10 mijë flamuj për ndeshjen Shqipëri : Norvegji

Për një ndeshje të madhe nevojitet një atmosferë e jashtëzakonshme.

Është e garantuar shitja e të gjitha biletave për ndeshjen e 7 qershorit, por kaq nuk mjafton për të ndihmuar kuqezinjtë drejt rrugës së suksesit që të gjithë dëshirojnë. 10 mijë flamuj do të shpërndahen falas për të gjithë tifozët që do të vendosen në tribunën kryesore dhe atë përkarshi. Familja Nuri ka vendosur të bëjë një sponsorizim të tillë, duke ndihmuar FSHF-në dhe tifozët gjithashtu për të përgatitur mbrëmjen e shumëpritur.

10 mijë flamuj janë porositur dhe do të mbërrijnë pak ditë para se të luhet ndeshja. Sapo tifozët të futen në ambientet e brendshme të stadiumit, në momentin që do të japin biletat, do të marrin në dorë një flamur kuqezi, të cilin do të kenë mundësi për ta valëvitur përgjatë takimit. Ky lajm është mësuar dje dhe është konfirmuar më pas. Duke llogaritur faktin se në të gjithë stadiumin do të ketë një dekor të tillë madhështor, në “Qemal Stafa” spektakli është i garantuar për mbrëmjn e 7 qershorit. Veç dekorit që kanë përgatitur tifozët kuqezi, apo edhe grupimet nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, familja Nuri ka menduar ta bëjë ndeshjen me Norvegjinë të paharrueshme për të gjithë shqiptarët që do ta ndjekin atë nga shkallët e stadiumit. /ASport/ – /MALESIA.ORG/