Lidhja Demokratike në Mal të Zi dënon ashpër provokimet e Kishës Pravosllave Serbe dhe intervenimin e policisë malazeze në katundin Martinaj të Gucisë ndaj popullatës vendase shqiptare
Provokimet e Kishës Pravosllave Serbe ndaj shqiptarëve, me pretendim të “përvetësimit territorial” dhe të pasurisë e sidomos dhënieve të sinjaleve të forta me veprime konkrete antishqiptare, të cilat në dy dekadat e fundit janë shtuar dhe në mjaft raste seriozisht kërcënuan dhe po vazhdojnë të kërcënojnë qetësinë e trojeve tona paqedashëse dhe po provokojnë rendin e paqen, po kërcënojnë monumentet e trashëgimisë sonë kulturo historike, duke i uzurpuar e devastuar ato me ndërtimet ,,në vijën, frymën e arkitekturën kishtare pravosllave serbe” me qëllime okupuese, me të cilat intervenime duan t’u thonë shqiptarëve se “kjo është tokë serbe”, me pikësynimin final të dëbimit të popullatës vendase autoktone shqiptare, ashtu siç bënë edhe në të kaluarën, por edhe sot kur në trojet tona, me mjete të ndryshme, herë agresive e herë me mjete “të plishta” po zbatojnë politikën e rrallimit etnik. Kjo në formën publike e agresive doli në skenë që në fillim të viteve të ’80-ta e sidomos me ardhjen në pushtet të regjimit serbo-malazias antishqiptar në krye me Millosheviqin me politikën e tij hegjemoniste, okupuese ndaj fqinjëve të vet, me veprimet gjenocidiane në Bosnje e Kosovë dhe përndjekjen e shqiptarëve me rreze veprimi me rrathë koncentrikë nga Beogradi. Në gjithë këtë marshim hegjemonisto gjakatar kisha pravosllave serbe ishte bashkudhëtare e herë në krye. Ishim dëshmitarë okular në pamjet televizive kur i bekonte nisjen e njësive ushtarake e paramilitare në luftën kundër fqinjëve.
Kështu, me ndihmën e ushtrisë e njësive policore e paramilitare erdhën në Krajë, në themelet e kishës sonë të shekullit të dhjetë, e të kërkojnë “Mekën Serbe” në mjedis të Krajës Ilire, pa asnjë gjurmë sllave, përveç mbetjeve të ushtrive të tyre në kalim për të sulmuar Taraboshin e Shkodrën, pastaj “kërkuan vetveten” në kalanë e lashtë të Ulqinit e të Shasit, por nuk e gjetën sepse ato ishin vendbanime me “nam” që para dyndjes së tyre, të okupojnë ishujt në liqenin e Shkodrës, ata ishuj që ishin krenari, mburojë e pronë e katundeve të Krajës, vendosën objektin e metalit në formë kishe në majen e malit të Rumisë me të cilën provokuan e kërcënuan, po provokojnë e kërcënojnë jo vetëm Krajën e kranjanët, por të gjithë liridashësit e paqedashësit, të gjithë adhuruesit e monumenteve historike e natyrore të rralla e të pashoqe., pa dallime përkatësie.
Dhe, tash, provokimi e kërcënimi më “taze” nga Kisha Pravosllave Serbe ishte pardje në katundin Martinaj të Gucisë, të cilët duan të ndërtojnë përsëri kishën, në themelet e rrënojave, në këtë vend, në pronën e familjes së Plelvukajve të cilën pronë në vitin 1933, “në periudhën e kreaturës mbretërore serbo-kroate-sllovene”, ia kishin marrë me dhunë për të ndërtuar një kishe pravosllave serbe…” . Prelvukajt kërkojnë tokën e tyre, që ju është marrë me dhunë e uzurpuar, për të ndërtuar kishën për të provokuar popullatën e jo për nevoja të besimtarëve, të cilën gjë po duan ta bëjnë edhe sot.
Të gjitha këto provokime e sulme kanë një emërues të përbashkët sepse janë bërë dhe po bëhen me bekimin e pushtetit (-eve) (i cili koketoi dhe bashkëpunoi e bashkëveproi për interesin e tyre, dhe po hesht e madje po vepron për qëllime të tyre, kundër shqiptarëve), asistimin, prezencën, ndihmën e ushtrisë, rasti i Rumisë e ishujve në liqenin e Shkodrës, dhe me asistencën e policisë, rasti në muranat në Shën Mërinë e Krajës, Rumisë dhe ky i Martinajve, kur me dhjetëra policë intervenuan duke arrestuar mbi 25 qytetarë vendas që edhe atë ditë kishin dalë në shenj proteste kundër veprimeve të përfaqësuesve të Kishës Pravosllave Serbe, e cila po tentonte të rrethojë e të ripërvetësojë pronën e familjes së Prelvukajve . Policia, vendasit shqiptarë i shoqëroi në stacionin e Policisë në Plavë ku edhe ngriti fletëparaqitje kinse për “prishjen e rendit dhe qetësisë publike” dhe i dorëzoi gjykatës për kundërvajtje, e cila në mënyrë urgjente të gjithë i dënoi me gjobë nga 240 eura!?
Për këtë arsye LD në MZ reagon ashpër kundër këtij akti, të Kishës Pravosllave Serbe e sidomos të intervenimit të policisë..
LD në MZ kërkon urgjentisht që organet shtetërore kompetente të reagojnë, të parandalojnë provokimet e Kishës Pravosllave Serbe, të anulojnë vendimet e dënimeve me gjobë të qytetarëve të pafajshëm vendas dhe të ndërmarrën të gjitha masat dhe mjetet e nevojshme që në procedurë të rregullt prona t’ju kthehet pronarëve ligjshëm e të vërtetë, Plelvukaj.
Poashtu ju drejtohemi organeve shtetërore të Malit të Zi që të intervenojë edhe te rastet e tjera kur është fjala te Kisha Pravosllave Serbe dhe veprimet e saja në kundërshtim me normat ligjore, demokratike e mirëkuptimit ndërfetar e ndërnacional: lirimin e majes së Rumisë dhe ishujve në liqenin e Shkodrës., ndalimin e provokimeve te Kisha e Krajës etj.
Mehmet BARDHI, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi