorëve të fshatit Martinaj jemi informuar me kohë për problematikën e pronës së tyre dhe dëshirën që ky problem të zgjidhet në mënyrë të qetë brenda sistemit të institucioneve dhe pa tensione të panevojshme”.
“Edhe pse nga Forca me kohë Ju kemi tërhequr vërejtjen Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me qendrimet e banorëve të fshatit Martinaj dhe gatishmërinë e tyre që me dialog të zgjidhet çështja brenda sistemit të institucioneve, dhe kjo nuk ka treguar asnjefarë rezultatesh, por përkundrazi, masat e ndërmarra janë joadekuate, me elemente të frikës dhe tensioneve ndaj vendasve edhe pse më parë i janë drejtuar me letër institucioneve; Qeverisë dhe Ministrive, partive politike dhe Organizatave Ndërkombëtare”.
Arrestimi dhe dënimi i vendasve shton mosbesimin e shqiptarëve në sistemin e institucioneve si dhe dyshimin se veprohet në mënyrë selektive. Në të vërtetë protesta të ngjashme në Mal të Zi nuk kanë rezultuar me rrethimet e ashtuquajtura policore të fshatrave dhe as me arrestimin dhe dënimin e aq numri të madh të vendasve, thekson Nimanbegu.
Ai thekson se nuk ka më shqiptarë naiv dhe të paarsimuar që të mos e dinë se ku është qellimi i përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe. Ajo vazhdon me planet e saja të vjetra të nacionalizmit dhe shënimin e territoreve pa marrë parasysh qëndrimet e vendasve dhe marrëdhëniet ndërnacionale në Mal të Zi. Ngritja e tensioneve ndërnacionale në Mal të Zi askujt nuk i shkon në favor, por i shkon të gjithëve në dëm.
“Është e sigurt që Malit të zi nuk i duhet edhe një problem i ngjashëm me problemin e Rumisë. Prandaj konsiderojmë se organet kompetente është dashur të ndërpresin punimet. Me këtë do të ndërpriteshin edhe protestat edhe arrestimet dhe çdo gjë që ka pasuar”.
Forca do të iniciojë që thëniet e vendasve të fshatit Martinaj rreth vendimit të gjykatës, të shqyrtohen në pjesën për besueshmërinë dhe validitetin e provave të cilat i ka pranuar gjyqi gjatë vendosjes për pronën kontestuese.
Shprehim dëshirën që banorët e Martinajve me durim qytetar të tregojnë dinjitet, maturi dhe qetësi në këto momente provokuese për ta, kur pas problemit të deponies, situatës së dobët ekonomike dhe papunësisë, paraqitet edhe ky provokim, përfundon reagimi i Forcës. /MALESIA.ORG/